Letërsi

DORËSHKRIM/ Botim i UETPRESS: “Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi” - Deklarata që e përjetësoi në historinë e Kosovës

Shkruar nga Liberale

DORËSHKRIM/ Botim i UETPRESS: “Lufta e Kosovës dhe Hashim

Në ora 15.25 minuta, ai doli nga zyra e tij për në selinë e Parlamentit. Zyra e Kryeministrit, e Presidentit dhe selia e Parlamentit gjenden thuajse në të njëjtin kompleks qeveritar. I veshur me kostum gri dhe kravatë Bordo, Hashim Thaçi eci nëpër lulishten e vogël midis godinave, ndërsa nga qendra vinin ovacionet e mijëra e mijëra vetëve. Ishte 17 shkurt 2008, dita, kur Kosova do të shpallte më së fundmi, edhe zyrtarisht Pavarësinë.

Më 15:30 hyri në sallë. Asnjëherë, asnjë ceremoni apo event në Kosovë nuk kishte pasur atë solemnitet. Sytë e gjithë shqiptarëve ishin aty. CNN dhe BBC transmetonin live, për gjithë globin. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi e ftoi të lexojë Deklaratën e Pavarësisë.
Ai i hodhi ato pak hapa deri tek foltorja, me sytë në plate. Në të dalloheshin thuajse gjithë ata njerëz që prej vitesh kishin dhënë çfarë kishin mundur për atë vend.

Në qendër Rifat Jashari, njeriu i familjes së Adem Jasharit, që u masakrua 10 vjet më parë, duke u bërë një prej familjeve më martire në botë. Krejt i përlotur, mjekra e tij dridhej ndërsa Thaçi po ecte drejt podiumit. Më tutje qenë ulur pranë e pranë Rexhep Qosja me Adem Demaçin. Pas tyre, Sylejman Selimi, ish-shef i Shtabit të UÇK -së, në atë moment Komandanti i TMK – së. Pranë tij, gruaja e ish-presidentit Rugova, Fana dhe djali i tij, Mendimi. Gruaja e Rugovës ishte po ashtu e përlotur. Rugova kishte ndërruar jetë në janar 2006, dy vjet më parë. Ai nuk ishte më prezent në atë Parlament, por gjithsesi, me debatet pro dhe kundër, historia e Shtetit të ri të Kosovës do t’i rezervojë atij një vend krejt të veçantë.

Thaçi u vendos në foltore. Historia kishte qenë bujare me të. Edhe pse një dilemë nuk merr përgjigje kollaj. Nëse fati e kishte sjellë gjithnjë në momentin dhe vendin e duhur, apo Hashim Thaçi e kishte kërkuar vetë fatin e tij? Ishte ora 15.39, kur si Kryeministër i zgjedhur i Kosovës, ai shqiptoi frazën magjike:
“Ky Parlament, me vullnet të lirë, vendos që sot Kosova të jetë shtet i pavarur dhe sovran!”
Plateja u ndez nga duartrokitjet. Me 109 vota pro, Deklarata e Pavarësisë u aprovua. Kosova u shpall e pavarur!

Shënim

Pas çmilitarizimit të UÇK - së, Hashim Thaçi krijoi një formacion politik që e quajti Partia Demokratike e Kosovës. Ai humbi zgjedhjet e para të vitit 2000, si edhe ato pasuese të përgjithshme.
Në dhjetor 2007, PDK-ja e Hashim Thaçit fitoi zgjedhjet. Ai u bë Kryeministër i Kosovës nga viti 2007 deri më 2014.
Që nga viti 2016, u zgjodh President i Kosovës!
Më 24 qershor 2020, zyra e Prokurorisë së Posaçme deklaroi se kishte dorëzuar në Gjykatë akt-akuzën ndaj Hashim Thaçit, ku ai dhe drejtues të tjerë të UÇK-së akuzoheshin për krime lufte.
Më 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi dha dorëheqjen si President i Kosovës.
Po më 5 nëntor udhëtoi drejt Hagës, ku ka nisur një betejë ligjore për të vërtetuar pafajësinë e tij.

*Shkëputur nga biografia “Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi” me autorë gazetarët Blendi Fevziu dhe Baton Haxhiu, botuar në 2020-ën nga shtëpia botuese UETPRESS

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH