Aktori legjendar Michael Douglas ka shpjeguar arsyet e tij për të marrë një "pushim" nga aktrimi, duke deklaruar se nuk ka "asnjë qëllim të vërtetë " për t'u rikthyer në aktrim.
Gjatë një konference për shtyp në Festivalin e Filmit në Karlovy Vary, Douglas u shpreh:
"Nuk kam punuar që nga viti 2022, me qëllim, sepse e kuptova se duhej të ndalesha. Kam punuar për gati 60 vjet dhe nuk doja të isha një nga ata aktorë që vdesin në shesh xhirimi. Kështu që jam shumë i lumtur që po e marr kohën time. Nuk kam asnjë qëllim të vërtetë të kthehem. Them se nuk jam në pension, sepse nëse do të dilte diçka e veçantë, do të kthehesha. Por përndryshe, jam shumë i lumtur që e shoh gruan time duke punuar ."
Aktori i famshëm dhe Catherine Zeta-Jones janë një nga çiftet më jetëgjatë në Hollywood. Lidhja e tyre filloi në mars të vitit 1999 dhe u vulos me një martesë më 18 nëntor 2000 në hotelin ikonik Plaza në New York. Ata kanë dy fëmijë së bashku, Dylan dhe Carys Zeta. Një fakt i dukshëm me të cilin ata shpesh tallen në intervistat e tyre është se kanë të njëjtën ditëlindje, megjithëse me 25 vjet diferencë.
"Catherine është 25 vjet më e re se unë. Ajo është shumë e zënë tani ", ka thënë Douglas.
" Dhe mendoj se në frymën e ruajtjes së një martese të mirë, jam i lumtur të luaj rolin e burrit ", shtoi ai.
Diku tjetër në intervistë, ai zbuloi një projekt që i kishte zgjuar interesin, sipas The Hollywood Reporter. " Kam një film të vogël të pavarur për të cilin po përpiqem të gjej një skenar të mirë, por kaq është ", tha ai pa dhënë detaje të mëtejshme.
Aktori veteran ishte në Festivalin e Filmit në Karlovy Vary të këtij viti për t'i prezantuar publikut një version të restauruar të filmit ikonik të vitit 1975 "One Flew Over the Cuckoo's Nest", me regji të regjisorit fitues të çmimit Oscar, Milos Forman, i cili këtë vit feston 50-vjetorin e tij. Ai ishte një nga producentët e filmit legjendar, me protagonist Jack Nicholson, i cili fitoi çmimin Oscar për Aktorin më të Mirë, ndërsa filmi fitoi katër statuja të tjera në kategoritë e Filmit më të Mirë, Regjisorit, Skenarit dhe Aktores më të Mirë.