Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli gjashtë vepra fituese për “Fondin e Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj”. Këtë vit nga 11 aplikime juria, pranë QKLL shpalli gjashtë vepra fituese të autorëve shqiptarë. Një ditë më parë drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli, u shpreh se ky fond synon promovimin e letërsisë shqipe përtej kufijve dhe se përkthimi i librit shqip në gjuhë e kultura të tjera vijon të mbetet një prioritet. “Nga viti në vit, numri i interesit shtohet për këtë fond, i aplikimeve dhe i hartës së shtëpive botuese të huaja që aplikojmë në këtë fond është më i gjerë. Synojmë që në hartën e shtëpive botuese të hyjnë edhe gjuhët e mëdha si anglishtja”, tha Bardhyli.
Këtë vit, kësaj thirrjeje iu përgjigjën 11 shtëpi botuese për përkthimin e veprave të autorëve tanë përkatësisht në gjuhët (italisht, serbisht, spanjisht, greqisht, maqedonisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe arabisht). Juria këtë vit kryesohej nga përkthyesja Maklena Nika dhe me anëtarë studiuesin Ben Andoni dhe përkthyesin Erion Kristo. Diana Çuli, Virgjil Muçi, Bashkim Hoxha, Ardian Vehbiu, Besnik Mustafaj dhe Preç Zogaj janë autorët shqiptarë që do të flasin në greqisht, serbisht, gjermanisht dhe arabisht. Vepra “Engjëj të armatosur” nga autorja Diana Çulit do të përkthehet në greqisht; “Piramida e shpirtrave” i Virgjil Muçit do të përkthehet në serbisht; “Kronikat e mjegullës” nga Bashkim Hoxha do të përkthehet në gjermanisht; “Sende që nxirrte deti” nga Ardian Vehbiu do të përkthehet në greqisht; “Midis krimeve dhe mirazheve” nga Besnik Mustafaj do të përkthehet në arabisht; “Poema të gjedhura” nga Preç Zogaj do të përkthehet në greqisht.