Letërsi

“Fillimet” nga Preç Zogaj, botim i UETPRESS/ Nga refuzimi te balotazhi me Meksin, si Berisha mori drejtimin e PD-së

Shkruar nga Liberale

“Fillimet” nga Preç Zogaj, botim i UETPRESS/ Nga refuzimi te

Zgjedhja e Sali Berishës kryetar i PD-së

Dy ditë më vonë, në 13 shkurt, në pallatin e kulturës u mbajt mbledhja e zgjeruar e aktivit të parë të PD-së. Merrnin pjesë kryetarët dhe sekretarët e degëve të rretheve, anëtarët e Komisonit Nismëtar dhe një numër intelektualësh me emër nga kryeqyteti që ishin anëtarësuar ndërkohë në PD ose po e mbështesnin fuqishëm atë nga jashtë, si Neritan Ceka, Shahin Kadare, Abdi Baleta, Rustem Gjata, Rexhep Uka, e tjerë. Ishte prekëse të shihje të ardhurit nga rrethet të prezantoheshim pa ndërmjetësim, të shtërngonin duart e të përqafoheshin me entuziazëm me njëri tjetrin. Secili prej tyre po njihte fuqinë e re të bashkimit në një Parti të re që ishte shtrirë shumë shpejt në gjithë territorin e vendit. Por ndërsa ata të rretheve dhe rishtarët nga Tirana po jetonin në këtë emocion, anëtarët e Komisionit Nismëtar nuk kishin arritur t’i mbyllnin krisjet mes tyre.

Fytyra e ngrysur e Azemit dhe lëndimi i akullt i atyre që e kishin kundërvotuar por ishin shtërnguar të tërhiqnin votimin, tradhëtonin një gjendje opake, të thyeshme, të mbarsur me zemërim. Nën drejtimin e Eduard Selamit, mbledhja po vijonte realtivisht e qetë, kur Azemin që kishte premtuar të mos ndihej, e lëshuan nervat. I skuqur flake, u ngrit dhe denoncoi një puç kundër tij dhe Partisë Demokratike nga një pjesë e anëtarëve të Komisionit Nismëtar. I përmendi me emër kundërvotuesit e tij, duke i sulmuar ashpër me fjalë të rënda. Askush nuk i ktheu përgjigje, aktivi u tulat si t’i kishtë rënë pika.
Avdi Baleta dhe Rustem Gjata, dy juristë të ftuar për të kandiduar në forumin e ri drejtues të partisë, u larguan demonstrativisht nga mbledhja, duke deklaruar tërheqjen e tyre nga kandidimi.

“Ashtu si qeveria e Nolit që duke shmangur Bajram Currin i hoqi armën revolucionit, ashtu edhe PD duke shmangur Azem Hajdarin i heq forcën goditëse lëvizjes demokratike”, tha Baleta para se të ikte. Në aktivin e trembëdhjetë shkurtit Komisioni Nismëtar pushoi së ekzistuari për t’i hapur rrugën Komitetit Drejtues që do të zgjidhej me votim të fshehtë nga pjesëmarrësit në aktiv. Një natë me parë ishte vendosur që Komiteti Drejtues të kishte nëntëmbëdhjetë anëtarë, që do të dilnin nga një listë prej njezet e shtatë kandidatësh, ku ishin përfshirë të gjithë anëtarët e Komisionit Nismëtar. Rrezultet e votimit erdhën në mbrëmje rreth orës 20.00 në seliën e partisë-redaksi në rrugën “Fortuzi”.
Nga ish anëtarët e Komisionit Nismëtar kishin fituar Berisha, Pashko, Meksi, Imami, Demeti, Zogaj, Rruli, Selami, Çela, Zaloshnja, Malshyti, Ilir Myftari dhe Hajdari. Nuk kishin fituar dhe s’kishin si të fitonin studentët e larguar de fakto nga Partia, që ishin venë ndërkohë në krye të grevës se re studentore për heqjen e emrit të Enver Hoxhës Universitetit tëTiranës.

Azem Hajdari kishte dalë i nëntëmbëdhjeti, domethënë i fundit në listën fituese. Unë u tremba, por edhe rashë në mendime kur e mora vesh. Me sa lehtësi e kishte çuar drejt humbjes ai aktiv liderin e lëvizjes studentore, kreun e parë të Partisë Demokratike! Dhe të mendosh se mund të mos kishte dalë as i nëntëmbëdhjeti, pra do të kishte mbetur jashtë listës fituese po të mos ishin tërhequr nga kandidimi Abdi Baleta dhe Rustem Gjata. Nuk ishte hera e parë as e fundit që ngjarje të mëdha përcaktoheshin nga rastësi të vogla. Nga kandidatët e prurjeve të reja kishin fituar Neritan Ceka, Shahin Kadare, Edmond Trako, Blerim Çela, Rexhep Uka dhe Lili Dhamo. Me dy të parët isha njohur nga afër kohët e fundit. Për mua qe një gëzim i madh t’i shihja në Komitetin Drejtues. Neritani, një burrë shtathedhur dhe i pashëm rreth të pesëdhjetëve, ishte drejtor i Institutit të Studimeve Arkeologjike. Përveçse pinjoll i një familjeje të fisme qytetare nga Elbasani, njihej si arkeolog i shquar, historian, dijetar, njeri publik.

Kishte folur në mitingun e legalizimit të PD-së në qytetin “Studenti” dhe mandej ishte angazhuar me gjithë autoritetin e tij për të shtuar radhët e rritur reputacionin e saj. Në tërësi, sa për shkak të flokëve të bardhë që i rrinin mbi kokë si paruke, aq edhe falë një mënyre të matur e solmne në të folur, jepte përshtypjen e një senatori romak, ashtu siç i kisha parë nepër filma. Kurse Shahini, një burrë shtatmesatar mbi të dyzetat, ishte vëllaj i shkrimtarit të shquar Ismail Kadare.

Ishte afruar me Lëvizjen studentore intelektuale qysh në ditët e para, na kishte ndenjur pranë në veçanti ne njerëzve të letrave, mu sikur kërkonte të pohonte në inkoshientin e tij praninë e të vëllajt të mërguar në Francë. I vetëdishem për avantazhet dhe kufizimet e fatit si vëllai i një njeriu të madh, i përgjegjshëm dyfish për ketë fakt, por edhe aq i kulturuar e fin sa të mos e shfaqte në një asnjë lloj forme banale këtë lidhje gjaku, Shahin Kadare zotëronte ndërkohë vlerat e një intelektuali me individualitet të spikatur, ndoshta edhe të një krijuesi të sakrifikuar nga talenti dhe fama e Ismailit. Ishte aq i këndshëm në bisedë dhe aq i zoti në përdorimin e ironisë e sarkazmës, saqë Neritan Ceka, jo pa një dozë thumbimi ndaj Ismailit, do të thoshte më vonë se Shahini duhej të ishte shkrimtari. Me emra të tillë dhe me themeluesit e fillimit, gjithashtu, drejtimi demokratik i Partisë ishte i garantuar. Kështu besoja, pa e çuar në mendje se demonët e pushtetit po rregullonin pritat e reja dhe po mprihnin shpatat e vjetra të historisë për t’i prerë hovin dhe kokën përsëri buisjes intelektuale në politikë. Siç kishte ndodhur gjithmonë në Shqipëri.

Të nesërmen, më 14 shkurt, në godinën e re të partisë në rrugën e Kavajës që ishte hapur për herë të parë atë ditë, anëtarët e Komitetit Drejtues u mblodhëm për të zgjedhur kryetarin e ri. Kishte tension në parti e rreth partisë për ketë ngjarje shumë të rëndësishme, por jo nga ai tensioni me mbledhje grushtash e shtrëngime dhëmbësh që do të shihnim me vonë në kuvendet dhe konventat e Partisë Demokratike. Më shumë se tension kishte emocion. Emri i kryetarit të ri, më saktë i kryetarit të parë të zgjedhur me votë, do të përcaktonte ndjeshëm fatin e PD-së dhe kursin e zhvillimeve të kohës.

Kjo përmasë e ngjarjes dhe shenja që kishte lënë 11 shkurti si provë paraprake se kush e kishte shumicën në kupolën drejtuese të parties kishin provokuar një interesim të veçantë në radhët e shumë intelektualëve afër saj. Përpara votimit mua më kontaktuan Besnik Mustafaj e Kujtim Çashku. Donin të dinin cilët ishin shanset e Berishës për të fituar. Më shumë se kaq donin të ndikonin që fitorja t’i shkonte atij. U thashë se falë emrave të rinj në Komitetin Drejtues, raportet mes dy grupimeve mund të ishin ekuilibruar. Besoja se Neritan Ceka dhe Shahin Kadare do të votonin për Berishën. Po ashtu edhe Mitro Çela. “E sigurt”? “E sigurt, më ka dhënë fjalën”. Ata u ndanë me mua më një lloj solemniteti dhe emocioni sikur po më hidhnin në një fushë regbie. Kurse kryeredaktori i gazetës “Zëri i rinisë”, Remzi Lani dhe publicisti kosovar Veton Surroj erdhën vetë në seli për ta marrë lajmin në kohë reale. Berisha nuk më kishte thënë gjë, por kandidimin e tij e konsideroja një fakt të skontuar. Tani ishte radha të zbrisnin në arenë “gjeneralët”. Ne, “grupi ynë”, kishim Berishën. Në krahun tjetër kishte lëvizje dhe tension gjithashtu. Merita Zalonshnja më tha se nuk ishin marrë vesh të dilnin me një kandidat të vetëm. Do të garonin edhe Pashko, edhe Meksi. Ndjeva sërish të më ngatërrohej lëmshi në lidhje me raportet reale mes Pashkos dhe Meksit.

Nuk isha në gjendje të vlerësoja aty për aty a ishte lajm i mirë apo lajm i keq fakti që po garonin të dy. I mendoja shumë të zgjuar, intuita apo më saktë prapamendimet më shtynë të dyshoj për një manovër zgjedhore, nga ato të cilat nuk i njihnim mirë, por na kishin thënë se ishin lëmuar e përsosur përgjatë shekujve në Europë aq sa nuk mjaftonin vitet e shkollës për t’i studiuar. Kandidimi i tyre ishte pra një manovër për të thithur e mbajtur në rrjetën dyfishe ndonjë votë të pavendosur që në shumoren e të dyve mund të bënte diferencën me votat që do të merrte Berisha. E shijova vetëm pak sekonda këtë farë zbulimi, pastaj e braktisa me keqardhje dhe qortim për veten. Sepse edhe në krahun tonë nuk kishte qartësi për kandidimet. Nuk e dinim akoma a do të kandidonte Azemi apo jo. Pra mund të dilnim edhe ne me dy kandidatë, pa e patur fare në mendje rrjetën dyfishe të kapjes së votave të arta. Grupet janë grupe, ambiciet vetjake janë ambicie vetjake. Karrigia e të parit është një kushtrim i madh për të gjithë mëtonjësit. Edhe po të kenë pirë nga i njëjti gji.

Berisha në fillim refuzoi të kandidonte, por ne e bindëm të pranonte. Me vështroi me një pamje miturie, sikur po e merrnim në qafë. Kishte frikë se nuk do të fitonte. Humbja do të ishte një goditje shumë më e rëndë se moskandidimi për karrierën e tij. Por unë kisha besim. Dhe veç kësaj nuk mund të rrezikonim sërish me Azemin. Pas Berishës, refuzoi edhe Pashko, por edhe këtij ia kthyen mendjen të vetët.
Ndërhyri dhe Berisha që i kërkoj rivalit të tij kryesor të kandidonte. Pas përpushjeve që paraprijnë gjithnjë vënien në shina të një votimi me rëndësi, kandiduan Berisha, Pashko, Meksi dhe Hajdari. Sakaq, kërkoj fjalën Arben Demeti. -Nuk jam dakord me kandidaturën e Sali Berishës-, tha me solemnitet, duke shikuar nga dritarja sikur po fliste me hije. -Me sa e kam njohur këto dy muaj, ai do ta dëmtojë demokracinë po të zgjidhet kryetar. Ai nuk është për këtë punë. Me këto fjalë, u kthye papritur në drejtim të Berishës dhe vazhdoi me të folurën e tij pa emocion dhe pa dorashka: -Doktor Berisha! Kam patur shumë konsideratë për ju nga larg, por këto dy muaj që ju njoh nga afër konsiderata ka filluar të bjerë. Ju doktor nuk më njihni, por po të me njihni, do të fillonit të shqetësoheshit dhe do të mendonit seriozisht për këto fjalë që po ju them. Demeti kundërshtoi edhe kandidaturën e Gramoz Pashkos, duke deklaruar votën për Meksin.

Me t’u ulur Demeti, u ngrit Neritan Ceka. Me të drejtën e më të moshuarit, e drejtë e cila në zërin dhe në mënyrën e tij solemne të të folurit ngjante të ishte një detyrim i atij që i ka parë nga larg e nga lart cicmicet dhe luftën e bërrylave në parti, ai hodhi mu në mes të mbledhjes fjalinë që asgjësonte arsyen pse ishim mbledhur. Tha: -Populli njeh për kryetar të Partisë Demokratike Sali Berishën! Ishte një deklarim i sinqertë vote dhe një përgjigje dorë për dorë e fushatës që kishte bërë Arben Demeti në fjalën e tij. Ky dhe Pashko reaguan mënjeherë me fjalë dhe grimasa habie. -Ej, nuk po voton populli, zotëri i nderuar, jemi parti politike këtu. Po voton Komiteti Drejtues!-tha Pashko. Neritani u duk krej i pandjeshëm, si të mos e kishte dëgjuar fare vërejtjen ironike të Pashkos. Do ta kuptoja më vonë se ashtu e kishte natyrën: kur i mbushej mendja top për një gjë, nuk dëgjonte më çfarë thuhej.

Mbajta edhe unë një fjalë. Përderisa zoti Demeti e kishte ngritur i pari siparin e deklarimit të votës për kandidatin e tij të preferuar, edhe unë, ashtu si Ceka, shpalla preferencën time për Berishën. Pas meje, si për të shpëtuar votimin e fshehtë, nuk e kërkoi fjalën njeri. Në përfunim të votimit Berisha mori nëntë vota, Meksi pesë vota, Pashko katër vota dhe Azemi një votë. Ne të grupit të Berishës ngritëm duart për të festuar fitoren, pa bujë, aq sa i shkonte asaj mbledhjeje të ngushtë dhe aq sa e përligjte momenti historik.

Partia Demokratike kishte kryetarin e saj të ligjshëm të zgjedhur me votë. Por Arben Demeti na e preu hovin. Ai u ngrit dhe tha se asnjëri prej kandidatëve nuk kishte fituar në turin e parë shumicën e votave të Komitetit. Dy të parët, Berisha dhe Meksi kishin dalë në balotazh dhe duhej të votoheshin përsëri, kësaj radhe vetëm ata të dy. Kërkesa e tij, e drejtë në parim, pavarësisht se ne nuk kishin diskutuar fare para votimit me çfarë sistemi do të votonim, u kundërshtua sërish nga Ceka. Kishte qenë kundër votimit të parë e jo më kundër të dytit. Vazhdonte ta konsideronte një meskinitet hedhjen në votë të Sali Berishës në një dhomë të ngushtë ku të merrej fryma, ndërkohë që turmat qindra mijëshe në mbarë Shqipërinë e njihnin për kryetar.

Fjalët e Cekës sunduan sërish heshtjen që zgjati disa sekonda. Teza e liderit të popullit sikur u kishte mbyllur gojën të gjithëve. Sidomos tani kur votimi i parë ishte bërë dhe Berisha kishte dalë i pari. Edhe pse pa atë “plus njëshin e famshëm” që kërkonte puritani Demeti. Ky këmbënguli në domosdoshmërinë e balotazhit si një kusht që kryetari të konsiderohej i ligjshëm. Por nuk gjeti mbështetje. Ishte një lojë në fije të perit për të gjithë. Berisha kishte më shumë shanse se Meksi. Vota e Azemit normalisht do t’i shkonte atij. Pa llogaritur ndonjë rrjedhje tjetër në favor të tij edhe nga votat që kishte marrë Gramozi. Në heshtjen që kishte pllakosur mbledhjen po mpiksej me shpejtësi lidershipi i Sali Berishës. Nderimet po përkuleshin ngadalë si kallinjtë prej erës drejt karriges ku ishte ulur dhe po priste çastin të këpuste shiritin e një fati që do ta mbante për më shumë se dy dekada zot absolut të Partisë Demokratike. Fitorja e tij dhjetë me nëntë, më e mundshmja nëse bëhej balotazhi, ngjallte frikë për të humburit; tradita e keqe vendase tregonte se fitoret e ngushta nuk prodhonin ekuilibër dhe rezervim, siç do të duhej të ndodhte, por një mllef të shtuar të fituesit, një ndjenjë shkatërrimi e rivalit nga fituesi.

Meksi me të vetët ishin në të drejtën e tyre të kërkonin vazhdimin e garës; retorika neritaniste për tribunin e pa votuar të popullit, që thjesht shquhet me sy, s’kishte asnjë kuptim për legjitimin e kryetarit të votuar nga forumi politik përkatës. Por në atë çast delikat, në atë udhëkryq të rëndësishëm të rrugës që po merrte Shqipëria, nuk fituan rregullat e reja, nuk fitoi realisht asnjëri prej kandidatëve. Fitoi tifoja e palës që mbështeste Berishën, fitoi frika e vjetër e palës së vendit të dytë e të tretë, instikti i vetëmbrojtjes nga lideri i ri, që mund t’i fuste në rrethin e kuq të kujtesës të gjitha ata që do të kërkonin balotazh, për t’u hakmarrë ndaj tyre sipas mundësisë dhe rastit në të ardhmen. Kisha bindjen se Berisha do të fitonte në balotazh.

Mendoja gjithashtu se Berisha kishte prapa dhe rreth e rrotull vetes një Shqipëri më mazhoritarë se Meksi-Pashko. Shqipëritë e tyre priteshin në një sektor të elitës, por në tërësi Shqipëria populisteintelektuale e dyshes Meksi-Pashko ishte më e vogël numerikisht se sa Shqipëria populiste popullore e Berishës. Më vonë kam menduar se ka gjithnjë një forcë të rastit që heq pengesën apo shtron rrugën e njeriut me dhunti lideri.
Me 10 dhjetor 1990 isha unë ai që kisha penguar dëbimin e Sali Berishës nga mbledhja e studentëve. Por ishte ai që kishte duruar fyerjet, ama. Me 11 shkurt isha po unë që kisha imponuar me një fjalim të kohërave të vjetra anulimin e votimit që kishte nxjerrë kryetar Aleksandër Meksin. Me 14 shkurt njeriu i providencës për liderin e shënjuar ishte Neritan Ceka.

Ky kishte vendosur një tra kundër votimit në balotazh, pa e menduar as një sekondë se në precedentin e parë të mosrespektimit të legjitimitetit do të plazmohej edhe fati politik i tij dhe i shokëve të tij që do të përjashtoheshin apo largoheshin një vit më vonë nga Partia që kishin themeluar. Si për t’i vënë një kordele mbledhjes së 14 janarit, (Ishte dita e Shën Valentinit, gazeta “RD” kishte botuar për herë të parë në shqip një lajm për festën botërorë të të dashuruarve), unë bëra një deklaratë, që do të përgenjeshtrohej nga faktet në të ardhmen.Thashë: “Votimi tregon se kemi një ekuilibër forcash në Komitetin Drejtues, gjë që dikton një drejtim kolegjial të Partisë. Jam i bindur se Berisha do ta mbajë parasysh këtë”. Një shdritje e beftë sysh vizlloi si një ankim në njëren prej karrigeve të cepit në pjesën përballë. Ktheva vështrimin me vrull andej sikur po më thërriste mua. Ishte Shahin Kadareja. Ajo shdritja e çastit, që më kishte marrë mendtë, ishte zhdukur sakaq nga fytyra e tij e pastër, duke ia lënë vendin një si hidhësie.

*Shkëputur nga libri i publicistit Preç Zogaj, “FILLIMET, ngjarje, dëshmi, kronikë, refleksione nga vitet ‘90-’92”, botuar nga UETPRESS

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH