Preç Zogaj
Kishte një lajm shumë të mirë kësaj jave: Rikthimin në punë, pas një ndërprerjeje dy mujore, të ekspertëve amerikanë që asistojnë SPAK dhe GJKKO.
Shqiptarët që nuk duan rikthimin e pandëshkueshmërisë në sferat e larta kanë arsye të ndihen të qetë. Prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e GJKKO kanë arsye të ndihen edhe më të inkurajuar.
Duhet të kujtojmë se me t’u istaluar në pushtet në janar të këtij viti administrata e re e presidentit Tramp pezulloi për një periudhë tremujore të gjitha programet e ndihmës dhe asistencës amerikane në botë me qëllim verifikimin e efikasitetit dhe dobisë së tyre në raport me prioritetet e saj. Sekretari i Shtetit, Marko Rubio, kishte njoftuar se programet që do ta kalonin provën do të aktivizohen automatikisht. Të tjerët do të mbyllen ose ristrukturohen. Logjike gjithçka.
SPAK dhe drejtësia e re në vendin tonë e kaluan klasën pa u mbushur tre muaj. Në Uashington ishte kuptuar disa javë më parë se nuk kishte dilema për misionin dhe punën e tyre. Tani u bë krejt e qartë se mbështetja e tyre do të vazhdojë si më parë. Madje do të jetë më e fortë.
Ky zhvillim i ri vërteton sërish se patronazhi amerikan në mbështetje të drejtësisë së re ka qenë dhe është bipartizan. Pra edhe nga demokratët, edhe nga republikanët. Por është me domëthënës kësaj radhe. Kuptohet përse.
Armiqtë e drejtësisë së re, që shtohen në proporcion të drejtë me numrin e të hetuarve dhe të dënuarve, i kanë bërë duart gjak nga fërkimi këto dy muaj, duke festuar, ndjellë e parashikuar stakimin e prizës amerikane, braktisjen e SPAK nga SHBA. Kasandrat e keqkuptuara që referojnë ëndrra dhe dëshira në hava duhet të regjistrojnë një tjetër dështim të basteve të tyre.
Në të vertetë “ trampizmi” ka shënuar gjatë këtyre muajve rekorde të papara të keqkuptimit në Tiranë. Mu sikur agjenda politike me të cilën Tramp fitoi zgjedhjet për të drejtuar superfuqinë e botës të ishte gatuar me horizontin, frustrimet dhe problemet vetjake të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të fshatit tonë politik në hetim, të hetuar, në gjykim apo të gjykuar, të sanksionuar apo kandidatë për t’u sanksionuar. Formati i keqkuptimeve në nivelet e larta shumëfishohet në trajta krijuese të llojllojshme te fansat trushplarë poshtë. Eshtë një libër tragjikomik më vete.
Asgjë e re, asgjë për t’u habitur. Zvogëlimi i SHBA-ve ka qenë dhe është horizonti i tyre.
Por ora e takimit me të vërtetën vjen.
E vërteta e fundit është se amerikanët u rikthyen. Të nesërmen e kësaj dite, si në një replikë me kthimin e ekspertëve amerikanë, kryetari i PD-së, Sali Berisha, ia faturoi sërish reformën në drejtësi Sorosit. Me shpresë se do të mund të ndërsejë Tramp kundër një vepre “djallëzore” të armikut të tij, apo për t’i dhënë një justifikim “parimor” premtimit (të pamundur) për shkrirjen e SPAK, apo për të shtuar ndonjë votë nga radhët e socialistëve të goditur që nuk po ia gjejnë anën SPAK, apo kush e merr vesh çka i thotë mendja që ngulmon në një opsion pakicë në elektoratin shqiptar.
Historia përsëritet. Në vitin 2017 kur Tramp po ‘nusëronte’ për herë të parë, PD bëri të njëjtën gjë. E paditi në Uashington reformën që kishte votuar vetë si vepër të Sorosit. Se cili ishte qëndrimi i administratës Tramp 1 për reformën e “armikut” Soros e dimë. Ambasadori Donald Lu shtyu me forcë ngritjen mes shumë pengesash nga opozita të institucioneve të drejtësisë se re. Ambasadorja pasuese, Juri Kim, e emëruar nga Donald Tramp, mbështeti fort vënien e tyre në punë.
Njerëzit e Tramp e kanë verifikuar dy herë bashkautorësinë amerikane, europiane dhe shqiptare për reformën në drejtësi. Prej nga ka dalë se lindi si një reformë ‘sui generis’, me disa dispozita në limitet e ligjshmërisë perëndimore, por nuk kishte rrugë tjetër për të luftuar pandëshkueshmërinë në sistem dhe një elitë mbi ligjin në Shqipëri. Përsëritja e së njëjtës intrigë në këto kushte është të zvogëlosh dhe fyesh SHBA-të, Presidentin e saj. Nuk po shtoj këtu ish-kancelaren Merkel dhe një mori kryeministrash e zyrtarësh të lartë europianë dje dhe sot, që e kanë mbështetur dhe vazhdojnë ta mbështesin fort drejtësinë e re. Nuk po shtoj faktin tjetër se është bilanci i SPAK shtytja më e fuqishme e vendit tonë për t’u bërë anëtarë të BE-së. Reforma mund të rishikohet për disa përcaktime të tejkaluara nga vetë suksesi i saj, por shtyllat e saj nuk mund të preken.
Çdo kush është në të drejtën e zotit të mbrojë veten nga akuzat. Por të shohësh botën e madhe me lentën e hallit personal është ta zvogëlosh ose ta shohësh atë si struci.