Ervis Iljazaj
Një nga elementët kuriozë të zgjedhjeve të 11 majit ishte rezultati që do të kishin partitë e reja. Ishte krjijuar një frymë pozitive rreth tyre e cila nuk u perkthye ashtu sikundër pritej në rezultat elektoral. Gjithsesi në parlamentin e ardhshëm partitë e reja si Shqipëria Bëhet, Lëvizja e Bashkë dhe Mundësia do të kenë 4 deputetë. Nuk është rezultat i keq pavarësisht se pritshmëritë ishin më të larta. Duke parë bipolaritetin politik shqiptar PS-PD, dhe duke parë që kjo ishte hera e parë që këto parti merrnin pjesë në zgjedhje parlamentare, rezultati ishte i kënaqshëm. Këto parti tashmë kanë shansin më të mirë për të provuar në parlament se nuk ishin thjeshtë një rastësi, por se rrugëtimin e tyre në politikë e kanë seriozisht dhe afatgjatë.
Ato prodhuna diku te 140 mijë vota se bashku. Vota të cilat përfaqësojnë njerëz që nuk iu bindën diktatit të partive të mëdha, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Në këtë kuptim, mund të konsiderohen vota cilësore dhe që i bëjnë mirë demokracisë shqiptare.
Pyetja që duhet ngritur është fakti nëse ky është fillimi i fundit i binomit Rama-Berisha në politikë, apo ky rezultat ishte thjeshtë një kontekst i momentit. Për shumë vite me radhë politika shqiptare ka qenë bi-polare dhe është zotëruar prej këtyre partive. Edhe partitë e reja që kanë dalë në skenën shqiptare kanë dalë prej tyre.
Në 11 Maj situata është pak më ndryshe. Parti të cilat nuk kanë lidhje as me PD dhe as PS arritën të përfaqësohen në parlament. A e kthen kjo situatë politikën shqiptare në tri polare?
Verdikti i qytetarëve shqiptarë ishte i qartë. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike vazhdojnë të jenë partitë kryesore në Shqipëri. Të gjitha partitë e vogla tradicionale të tranzicionit shqiptar patën një rezultat të keq. Ndoshta këto ishin zgjedhjet e fundit që ato marrin pjesë. I vetmi mesazh elektoral që u dha në 11 maj përtej PS dhe PD ishin votat për partitë e reja duke treguar se në Shqipëri ka ende elektorat që kërkon një ndryshim përtej traditës politike. Se si do të jetë rrugëtimi i tyre mbetet për t’u parë, por fakti është se terren për to ka në shoqërinë shqiptare.
Gjithsesi, edhe pse vetëm me katër mandate, partitë e reja mbeten forca e tretë politike në Shqipëri pas Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, dhe kjo nuk është një arritje e vogël. Sfida e partive të reja në Shqipëri në këto 35 vite tranzicion ka qenë pikërisht rezistenca. Shpesh herë ato kanë marrë pjesë në garë lektorale dhe më pas e kanë mbyllur aktivitetin e politik.
E pikërisht rezistenca dhe vazhdimësia është edhe sfida e partive të reja që do të përfaqësohen në parlamentin e ardhshëm. Nëse do të dinë të sillen politikisht, nëse do të përdorin strategji të duhura politike dhe retorikën e duhur, me shumë gjasa shpejt politika shqiptare do të ketë tre pole dhe jo dy siç ka patur për dekada me radhë. Në këtë kuptim, kushtet për rinkonfigurimin e sistemit politik ekzistojnë. Mbetet vetëm që ato të shfrytëzohen siç duhet nga këto parti.