Ervis Iljazaj
Palët politike shqiptare, por edhe opinioni publik e priste një qëndrim të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë për zgjedhjet e 11 Majit. Është një traditë e tranzicionit shqiptar që sa herë që ka një kontestim midis politikës pritet vendimi apo qëndrimi i “arbitrit” , rol të cilin e ka luajtur ShBA në Shqipëri. Mirë apo keq ky është një diskutim tjetër, por nuk mund të mohojmë se qëndrimet e ShBA kanë luajtur rolin e legjitimuesit të proceseve të caktuara politike në vendin tonë.
Sidomos këtë qëndrim e priste Partia Demokratike, me shpresën se ShBA do të ngrinte shqetësime për procesin zgjedhor në Shqipëri, ashtu sikurse pretendon PD. Mirëpo qëndrimi erdhi ditën e djeshme, i ftohtë akull dhe pa ngjyra si rrallë herë më parë.
Një mesazh me dy fjali, por brenda kishte një qëndrim të fortë. Jo për procesin zgjedhor, por për vetë rolin e ShBA në proceset e brendshme politike në Shqipëri. Me pak fjalë, Shtetet e Bashkuara nëpërmjet Ambasadës në Tiranë i bënë të ditur politikës dhe opinionin publik shqiptar se nuk mbajnë më qëndrime për politikën e brendshme shqiptare dhe nuk janë më të interesuara për këtë gjë. E vetmja gjë që bënë me atë mesazh, është fakti se theksuan edhe njëherë se raporti midis popullit amerikan dhe shqiptar do të vazhdojnë ashtu sikurse kanë qenë, por pak interes kanë për një palë apo një palë tjetër politike. Në fakt, në atë mesazh nuk përmendej as Edi Rama dhe as Sali Berisha, por vetëm populli shqiptar.
Ambasada Amerikane nëpërmjet atij mesazhi i tha politikës shqiptare se nuk është më interesuar të luajë rolin e arbitrit ashtu sikurse e ka bërë për 35 vite me radhë dhe se çështjet e brendshme duhet t’i zgjidhim vetë. Nuk dihet nëse tërheqja e ’’arbitrit’’ nga proceset politike shqiptare është një lajm i mirë apo i keq për Shqipërinë, por gjithsesi tashmë është fakt.
Shtetet e Bashkuara që kemi njohur ne në 35 vite dhe bota në 70 vitet e fundit nuk ekzistojnë më; sot kemi të bëjmë me një Amerikë tjetër. Një Amerikë që është tërhequr nga roli i “policit” të botës dhe shikon vetëm interesat e saj. Ose më saktë, e bënë këtë rol atje ku ajo ka interesa imediate sipas filozofisë së administratës Trump.
E njëjta gjë po ndodh edhe në Kosovë, ku në ngërçin politik dhe instuticional të saj nuk ka asnjë reagim të Ambasadës Amerikane për këtë gjë. Duket qartë se ka një filozofi të re të politikës së jashtme amerikane në Rajon, sidomos në vendet tona ku jemi mësuar me qëndrimet e tyre për politikën e brendshme.
Me shumë mundësi Edi Rama kishte shpresuar për një urim për të personalisht, pork jo nuk ndodhi. Po ashtu Berisha dhe PD prej shumë ditësh u përpoqën ti mbushnin mendjen shqiptarëve se Amerika nuk ka folur dhe në këtë mënyrë nuk i ka legjitmuar zgjedhjet. Mirëpo edhe këta u zhgënjyen sepse Ambasada Amerikane në Tiranë i uroi shqiptarët për këtë proces , që do të thotë se e ka njohur atë.
Tashmë kemi të bëjmë me një ambasadë më neutrale dhe që ndërhyn pak në çështjet tona, gjë e cila do të kënaqë shumë nga njerëzit publik në Shqipëri të kanë vite që kërkojnë pikërisht këtë gjë, mospërfshirjen e saj në politikën e brendshme.