Kosova

Zjarret përfshijnë dhe disa zona të Kosovës, 12 vatra ende aktive

Shkruar nga Liberale.al

Zjarret përfshijnë dhe disa zona të Kosovës, 12 vatra ende

Kosova po përballet me një valë të rrezikshme zjarresh, të nxitura nga temperaturat e larta dhe erërat e forta. Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur se vetëm në 8 orët e fundit janë regjistruar 29 vatra zjarri në disa zona të vendit.

Sipas njoftimit zyrtar, 17 prej këtyre zjarreve tashmë janë vënë nën kontroll, ndërsa 12 të tjera mbeten ende aktive dhe po përhapen me shpejtësi.

Agjencia u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos ndezin zjarre në ambientet e jashtme. Në rast zjarrvëniesh, qytetarët duhet të kontaktojnë menjëherë shërbimet emergjente përmes numrave 112, 193 dhe 192.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka konfirmuar se disa fshatra të kësaj komune janë përfshirë nga zjarret. Ai ka bërë thirrje për ndihmë urgjente në zonën Dubravë – Sallagrazhdë – Mushtisht, ku situata paraqitet serioze.

Kjo nuk është hera e parë që vendi përballet me një numër të madh vatrash zjarri. Vetëm një ditë më parë, Agjencia raportoi për 23 zjarre, nga të cilat 7 ishin ende aktive deri në orën 15:00.

Shumica e këtyre zjarreve, sipas autoriteteve, dyshohet se shkaktohen nga faktori njeri.

Përmasat e dëmeve ende nuk janë të qarta, por në rrjetet sociale janë shpërndarë pamje të shumta ku shihen fusha të tëra me grurë që digjen nga flakët. Sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), gjatë vitit 2024 në Kosovë janë regjistruar 94 zjarre, të cilat kanë djegur mbi 12 mijë hektarë pyje dhe shkurre.

Liberale Newsroom

A duhet të ishin porositur më herët helikopterë për menaxhimin e zjarreve, në vend të investimit për satelitët “Albania 1” dhe “Albania2”

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH