Sindikatat përshpejtojnë dorëheqjen e qeverisë Nano
Me protagonizmin dhe figurën e mirë që po bënte grupi parlamentar në aulën e Parlamentit, PD po jepte tonin. Por ndodhi një çudi. Oborri i saj filloi të rrallohej gjersa u shkretua fare. Ishim opozitë. Normalisht duhej të prisnim edhe katër vjet të tjera për të provuar shansin. Pranvera kishte shpërthyer, qershitë kishin çelur, gruri në ara po lidhte kallza të njoma, orakujt e përmbysjes së shpejtë politike po bënin emër në Kuvend me propozimet dhe diskutimet e tyre brilante.
Ndoshta po i harronin parashikimet dhe përbetimet e natës së 31 marsit.
Sali Berisha, të cilin e gjeja shpesh vetëm në zyrën e tij, e kishte gjetur ilaçin për t’i bërë ballë shkretimit e mbajtur gjallë shpresën e tij. Ndërsa e kishte mbyllur kapitullin e zgjedhjeve, duke shkruar një artikull me titullin domethënës “Zgjedhjet përfunduan”, kishte filluar ndërkohë të besonte se nuk do të prisnim katër vjet për të parë rrotullën e fatit të kthehej. I kishte thënë një burrë i urtë: “Kur kositen livadhet, kreshat bien vetë”. Ua përsëriste shpesh këtë shprehje atyre që nuk e kishin braktisur akoma anijen e partisë. Si të donte t’u jepte zemër. “Tani që kemi fituar qytetet e mëdha, fitorja jonë është e afërt dhe e sigurt”. Nuk kishte të dhëna ma merr mendja se ç’po përgatisin individë dhe faktorë të tjerë opozitarë për të rrëzuar qeverinë “Nano”.
Besonte se qeverinë do ta siluronte kriza e bukës, ushqimit dhe rrogave, ndërsa asnjë vend i Europës nuk do të donte ta ndihmonte. Edhe po të liheshin të qetë në punën e tyre, komunistët nuk e tërhiqnin dot parmendën. Shumë shpejt do të ndërgjegjësoheshin, në mos ishin ndërgjegjësuar se kishin korrur një fitore si të Pirros që nuk i vlente kurrkujt. Dashje pa dashje do të detyroheshin të hiqnin dorë prej saj në dallgën më të parë serioze të pakënaqësisë popullore. Në këto kushte demokratët në opozitë duhej të ishin gati për të mos e lënë iniciativën në duar të tjera.
Për të përshpejtuar kohën e ndryshimeve kishte menduar Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, një federatë sindikaliste e fuqishme antikomuniste me shtrirje në sektorët kryesorë të industrisë dhe në shumicën e minierave të vendit. Krerët e këtij bashkimi sindikalist, Eqrem Kavaja, Gëzim Kalaja, e tjerë kishin shtrënguar një lidhje të veçantë me Spartak Ngjelën, ish të burgosurin e pakënaqur me PD-në. Ky i tyre ishte si bashkimi i barutit me detonatorin. Qëllimi i tyre i përbashkët ishte tua zinin fitoren në grykë komunistëve dhe të mos e linin qeverinë e Fatos Nanos të qeveriste. Sipas shënimeve që ka shkruar në vëllimin e tij të tretë me kujtime dhe refleksione “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, Ngjela dhe miqtë e tij sindikalistë mendonin se PD ishte për ruajtjen e gjendjes që kishin prodhuar zgjedhjet e 31 marsit, ndaj “duhej krijuar një formë e re përplasjeje që ta fillonte ngjarjen demokratike nga e para”. Forma e re ishte dalja në skenë e sindikalizmit të ri antikomunist, sipas shembullit të organizatës së famshme “Solidarnost” në Poloni.
Analogjitë nuk mungonin, përfshirë hollësinë se Eqerem Kavaja, ish i burgosur politik, kishte profesionin e elektricist, njëlloj si ish kreu i Solidarnosit, Lech Valesa. E vetmja gjë që nuk kuadronte në ketë përqasje ishte faktori kohë. “Solidanost” kishte dalë në skenë disa vite para ndryshimeve demokratike në Poloni.
Faktori kohë kishte qenë dhe mbetej vendimtar edhe për rankingun e forcave antikomuniste në Shqipëri. Një parti e djathtë, mjaft intelektuale siç ishte Partia Republikane e Sabri Godos, dukej se ishte dënuar të mbetej e vogël përgjithmonë pikërisht për shkak të daljes në skenë disa ditë pas themelimit të PD-së. Shpërthimi i ri sikur ishte ngjizur një çast në partinë e parë, duke lënë shumë pak lëndë për të dytën. Sidoqoftë, sindikatat e pavarura shqiptare e kishin marrë vendimin e tyre. Profecitë e Gramoz Pashkos së qeveria do të rrëzohej me pjekjen e qershive reflektonin informacionet që ai kishte marrë nga miku i tij, Spartak Ngjela.
Në datën 16 maj, pa u mbushur një javë nga votimi në Kuvend i qeverisë “Nano 2”, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura shpalli një grevë të përgjithshme me shtatëmbëdhjetë kërkesa ekonomike dhe politike. Kërkohej rrija e pagave dhe pensioneve, garantimi nga qeveria i tollonave të ushqimit, miratimi i ligjit për kontratat kolektive të punës, demaskimi i krimeve të diktaturës, shkrirja e organizatave të Partisë së Punës në ndërmarrje…Sipas një komunikate që lëshuan krerët sindikalistë, rreth dyqind e pesëdhjetë mijë punonjës në mbarë vendin ndërprenë punën. Nuk ishte e vështirë të kuptohej se në rrethanat e falimentimit të ekonomisë së planifikuar socialiste dhe paralizës që kishte mbërthyer shumicën e ndërmarrjeve të vendit, kërkesat ekonomike të sindikalistëve antikomunistë ishin një casus belli për të imponuar dorëheqjen qeverisë së Fatos Nanos. Ky e kishte kuptuar prapavijën e qartë politike të grevave dhe nuk harxhoi kohë për të negociuar me drejtuesit e tyre.
*Shkëputur nga libri i publicistit Preç Zogaj, “FILLIMET, ngjarje, dëshmi, kronikë, refleksione nga vitet ‘90-’92”, botuar nga UETPRESS