Letërsi

“Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi”, botim i UETPRESS/ Vrasja e mësuesit Halit Geci shfaqi publikisht UÇK-në

Shkruar nga Liberale

“Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi”, botim i UETPRESS/

Halit Geci, po shpjegonte një tekst nga koha e Skënderbeut me titullin: “Liria fitohet me majat e shpatave”, kur dëgjoi krisma fare afër shkollës. Mësuesi 52 vjeçar e ndërpreu mësimin dhe iu tha fëmijëve të uleshin nën tavolina.
I trembur për jetën e tyre, u kërkoi të fusin librat në çantë dhe i shoqëroi vetë nga dera e mbrapme duke u dhënë porosinë e fundit:
“Kaloni rrugën shpejt dhe shkoni drejt në shtëpi. Mos ndaloni askund!”

Mësuesi u kthye sërish në klasën e boshatisur dhe iu afrua dritares. Por nuk arriti të shohë asgjë. Një plumb i policisë e goditi në stomak dhe ai ra fare pranë tavolinës, ku prej afro 30 vitesh shpjegonte Historinë e Shqipërisë!
Halit Geci ndërroi jetë në qendrën spitalore, në një ditë të trazuar për Drenicën, por që padashje, u bë dita që trazoi një herë e përgjithmonë qetësinë e Kosovës nën Serbi. Ishte data 26 nëntor 1997. Halit Geci nuk e mësoi kurrë, se mësimi që po shpjegonte atë ditë për lirinë, befas, ishte kthyer në një platformë ushtarake e politike, për shumë të rinj të Drenicës e madje për disa prej ish-nxënësve të tij.

Trupi i mësuesit u kthye në banesë në datën 27 nëntor, por familja vendosi që varrimi të mbahej më 28 Nëntor, një ditë e shenjtë për shqiptarët, e veçanërisht për ata të Kosovës. Pritej që në varrim të vinin me mijëra vetë, jo vetëm sepse mësuesit kanë qenë gjithnjë persona të nderuar në atë zonë, por edhe sepse durimi po merrte fund në Kosovë. Në Llaushë kishin mbërritur gazetarët e mediave të Kosovës, por edhe 2 - 3 gazetarë të huaj. Veç varrimit, ata po mundoheshin të kuptonin se çfarë kishte ndodhur realisht në dy ditët paraardhëse.

Siç u mor vesh më vonë, historia nisi më 25 nëntor 1997, kur njerëzit e familjes Rexha në Vojnikë kishin dalluar civilë të dyshimtë serbë që vinin rrotull në një zonë të jetuar vetëm nga shqiptarë. Llogaria ishte e thjeshtë; ata ishin civilë të Zbulimit, që pasoheshin nga trupa e armatosur e MPU-së. Edhe targeti identifikohej lehtë. Synonin të ndalonin Abedin Rexhën, “Sandokanin”, një person sipas tyre i rrezikshëm, por që në të vërtetë, ishte një ndër komandantët e rëndësishëm të UÇK - së. I njoftuar në kohë, Abedin Rexha u zuri pritë bashkë me njerëzit e tij dy makinave Nida të policisë. Pas një shkëmbimi zjarri që zgjati thuajse një orë, ekipi i policisë u tërhoq.
Ilegal i vjetër, Rexha e dinte që serbët do të riktheheshin me forca më të mëdha. Ata nuk mund të pranonin një nukël të armatosur fare afër rrugës nacionale. Ndaj nisi dy nipat e tij në drejtim të Skënderajt, për të kërkuar ndihmë në grupet e tjera të UÇK – së; së pari tek Adem Jashari, një personazh i njohur i zonës dhe ndër të parët që ishte përballur me armë me policinë serbe më 1991.

Mbrëmjen e po asaj nate, thuajse 40 burra u mblodhën në kullën e Sylejman Selimit në Skënderaj dhe vendosën që të nesërmen të rezistojnë ndaj sulmit serb. Ishin të bindur që policia do të kthehej sërish, por kishin debate të forta se nga do të vinte ajo. Takimi zgjati deri vonë dhe në fund, vendosën që në orën 4 të mëngjesit, të bllokonin aksin që lidhte Vojnikën me Skënderajn, në zonën e quajtur Klisurë.

Forcat e UÇK - së qenë pozicionuar aty, kur rreth orës 08:00 të mëngjesit, makinat e Policisë Serbe u shfaqën në rrugën kryesore. Pa e pritur, policët serbë ranë në pritë. Ata e gjetën rrugën të bllokuar nga një buldozer, dhe kur tentuan ta hapin u kryqëzuan nga zjarri i kallashnikovëve. Përleshja zgjati disa orë. Në ndihmë të policëve u dërguan edhe dy helikopterë të ngritur nga aeroporti i Prishtinës. Beteja zgjati gjatë, por policët nuk kaluan dot. Ata u kthyen mbrapsht, duke hapur zjarr pa kontroll dhe duke qëlluar në muret e banesave dhe shkollës së fshatit. Një plumb ose një goditje snajperi, goditi mësuesin që sapo kishte përcjellë nxënësit e tij.
Kjo ishte beteja e parë e hapur në mes të UÇK-së dhe Policisë Serbe, në mes të ditës, që u kurorëzua me fitore. Në fshat, por edhe në zonë, pak vetë e dinin se kush ishin ata që rezistonin. Po kaq pak, kishin dëgjuar për emrin e formacionit që rezistoi, UÇK!

Atë mbrëmje, ndërsa zona përgatitej për varrimin, në euforinë e fitores së një dite më parë, grupi i vogël i luftëtarëve i përforcuar edhe me ata të Dukagjinit, vendosi që të nesërmen të dilte për herë të parë publikisht. 3 vetë, të veshur me uniformat e UÇK – së, do të merrnin pjesë në varrim dhe do të mbanin atje një fjalim.
Hashim Thaçi ka këmbëngulur se vendimi u mor nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK - së.
“Paraqitja e tyre para të pranishmëve në varrimin e mësuesit Halil nuk ka qenë aspak një dalje e improvizuar, siç mund të jetë komentuar në disa raste. Kjo paraqitje është kryer pas vendimit politik të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK - së.”

Nuk dihet sesa ky ka qenë një vendim i Shtabit, apo një vendim i improvizuar në euforinë e fitores së asaj dite. Vështirë që Shtabi atë ditë dhe në vijim të ketë qenë kaq funksional. Atë natë, në një mbledhje të gjatë, u vendos që tre luftëtarët që do të merrnin pjesë në varrimin e mësuesit Geci do të ishin: anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, z. Rexhep Selimi, i shoqëruar nga Mujë Krasniqi (Kapuçi) dhe Daut Haradinaj (Davidi). Haradinaj kishte ardhur nga Dukagjini për të ndihmuar në betejën e një dite më parë. Ramush Haradinaj rezistonte prej kohësh në Dukagjin, në një strukturë që tashmë vepronte në kuadër të UÇK - së.
Natën vonë, përfaqësues të UÇK - së biseduan me familjen Geci për t’ju rrëfyer për atë që pritej të nesërmen në mesditë. Asnjë, veç tyre dhe familjes, nuk e dinte çfarë do të ndodhte realisht.

Por ajo që ndodhi, shenjoi thellë të ardhmen e Kosovës dhe është zanafilla e çdo libri të shkruar për Luftën e Kosovës dhe Pavarësinë e saj.
Kodra e vogël e Varrezave të Llaushës dukej si e pyllëzuar me njerëz atë mëngjes. Thuajse 20 mijë vetë kishin ardhur nga gjithë krahina, e madje edhe Prishtina, për t’i dhënë lamtumirën mësuesit të vrarë në detyrë. Të bindur se forcat serbe mund të vinin për të penguar ndonjë manifestim në varrim, njësitet e UÇK - së kishin zënë të gjitha rrugët dhe lartësitë. Vështirë ta përshkruash zemërimin e njerëzve ato ditë. Nuk ishte vetëm vrasja e një njeriu të pafajshëm, ishte humbja e shpresës që po kaplonte pak nga pak Kosovën. Më 1 tetor, me mijëra studentë kishin protestuar dhe qenë rrahur përdhunshëm në Prishtinë. Kosova po e humbiste besimin tek rezistenca paqësore.

Nuk dihet kush i pa i pari, por turma u hap më dysh duke krijuar një kanal në të cilin lëviznin ata të tre. Të njoftuar nga Musë Jashari, kishin mbërritur pikërisht në momentin më kulmor. Në vend të reagimit ra një heshtje varri, ndërsa Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi ecnin me hap ushtarak dhe me kallashnikovët në dorë, në formacion luftimi. Po shkonin drejt tribunës. Kishin veshur uniforma zvicerane, berreta të zeza. Stema e UÇK - së ende nuk ishte ajo që u pa më vonë. Por shqiponja e zezë në sfondin e kuq dallohej qartë. Rexhep Selimi kishte përgatitur një fjalim të shkurtër në orët e para të mëngjesit. 24 vjeçari njihej si poet, dhe me laps, me shkronja shtypi, kishte shkruar shprehjen:

“...tani duhet të themi MJAFT se ndryshe do të na mallkojë historia...”
Gazetarët u befasuan ndërsa turma nisi të brohorasë - UÇK, UÇK! Ishte thirrja e parë publike, e një emri që shumë shpejt do ndihej në të gjitha anët ku banonin shqiptarë dhe në gjithë protestat e tyre. Rexhep Selimi ishte i maskuar, ndërsa Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj, jo. Në një raport të së nesërmes, shtypi i Beogradit i identifikoi si fshatarë lokalë që banonin aty pranë.
Ndërsa trupi i mësuesit zbriste poshtë, në varr, tre ushtarët e UÇK - së lëshuan breshëritë e nderimit. Ishte dëshmori i parë që po nderohej me të shtëna armësh.

*Shkëputur nga biografia “Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi” me autorë gazetarët Blendi Fevziu dhe Baton Haxhiu, botuar në 2020-ën nga shtëpia botuese UETPRESS

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH