Letërsi

DORËSHKRIM nga Albert Nikolla, botim i UETPRESS/ Artistët që u ndëshkuan pa mëshirë pas Festivalit të 11-të

Shkruar nga Liberale

DORËSHKRIM nga Albert Nikolla, botim i UETPRESS/ Artistët që u

Festivali u godit duke ndëshkuar drejtuesit kryesorë dhe një pjesë të mirë të artistëve që kishin dhënë kontribut për realizimin e tij. Siç dëshmon regjisori M. Luarasi goditja ishte aq e pamëshirshme, saqë bobinat e regjistrimit të Festivalit të 11-të u dogjën. U zhduk gjithashtu gjithçka flitej për të, partitura e tekste këngësh. Mbeti në arkivin e Kinostudios vetëm një kronikë rreth këtij festivali. Në vitin 2003 Tish Daija i dorëzoi Arkivit të Shtetit 16 partitura të këngëve nga festivali të cilat i kishte ruajtur me shumë fanatizëm gjatë gjithë këtyre viteve.

Fadil Paçrami u qarkullua menjëherë si drejtor i minierës në Tuç të Pukës, Todi Lubonja u dërgua si drejtor i komunales në qytetin e Lezhës. Pastaj të dy u shkarkuan edhe nga këto poste dhe u dënuan. Todi Lubonja dërgohet si punëtor krahu në Ndërmarrjen e Ujërave Shkodër dhe më pas dënohet me 13 vjet burg, ndërsa Fadil Paçrami dënohet me 15 vjet burg. Zëvendësdrejtorja e RTSH-së, Nefo Myftiu, u transferua si zëvendësdrejtore e ndërmarrjes artistike “Migjeni” në Tiranë. Njëri prej drejtuesve të Festivalit (spikeri siç quhej ndryshe në atë kohë), artisti Bujar Kapexhiu u dërgua të punonte si punëtor llaçi në Fabrikën e Tullave në Tiranë, Mihallaq Luarasi, edhe ai punëtor në një kantier ndërtimi në Ballsh e pastaj u dënua edhe me burg, këngëtarja Justina Aliaj u transfeua në Shkodër.

U transferuan edhe të gjithë regjisorët e aftë: Leka Bungo u dërgua të punonte si axhustator në Patos, kurse të tjerë shkuan edhe më keq. Në ditën e 1 Majit të atij viti u arrestuan botërisht dramaturgu Minush Jero dhe regjisori Mihallaq Luarasi, regjisor i dramës “Njollat e murrme” dhe regjisor i Festivalit të 11-të. Terrori po bënte përpara kur u çel plenumi i radhës i Komitetit Qendror i cili u mor posaçërisht me letërsinë dhe artet.

H. Kadare te “Kohë e pamjaftueshme” dëshmon se ky Festival solli edhe atë që ne e kemi quajtur “antikulturë”, pasi përveç ndikimeve në muzikë e art, ai solli edhe një modë të huaj për “njerëzit tanë”!

 “Në muajin mars fjalët kundër Festivalit të 11-të në Radio-Televizion po dilnin të vërteta. Në fillim ato qenë dukur si joserioze. Për shembull, vërejtja për fustanet e gjata të dy prezantuese kryesore, mënyra e paraqitjes së tyre, tualeti, ritmi i këngëve, mënyra pak e lirshme dhe disi e shpenguar e lëvizjes së këngëtarëve gjatë interpretimit.”

Redaktori i teksteve të Festivalit dhe autor i disa teksteve Sadik Bejko tregon se shumë shpejt e përjashtuan përgjithmonë nga skena për një këngë të kënduar jo në përputhje me shijet zyrtare këngëtarë, si: Besnik Taraneshi, Alida Hisku, Sherif Merdani, i cili vuajti edhe burgimin. Mihallaq Luarasi, regjisor i shquar i viteve ‘70, dhe dramaturgu Minush Jero (1932-2006) pas burgimit, do të bëjnë punë krahu. Mihallaqi dhe e shoqja, aktorja Edi Luarasi, u kthyen në skenë pas viteve ‘90. Gaspër Çiurçia (1934-1985), instrumentist brilant, kompozitor, orkestrues, drejtuesi i një orkestre frymore xhazi, orkestër par excellence  atëherë në Shqipëri, pas goditjeve në kulturë më 1973, u përjashtua nga Radio Tirana, punoi si elektricist, si roje objektesh, dhe më vonë u pushkatua sepse u përfshi në një grup që falsifikonte bileta treni, ndërsa familja e tij u internua në një fshat pranë malit Tomorr deri më 1991. U fshi nga skena dhe nuk këndoi më kurrë Besnik Taraneshi një i ri nga Kavaja që mori përsipër interpretimet e ritmeve twist. Ai kishte kënduar këngën “Djaloshi dhe shiu”. Ky ritëm u kthye në interpretim ideologjik, sikur ritmi do t’i hidhte minat sistemit e ta hidhte në erë. Aleksandër Lalo, që drejtonte një formacion të vogël orkestral, dërgohet në Kukës.

Nuk u dënua kënga fituese, por këngëtarët e tjerë. Sherif Merdani fillimisht u dënua me 10 vite burg dhe u ridënua përsëri duke bërë 16 vite e një muaj burg, dënim që e kishte zanafillën tek ky Festival. Në shtojcën bashkëngjitur këtij studimi do të publikohet dosja hetimore e Sherif Merdanit ku vihet re qartë se si trajektorja e liberalizmit dhe dënimit të këtij fenomeni shpaloset krejt qartë. Këngëtari Françesk Radi pas Festivalit u internua në Pukë, Fushë-Arrëz. Kënga e tij “Kur dëgjojmë zëra nga bota” u kritikua në diskutimet për Festivalin e 11-të në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, por dhe në plenumin IV të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, si këngë “alla amerikane”, tip Rolling Stones dhe Beatles. Shprehja e ministrit të Arsimit dhe Kulturës për kohën, Thoma Deliana, se Françesk Radi i këndon luftës në Vietnam si amerikanët me kitarë, e rënduan edhe më shumë pozitën e tij si kantautor i ri.

Shihet qartësish krahasimi me dukuritë e shfaqura në Perëndim në kontekstin e Lëvizjes së ‘68-s. Lufta e Vietnamit ka qenë një ndër shtyllat frymëzuese të asaj Lëvizjeje. Reprezalja vijoi edhe me ndëshkime në fusha e institucione të tjera kulturore në vend: u shkarkua nga detyra Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dhimitër Shuteriqi, u largua me dënim të rëndë sekretari i saj, Vilson Kilica, u larguan kryeredaktori i gazetës “Drita”, Ibrahim Uruçi dhe redaktori i saj, Moikom Zeqo. Nga e vetmja revistë letrare në vend (revista “Nëntori”) u larguan kryeredaktori Dalan Shapllo, redaktorët Gjergj Zheji, Anton Kuqali, Sulejman Mato etj.

Edhe shtëpia botuese “Naim Frashëri” u shkri me ndëshkimin e krijuesve Dilaver Dilaveri, Rinush Idrizi, Aristidh Ristani etj. Nuk u shpëtuan ndëshkimeve e masave dhe shkrimtarë e krijues, si Teodor Laço, Pëllumb Kulla, Leka Bungo... Por, shpejt u pa se ky mund të quhej vetëm fillimi i ndëshkimeve.

Lista vazhdoi me arrestime e burgime, duke marrë përpara piktorët Edison Gjergo e Ali Oseku, shkrimtarin Frederik Reshpja, regjisorin Kujtim Spahivogli, më vonë dhe arkitektin dhe piktorin e njohur Maks Velo etj.201 Jehona e dënimit dhe e persekutimit ndaj artistëve që morën pjesë në këtë Festival, në frymën e plenumit IV vijoi edhe më pas, siç e shohim edhe në një dokument të vitit 1976, ku renditen rreth 56 artistë, aktorë, muzikantë etj., të cilët për shkak të biografisë së tyre do të qarkullonin nëpër qendrat e punës prodhuese për të njohur realitetin socialist.

Në një korrespondencë zyrtare të KQPPSH-së të vitit 1976 “Informacion rreth përbërjes politike të disa kuadrove që punojnë në institucione artistike qendrore”, disa funksionarë të lartë të aparatit të Komitetit Qendror që mbulonin sektorin e artit dhe kulturës, hartuan një listë e cila përfshinte një sërë emrash të njohur të institucioneve kulturore dhe artistike të qytetit të Tiranës, ku përfshiheshin mjaft nga personalitet më të shquara të tyre, si aktorë, regjisorë, muzikantë, instrumentistë, këngëtarë, udhëheqës artistikë etj., të cilët do të hiqeshin nga vendet e tyre të punës dhe do të largoheshin apo do të transferoheshin nga qyteti i Tiranës për në rrethe të tjera të vendit. Në listën e zezë që i dërgohej për mendim Ramiz Alisë, spikatin emrat e Ilia Shytit, Roza Anagnostit, Sheri Mitës, Robert Ndrenikës, Prokop Mimës, Miltiadh Papa, Ndrek Shkjezit, Bujar Lakos, regjisorit Luigj Gurakuqi, solistes Luiza Papa (Çako), piktorit Naxhi Bakalli etj. Shumica e listës përbëhej nga artistë që kishin probleme në biografi dhe si të tillë shiheshin me dyshim nga regjimi komunist, pavarësisht se ata kishin dhënë një kontribut të çmueshëm në fushat e tyre dhe nuk qenë shquar për ndonjë aktivitet armiqësor kundër tij.

*Shkëputur nga libri “Antikultura e 68-s në Shqipëri, lëvizjet që u propoganduan si demokratizim i mëtjshëm i jetës së vendit", të studiuesit Albert Nikolla, botuar nga shtëpia botuese UETPRESS.

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH