“Burimi informon se ai njeh Maks Velon që nga viti 1964 - 1965. Ai, në një rast i ka shkuar në studio Maksit në shtëpi, të cilën e ka në rrugën “Fortuzi”, për t’i parë punimet në pikturë. Në studio Maksi kishte piktura dekadente, ekstreme për frymën e tyre antirealiste dhe formë ekstravagante.”
Vetëm kjo fjali e shkëputur nga raporti i Motori Zefi, i datës 4 maj të 1975-ës, emërtuar si Dokumenti 13, dëshmon në fakt ironinë fatit dhe jetës së Maks Velos. Miq, të njohur, artistë, që i shkonin në shtëpi, në studio, në punë në Kombinat, e ndalonin në rrugë apo ambiente të tjera dhe provokonin biseda të qëllimshme. Njerëz që e pyesnin, i kërkonin mendim, analiza, e pas kthimit të krahëve shkonin të raportonin ato që kishin dëgjuar, menduar apo interpretuar në bisedë e sipër. Njerëz që regjistronin çdo thënie të tij në biseda me të tretë, që gjurmonin çdo lëvizje, qëndrim, pikturë, ngjyrë, mendim të pathënë, apo ëndërr të pa parë.
Dy vjet para se të dënohej me 10 vite burg, përndjekësit, gjyqtarët dhe xhelatët e Velos, “ithtarët” e sistemit dhe puritanizmit ideologjik e moralist, kishin kërkuar arrestimin e tij.
Në një relacion të shkurtit të 1976-ës, emëruar si Dokumenti 18, shkruhet: “Maksi njihet si një njeri feminist. Ai është dhe tip psikopati, por kjo nuk do të thotë se veprimet armiqësore që ai kryen i bën në mënyrë të pandërgjegjshme. Përkundrazi, ai është një njeri me mendime reaksionare, borgjeze e revizioniste, prandaj në qoftë se mund t’i arrihet arrestimit të tij është shumë e nevojshme që të bëhet demaskimi i tij para masës së artistëve dhe shkrimtarëve, pasi edhe nga vetë artistët ai njihet si njeri ultramodernist në art etj.”
Pjesët e mësipërme janë të shkëputura nga libri “Maks Velo, jetë paralele”, me 106 dokumente, botuar nga shtëpia botuese UETPRESS në 2018-ën, kur arkitekti ishte ende në jetë. Ai u bë i pari artist që botoi dosjen e tij të hetimit dhe dënimit, për të demaskuar një sistem politik, por edhe një shoqëri, e cila rrëzoi çdo vlerë të bashkimit, vëllazërisë, mbështetjes, zhvillimit, edukimit, përditësimit, njohjes dhe zbulimit, në emër të ideologjisë. “Mendoja se kisha shokë, kisha artistë... Ata ishin përbindësha”, do të shprehej gjatë promovimit të librit personazhi real i këtyre rrëfimeve, dëshmive, relacioneve të mbledhura përgjatë viteve 1973-1978.
“Maks Velo dëshmon diktaturën”
Pesë vjet pas ndarjes nga jeta, për të nderuar veprën, krijimtarinë, e për të përkujtuar gjithçka që ai përjetoi, dosja e hetimit dhe dënimit u zbulua për publikun e gjerë në Shtëpitë Studio Kadare- Agolli, përmes ekspozitës së titulluar “Maks Velo dëshmon diktaturën”.
Përgjatë tre ditëve, 6-8 maj, artistë, miq, të njohur, ish-të përndjekur, por edhe sy kureshtarë patën mundësinë të shohin foto të prëzgjedhura, dokumente, relacione, skica, fotografi të dhe për artistin, arkitektin e studiuesin antikonformist.
Drejtuesja e këtij muzeu, Anisa Ymeri, tha se ka një arsye të fortë që në bashkëpunim me Autoritetin e Dosjeve u vendos ekspozimi për herë të parë në publik i dosjes. Por arsyeja pse u ekspozua në ish-apartamentin e shkrimtarit ishte sepse ai u projektua nga arkitekti Velo.
“Kjo është godina më personifikuese e të gjithë krijimtarisë së tij, në të cilën nuk kishte ndodhur asnjëherë asgjë që ka të bëjë me Maks Velon. Ai vendosi me një lloj force të jashtëzakonshme të brendshme, që drejtësinë publike kundër asaj që i kishin bërë gjithë jetën ta bënte po vetë. E deklasifikoi dosjen dhe vendosi ta botonte”, theksoi Ymeri.
Përfaqësuesi i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), Altin Hoxha, tha se ky institucion i administron dosjet e Velos që prej vitit 2017-të dhe se ekspozimi për publikun bëhet për qëllime njohjeje dhe edukimi, për të reflektuar mbi përvojën e artistëve të diktaturës.
“Bëhet fjalë për dy dosje të rëndësishme që lidhen me jetën publike e private të artistit: dosja formulare 11/705 me 235 faqe dhe dosja hetimore gjyqësore prej 57 faqesh. Qëllimi i ekspozimit nuk është të nxisim hakmarrje apo ndasi, për ne është e rëndësishme që mos ushqejmë ndjenjën grangare, por që njerëzit të mësojnë edhe nga kjo eksperiencë, në mënyrë që ato histori të mos përsëriten më”, u shpreh Hoxha.
Maks Velo u dënua në vitin 1978 me 10 vite burg për agjitacion e propagandë dhe u lirua në janar të 1986-ës. Ndër akuzat që rëndonin mbi të ishte përdorimi i gjuhëve të huaja, leximi i literaturës reaksionare, ndikimi prej filozofisë perëndimore, admirimi për artistët si Picasso e Renuar.