Më 24 mars 1999-të NATO nisi bombardimet për të ndalur dhunën e forcave serbe ndaj shqiptarëve. Sulmi i Aleancës zgjati 78 ditë dhe vlerësohet se 12 deri në 15 mijë njerëz u vranë, mes tyre shumë civilë. Për shqiptarët mbetet një ngjarje e rëndësishme pasi ndryshoi kursin e historisë. Kosova vijoi rrugën e shtetformimit dhe pavarësisë, të zyrtarizuar 9 vjet më vonë.
Bombardimet u paraprinë nga një sërë telefonatash dhe bisedimesh mes liderëve botërorë, me në krye presidentin amerikan Bill Clinton. Libri i i gazetarëve, Blendi Fevziu dhe Baton Haxhiu, “Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi”, i shkruar mbi bazën e rrëfimeve të protagonistëve dhe dokumenteve zyrtare të SHBA, Britanisë, Francës, Shqipërisë, Serbisë dhe Rusisë, e sjell më qartë ato ngjarje.
E ndërmjetme, 41 ditë më pas
Më 23 mars, në ora17:00 me orën e Uashingtonit, Presidenti Klinton u ul në tavolinën e Zyrës Ovale për një seri telefonatash. Sipas të dhënave që ruhen të deklasifikuara në librarinë “Bill Clinton”, ai foli atë mbasdite me 11 liderë botërorë, përfshi drejtuesit e vendeve të NATO – s që do të merrnin pjesë në fushatë. Po sipas këtyre të dhënave, telefonata më e gjatë është ajo me Toni Bler, që ka zgjatur plot 21 minuta. Në një moment ai i shpreh Blerit gjithë dilemat e tij: “ Ne mund të humbasim çdo gjë që arritëm në Bosnje, por nuk ka asnjë opsion tjetër. Nëse ne nuk do ndërhynim, ai thjesht do t’i spastronte ata, do t’i nxirrte jashtë. Do vriste shumë njerëz dhe do bënte plot gjëra të këqija.”
Dokumentet tregojnë se deri në momentin e fundit, Klinton shpresoi se Millosheviçi do të ndryshonte mendim, edhe pse kishte bindjen se ai nuk ishte një lider normal, siç i tregon Blerit: “Shpresoj që Millosheviçi do të gjejë një rrugëdalje. Ai e krahason veten me kohën e Perandorisë Osmane. Siç ata e ndaluan atë në Bosnje edhe ai beson se i qëndron në këmbë përballë, Perandorisë së Perëndimit. Ai është i çmendur!” Por Klinton kishte edhe një tjetër shqetësim që e përsëriti në telefonatat me gjithë liderët e tjerë evropianë. Duke bërë një krahasim me Luftën e Gjirit ndaj Irakut më 1991, Klinton shprehet: “Ata kanë mbrojtje kundërajrore më të mirë sesa irakenët dhe ne kemi në afërsi forca që janë të kërcënuara. Bombardimet janë të vështira, por përfitimi prej tyre është shumë i madh.”
Pak më vonë ai telefonoi Kancelarin Gjerman Shrëder. Me të, Presidenti Amerikan ishte më konkret në shqetësimin e tij. Biseda mes tyre e deklasifikuar një vit më parë, është kjo: “Klinton: Faleminderit. Por më lini t’ju kujtoj edhe një gjë tjetër. Unë mendoj se ka shanse teorike që Millosheviçi të sulmojë forcat e NATO - s në Bosnjë me raketa. Shrëder: Po ka me çfarë t’i sulmojë trupat e NATO - s në Bosnje? Klinton: Po, me raketat Frog mund ta bëjë këtë. Shrëder, A po, ju po flisni për raketat ruse Frog .”
Të njëjtën situatë Klinton e sqaron edhe me Presidentin Francez Shirak, me të cilin, për arsye të raporteve të afërta serbo - franceze, jep edhe disa detaje më shumë: “Zhak, kur ne folëm më parë, diskutuam mundësinë e pasjes së një faze të parë, të nxjerrjes jashtë pune të sistemit të mbrojtjes ajrore dhe më pas, të bënim një pauzë, për ta kthyer Millosheviçin në bisedimet e paqes dhe tek Marrëveshja. Por ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të mos pasur një pauzë shumë të gjatë. Sepse ai ka 40 mijë forca në kufirin me Kosovën dhe së paku 300 tanke.” Sipas të dhënave, Klinton i mbaroi telefonatat rreth orës 18:55.
Në Evropë ishte 1 pas mesnate, e datës 24 mars. Pak orë më pas, Hollbruk telefonoi Bardhyl Mahmutin dhe Ramadan Avdiun, dy pikat e kontaktit të UÇK - së: “Bombardimet mund të fillojnë së shpejti!” – u tha ai. Mahmuti dhe Avdiu e prisnin këtë telefonatë. Por ata nuk e njoftuan dot Thaçin. Kishin frikë se telefonatat mund të interceptoheshin nga Shërbimi Sekret Serb dhe zbulohej vendndodhja e tij. Edhe pse, as ata nuk e dinin me saktësi se ku ndodhej; në cilën zonë të kufirit, brenda apo jashtë Kosovës? Thaçi kishte marrë masat e veta. Nuk kishte asnjë pajisje elektronike me vete. Ai qe njoftuar se telefonat e tyre përgjoheshin nga rusët dhe ata mund t›u jepnin shpejt serbëve koordinata të sakta.
Rreth orës 19:00 të po asaj dite, Havier Solana firmosi Urdhërin për Veprim: “Tani është koha për veprim, ne duhet të ndalojmë dhunën dhe katastrofën humanitare që po kryhet aktualisht në Kosovë. Kjo është detyre morale!” - deklaroi ai. Më 24 mars 1999, Shtëpia e Bardhë i kërkoi të gjitha mediave të siguronin hapësirë të lirë për fjalimin e Presidentit. Kjo ishte një traditë e hershme dhe do të thoshte se Amerika po hynte në luftë. Klintoni u shfaq përpara amerikanëve në ora 16:20 me orën e Uashingtonit dhe 22:20 me të Evropës, pak pasi bombat e para kishin rënë në territorin Jugosllav. Me një kravatë blu të çelur dhe me një pamje tejet serioze, ai mbajti një fjalim të hapur, që zgjati 7 minuta e 22 sekonda. Fjalimi ishte tejet impresionues. Klinton e mbylli me fjalët: “Ne duam të shpëtojmë jetë të pafajshme, sepse fëmijët tanë meritojnë një Evropë të lirë. Mendimet dhe lutjet tona janë me burrat dhe gratë që janë në këtë mision për vlerat dhe të ardhmen e fëmijëve. Zoti i bekoftë ata. Zoti e bekoftë Amerikën!”
Po më 24 mars, në edicionin qendror të lajmeve në ora 19:30, edhe Sllobodan Millosheviçi u shfaq përpara kombit. Fjalimi i tij ishte i ashpër, refuzues dhe paralajmëronte spastrimin etnik që do të tentohej vetëm pak orë më pas. Në ora 20:00, folësja Besa Çeku, e transmetimit satelitor të TVSH - së që ndiqej në Kosovë, dha lajmin se bombardimet priteshin nga minuta në minutë. Kosova ishte e gjitha e elektrizuar.
Kryeministri Rus Primakov, që po udhëtonte për një vizitë zyrtare në Uashington, vendosi të kthejë mbrapsht avionin e tij kur mësoi për Urdhërin. Ai sapo ishte nisur nga aeroporti “Shannon” në Irlandë, kur Al Gore e njoftoi për këtë gjë. Primakov u kërkoi pilotëve të tij të marrin kursin mbrapsht për në Moskë. Kjo ishte protesta e vetme Ruse. Pak minuta më vonë, Boris Jelcin mori në telefon Presidentin Amerikan Bill Klinton. Në kujtimet e tij Jelcin shkruan se Klinton ishte shumë i prerë dhe i vendosur: ”Në Evropë po derdhet gjak, 250 mijë refugjatë kanë braktisur Kosovën. Nëse kjo nuk ndalet, atëherë do të ketë edhe 2.5 milionë refugjatë të tjerë. Pas kësaj mund të kemi një Bosnje të re. Millosheviçi është përgjegjës për këtë!” Mbrëmjen e datës 24 mars, në të gjithë Kosovën u ndërpre energjia elektrike. Po atë mbrëmje, afër mesnatës, Kryeministri shqiptar Pandeli Majko thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të Kabinetit Qeveritar. Bombat e para u dëgjuan rreth orës 19:45.
Hashim Thaçi nuk di ta thotë me saktësi nëse ai realisht e dëgjoi gjëmimin e bombës së parë të NATO - s mbi ish-Jugosllavi, apo ishte thjesht një iluzion. Ai kishte pak informacione atë natë, por kishte arritur ta kuptonte se furtuna që ishte ndezur, do të ndryshonte në mënyrë rrënjësore çdo gjë. Befas, kriza e shqiptarëve ishte kthyer në një krizë globale. Për herë të parë ata ishin në qendër të vëmendjes së politikës dhe medias botërore. Por lideri Politik i UÇK – së, kishte të tjera shqetësime atë natë. Ai donte të hynte sa më parë në Kosovë. Në atë Kosovë, ku ai besonte dhe ishte i bindur se djali i tij, që pritej të vinte në jetë po atë muaj, do të rritej shumë ndryshe nga ai dhe babai i tij. Koha e Kosovës kishte ardhur, por për të mbërritur deri këtu, kishin kaluar thuajse 10 vite të vështirë dhe të përgjakur...