Jeta e arkitektit, studiuesit e piktorit Maks Velo, lindur në Paris dhe rritur në Korçë, do të ndryshonte kryekëput në moshën 43-vjeçare. Ai u arrestua nga regjimi dhe u dënua me 10 vite burg për agjitacion dhe propagandë. Por më tronditëse se arrestimi e dënimi i tij, ishte fakti që Velo u spinua dhe denoncua nga miqtë e njerëzit më të afërt.
Dosja e tij, e publikuar e plotë në librin “Maks Velo, jetë paralele”, me dokumentet sekrete të ndjekjes, hetimit dhe dënimit (Sipas raporteve të Sigurimit të Shtetit) dhe me parathënie e biseda me Alda Bardhylin, përveçse tregon tragjedinë personale, është një dëshmi e gjallë se si funksiononte sistemi dhe se si dënoheshin intelektualët në atë periudhë.
Maks Velo u nda nga jeta në 7 maj të 2020, në moshën 84-vjeçare, duke lënë një kontribut të spikatur përmes shkrimeve, botimeve, kritikave e krijimtarisë artistike. 2025-ta është shpallur viti i tij. Gjatë kësaj jave do të sjellim në Gazetën Liberale pjesë dhe dokumente të dosjes, dëshmi, mendime dhe akuza që çuan drejt dënimit një intelektual dhe profesionist të rrallë.
SEKRET
Ekzemplar i vetëm
Tiranë, më 02.09.1975
SHËNIM OPERATIV
Sot më datë 27.07.1975 u takova në studion e tij me skulptorin Hektor Dule, të cilin e njoh që në vitin 1959, kohë kur kemi shkuar të dy për studime në Çekosllovaki. Pasi bisedova me Hektorin për krijimtarinë e tij në fushën e skulpturës (pasi Hektori ka një krijimtari pozitive dhe partishmëri e taban kombëtar) e pyeta atë për kolegun e tij Maks Velo, për të cilin e dija që Hektori e ka pasur shok para dy-tri vitesh, por janë zënë me të dhe tani nuk flasin.
Për Maks Velon, Hektori më tha këto gjëra: “Maks Velo është tip borgjezi, njeri i lig. Unë me të kam punuar në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës dhe kam pasur njëfarë njohjeje, por jemi zënë dhe tani nuk flasim. Shkaku i zënies sonë ka qenë sepse ai ka tentuar të kapë njëherë motrën time me dorë, në kohën kur kjo ka ardhur të më kërkonte mua në Komitet. Në atë kohë Maksi ka bërë pjesë në rrethin shoqëror të Fadil Paçramit, Ibrahim Uruçit, V. K. dhe I. K., dhe mbahej afër nga Fadil Paçrami.
Në vitin 1962, kur kisha gati një vit që isha kthyer nga Çekia, i kam shkuar për herë të parë për vizitë Maksit në shtëpi, me ftesën e tij. Kur vajta në shtëpi vura re se aty kishte një luks të madh dhe binte erë ambient komplet borgjez. Shtëpia e tyre ishte shtruar me qilima të kushtueshëm. Nëpër mure ishin ekspozuar sixhade të ndryshme, llulla, shpata etj. Për sa i përket krijimtarisë artistike të Maksit, ai është njeri ‘snob’ (i paaftë), por që do të tregohet se është i zoti në pikturë dhe arkitekturë. Në kohën që në institucionet e artit kishte zënë vend liberalizimi në krijimtari, si rezultat i punës armiqësore të Fadil Paçramit,
Maks Velo ka kritikuar me ashpërsi të madhe, madje edhe me urrejtje artistët e shëndoshë dhe realistë të vendit tonë, si Fatmir Haxhiu etj., duke i quajtur këta si njerëz të paaftë dhe të demoduar. Më kujtohet mirë se kur është bërë diskutimi i veprave me rastin e 30-vjetorit të Çlirimit, Maks Velo ka bërë një diskutim shumë të poshtër. Për të mësuar se çfarë ka folur Maksi në këtë diskutim unë them që ju t’i referoheni protokollit të kësaj mbledhjeje (viti 1971) duke kërkuar ose duke biseduar me piktorin Fatmir Haxhiu, i cili mban ditar të rregullt dhe me siguri do t’i ketë mbajtur mirë kritikat që i janë bërë atij nga Maks Velo. Në këtë mbledhje Fatmir Haxhiu u izolua keq si nga diskutimi i Maksit ashtu dhe nga disa diskutantë të tjerë.
Më kujtohet gjithashtu se Maksi do të hapte një ekspozitë personale në këto kohëra. Ai kishte bërë disa piktura moderniste, formaliste etj. P.sh. ai kishte paraqitur një natyrë të qetë dhe një kostum kombëtar shqiptar dhe një kafkë. Se ç’donte të thoshte me këtë, edhe unë që jam artist nuk kuptoja gjë. Po kështu Maksi kishte paraqitur një druvar që priste dru të parë mbrapsht, edhe këtu nuk kuptohej se çfarë donte të paraqiste. Ose kishte paraqitur fytyrën e një njeriu nëpërmjet një çorapi të përdredhur etj. Pra, kishte deformuar njeriun siç veprojnë sot shumë artistë perëndimorë reaksionarë. Kjo ekspozitë nuk u hap, por ishte shumë flagrante. Tani nuk di ç’është bërë me këto piktura, ku u zhdukën.
Në vitin 1971 ‒ ‘72 Maksi mori përsipër të bënte disa punime arkitektonike për hotel ‘Vollgën’ (Drinin). Vizatimet i kishte bërë vetë, ndërsa punimet në bronz apo argjend ia bëri punëtori i ndërmarrjes artistike ‘Migjeni’, Nasi Buraci. Në komisionin e vlerësimit të këtyre objekteve isha edhe unë dhe nuk i pranuam asnjë, sepse që të gjitha ishin punë pa vlerë, pa kuptim dhe ekstravagante. Maksi ka pasur shoqëri edhe me... i cili ka qenë ndryshe nga Maksi. Ai nuk ka pasur prirje të theksuara moderniste në krahasim me Maks Velon. Maksi është shoqëruar edhe me Mihal Hanxharin.
Maks Velo dhe ndonjë simpatizant i tij, e maskonin krijimtarinë e tij gjoja se ajo bazohej në motive popullore. Kur ka qenë në institut si pedagog Maks Velo gjithashtu ka pasur shfaqje të theksuara të huaja në punën e tij me studentët. Për këtë gjë mund t’ju flasin më mirë ata që e njohin nga afër për këtë periudhë”.
Punëtori operativ
/ Ropi Postoli /
Hektori më tha edhe faktin se e ka parë Maksin me gruan e tij dhe fëmijën nga shtëpitë e gjermanëve te kodrat.
*Shkëputur nga libri “Maks Velo, jetë paralele” (Sipas raporteve të Sigurimit të Shtetit), botuar nga shtëpia botuese UETPRESS