Letërsi

“Maks Velo, jetë paralele”, botim i UETPRESS/ Dëshmia e Gertrudës, ish-vjehrrës: Ai është një tip psikopati, shumë i ulët në karakter

Shkruar nga Liberale

“Maks Velo, jetë paralele”, botim i UETPRESS/ Dëshmia e

Jeta e arkitektit, studiuesit e piktorit Maks Velo, lindur në Paris dhe rritur në Korçë, do të ndryshonte kryekëput në moshën 43-vjeçare. Ai u arrestua nga regjimi dhe u dënua me 10 vite burg për agjitacion dhe propagandë. Por më tronditëse se arrestimi e dënimi i tij, ishte fakti që Velo u spinua dhe denoncua nga miqtë e njerëzit më të afërt.

Dosja e tij, e publikuar e plotë në librin “Maks Velo, jetë paralele”, me dokumentet sekrete të ndjekjes, hetimit dhe dënimit (Sipas raporteve të Sigurimit të Shtetit) dhe me parathënie e biseda me Alda Bardhylin, përveçse tregon tragjedinë personale, është një dëshmi e gjallë se si funksiononte sistemi dhe se si dënoheshin intelektualët në atë periudhë.

Maks Velo u nda nga jeta në 7 maj të 2020, në moshën 84-vjeçare, duke lënë një kontribut të spikatur përmes shkrimeve, botimeve, kritikave e krijimtarisë artistike. 2025-ta është shpallur viti i tij. Gjatë kësaj jave do të sjellim në Gazetën Liberale pjesë dhe dokumente të dosjes, dëshmi, mendime dhe akuza që çuan drejt dënimit një intelektual dhe profesionist të rrallë.

SEKRET

Ekzemplar i vetëm
Tiranë, më 04.07.1975
Shënim operativ

Sot më datë 04.07.1975 pata një bisedë në prezencë të p. operativ Gëzim Bejko, me qytetaren Gertrudë Buheckes, që banon në rrugën “Bajram Curri” 36/4, p. 10. Kjo ishte vjehrra e Maks Velos që ndiqet nga ana jonë në P. Paraprak për agjitacion e propagandë. Gertruda u ankua për dhëndrin e saj Maksin, si dhe për të bijën, se ata e trajtojnë shumë keq, madje edhe e rrahin. Gertruda është me kombësi austriake. Ajo, duke qarë, fliste me një urrejtje të madhe për Maksin dhe familjen e tij.

Për Maksin ajo thoshte se është njeri hipokrit, egoist. Ndërsa për familjen e tij, familje aristokrate. “Më ka ndodhur, tha ajo, në ndonjë rast të shkoj te shtëpia e tyre dhe kam dëgjuar fjalët e së ëmës së Maksit, e cila më thoshte se Maksi im është rritur me çokollata, se ai ka lindur në Paris etj. Vajza ime, vazhdon më poshtë Gertruda, qysh se është martuar me Maks Velon ka humbur fare. Ajo madje ka humbur dhe botëkuptimin e saj të mëparshëm. Megjithëse Maksi e trajton shumë keq, ajo përsëri e do atë. Qysh se është martuar me time bijë, Maksi nuk ka sjellë asnjë lek në shtëpi, madje as tani që ka lindur djalë. Ai është një tip psikopati dhe shumë i ulët në karakter. Tani ka dy a tre muaj më ka sjellë në shtëpi vajzën me gjithë djalin dhe nuk interesohet fare për ta. Do që ta ndajë time bijë dhe guxon që ta padisë në gjyq. Me një fjalë, Maksi është një tip borgjezi që unë nuk gjej fjalë ta shpjegoj karakterin e tij. Ai tani më quan mua spiune, se gjoja kam dorëzuar dy libra të tij në Degën e Brendshme, që kanë përmbajtje jo të mirë. Unë me të vërtetë kam shpënë dy libra në Lidhjen e Shkrimtarëve që më janë dukur jo të mirë, por jo në Degën e Brendshme. Nuk e di kush mund t’i ketë thënë Maksit për këto.

Madje edhe ime bijë më thotë që po qe se do t’i ndodhë gjë Maksit, dije se kam për të të zhdukur ty. Ime bijë madje më ka goditur mua. Ajo është bërë si e luajtur mendsh. Në këtë gjendje atë e solli Maks Velo. Vajza ime ka rënë në një pesimizëm të madh saqë mua më zë meraku se ajo për shkak të Maksit mos kalon në vetëvrasje. Dua ta bind që të shtrohet në spital, por ajo nuk pranon me mua. I them që ta ndajë Maksin, por ajo përsëri nuk pranon.”
Punëtori operativ
/ Ropi Postoli /

Shënim: Maks Velo ka tentuar vazhdimisht nëpërmjet së bijës së Gertrudës që kjo të kërkojë në Austri nga e motra e saj për t’i dërguar plaçka atij. Tani si do ta lërë të bijën e Gertrudës? Tani ose ata të dy duan të shfrytëzojnë Gertrudën dhe formalisht bëjnë sikur nuk shkojnë mirë, ose me të vërtetë marrëdhëniet e tyre janë ashtu siç thotë Gertruda.
Punëtori operativ

/ Ropi Postoli /

*Shkëputur nga libri “Maks Velo, jetë paralele” (Sipas raporteve të Sigurimit të Shtetit), botuar nga shtëpia botuese UETPRESS

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH