Letërsi

“Ata që mbijetuan” nga Armand Bora, promovohet botimi i dhjetë i Çmimit Letrar Kadare

Shkruar nga Liberale

“Ata që mbijetuan” nga Armand Bora, promovohet botimi i

Vepra fituese e Çmimit Letrar Kadare 2025 është botimi më i ri i shtëpisë botuese UETPRESS. “Ata që mbijetuan”, triptiku me drama i autorit Armand Bora, pasuron kështu fondin e letërsisë shqipe dhe bibliotekën e çdo lexuesi të këtij zhanri letrar.
Libri do të promovohet mesditën e së mërkurës së 2 prillit, në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, duke bërë bashkë shkrimtarë e krijues, anëtarë të jurisë dhe fitues të Çmimit Kadare ndër vite, personalitete të botës letrare dhe jo vetëm.

Siç është tradita dhjetëvjeçare e Çmimeve Kadare, përveç veprës tashmë të botuar, gjatë promovimit autorit do t’i dorëzohet edhe çmimi, në “përballjen” e tij zyrtare me jurinë.

Vepra fituese e Çmimit Kadare 2025 u shpall më 23 shkurt, gjatë aktiviteteve të Shkollës së Humaniteteve në Llogara. Juria e përbërë nga tre breza shkrimtarësh, fitues ndër vite të këtij çmimi, Vera Bekteshi, Loer Kume dhe Dionis Prifti, vlerësuan dramat e Armand Borës për risitë stilistikore dhe vlerat e qëndrueshme estetike.
“...me anë të ndërtimit të personazheve autentikë, sjell evokimin e së kaluarës, duke përcjellë mesazhe në realitetin e sotëm”, specifikonte ndër të tjera juria në mortivacion.

"Ata hyjnë pa trokitur", "Udha e qumështit" dhe "Domino në burgator", të cilat autori i sjell nën titullin "Ata që mbijetuan", trajton të jetuarit në komunizëm mes frikës, dhunës dhe torturës psikologjike që duhet të kalonte çdo ditë një njeri i thjeshtë, i rrethuar nga censura dhe vetë censura, gjykimi dhe vetëgjykimi. Kjo marrëdhënie e shtetit me individin e shtyu Borën ta bënte atë temë të teatrit, përmes një qasjeje krejt ndryshe, të pa hasur më parë e me personazhe të pa trajtuar në letërsi.

Çmimi Letrar Kadare akordohet prej vitit 2014 nga enti juridik Instituti Liberal Pashko, me mbështetjen e partnereve të tjerë, shtëpisë botuese UET PRESS, Departamentit të Arteve të Aplikuara në Universitetin Europian të Tiranës dhe Gazeta Liberale. Autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e diaspora, të moshave, gjinive, përkatësive dhe zhanreve të ndryshme në prozë, janë bërë fitues të këtij çmimi që nxit dhe promovon të shkruarit shqip.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH