Shëndeti mendor po shihet gjithnjë e më shumë si sfida e heshtur e kohëve moderne, veçanërisht mes të rinjve. Një raport i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka ngritur alarmin, duke treguar se rreth 17% e popullsisë në Europë, përfshirë edhe Shqipërinë, përballet me probleme të shëndetit mendor.
Psikiatër dhe psikologë prej vitesh flasin për një epidemi që prek kryesisht adoleshentët, të rinjtë dhe të moshuarit, duke përfshirë simptoma si ankthi, çrregullimet e humorit dhe depresioni. Statistikat janë shqetësuese: 1 në 6 persona jeton me një problem të shëndetit mendor, ndërsa 1 në 3 nuk trajtohet fare.
Pandemia e COVID-19 ka përkeqësuar gjendjen, me një rritje të ndjeshme të rasteve, ndërsa rrjetet sociale po shihen si faktor ndikues për rreth 11% të adoleshentëve që shfaqin shqetësime të rënda. E veçanta është se 25% e vajzave 15-vjeçare ndihen të vetmuara, ashtu si 1 në 4 persona mbi 60 vjeç.
Ekspertët kërkojnë që shëndeti mendor të vendoset në qendër të politikave shëndetësore, me më shumë mbështetje institucionale dhe ndërhyrje të hershme për të shmangur përkeqësimin e situatës. Vetmia, presioni social dhe mungesa e mbështetjes psikologjike po i kthejnë sfidat mendore në një krizë të mirëfilltë shëndetësore.