Letërsi

"Giovanni Falcone, një hero i vetmuar”, botim i UETPRESS/ Bir i lagjes Kalsa, i rritur me shefat e ardhshëm të mafies

Shkruar nga Liberale

"Giovanni Falcone, një hero i vetmuar”, botim i UETPRESS/ Bir i

Lindur më 18 maj të 1932-shit dhe ndarë nga jeta në të njëjtin muaj 53 vite më pas. 23 maji është data kur përkujtohet humbja e një prej figurave simbol të drejtësisë, gjyqtarit italian Gionvanni Falcone, i cili i rezistoi çdo kërcënimi e presioni të mafies italiane. Ai humbi jetën pasi makina me të cillën udhëtonte bashkë me gruan dhe tre truproja shpërtheu nga tritoli që i kishte vendosur klani Corleonesi i Cosa Nostra-s.

Njeriun Giovanni Falcone, përtej gjyqtarit dhe heroizmit që rrethon emrin e tij, na e sjell libri i botuar nga shtëpia botuese UETPRESS, "Giovanni Falcone, një hero i vetmuar”. I shkruar nga e motra, Maria Falcone dhe gazetarja italiane Francesca Barra, libri vjen për lexuesin shqiptar me përkthim të gjyqtarit Engert Pëllumbi.

Gjatë kësaj jave po botojmë në Gazetën Liberale pjesë të shkëputura nga libri, që zbulojnë më qartë dritëhijet e një njeriu misionar, me karakter të rrallë, i cili qëndroi stoik deri në humbjen e jetës.

Bir i lagjes Kalsa

"Kam lindur në të njëjtën lagje me shumë prej tyre. E njoh thellë shpirtin siçilian. Nga një dridhje e zërit, nga një shkelje e syrit, kuptoj shumë më tepër sesa nga biseda të gjata." - Giovanni Falcone

Ana, unë dhe Giovanni kemi lindur dhe kemi hedhur hapat e parë në pallatin e ndodhur në rrugën Castrofilippo 1, me pamje nga sheshi Magione, në Palermo. Ndodhej në zemër të lagjes “Kalsa”, një lagje e banuar një herë e një kohë, përpara mbërritjes së familjes sonë, nga fisnikë.  Sot është e vështirë të imagjinosh magjinë që kishte Kalsa në kohën kur ne ishim të vegjël. Me pallatet e saj luksoze dhe elegante, me palmat dhe e gjitha bashkë ajo atmosferë, në çdo moment, të kthente pas në origjinën arabe të lagjes, e dëshmuar nga emri i saj më i vjetër al Halisah, që do të thotë - e Kulluara, e Përzgjedhura. Sot, do të thosha, Kalsa e shkatërruar nga bombardimet e Luftës së Dytë Botërore dhe e tjetërsuar nga rikonstruksioni i bërë mbi rrënojat e saj, duket si një pazar i venitur, të cilit i ka humbur magjia.

***

Babai ishte një invalid lufte. Qe goditur në kokë përpara se të vdiste tragjikisht edhe vëllai i tij. Për një vit qëndroi mes jetës dhe vdekjes, por më pas u shërua, u diplomua dhe u martua më nënën tonë, e cila ishte shumë e bukur dhe dymbëdhjetë vjet më e re se ai. Ajo i kishte sytë gështenjë, ndërsa ai ishte i gjatë dhe i dobët. Për ne ishin një çift perfekt.

Vëllai im Giovanni, që kur të rritej do të bëhej kopja e babait, vetëm se pak më i shkurtër, lindi më 18 maj të vitit 1939, në këtë shtëpi të mrekullueshme. Jo shumë larg jetonin edhe disa nga krerët më gjakatarë të mafies që, përgjatë karrierës së tij si magjistrat, do t’i hetonte. Megjithatë, në atë kohë, askush nuk mund ta imagjinonte kryqëzimin e mallkuar të fateve që do të ndodhte më pas dhe, për më tepër, në ditën e lindjes së tij, e cila u shenjua nga një ngjarje e jashtëzakonshme. Ishte një ditë shumë e bukur fundpranvere. Dritaret 40 qenë të hapura dhe përmes tyre frynte një fllad i ëmbël e i ngrohtë. Një pëllumbeshë e bardhë hyri papritmas në dhomë dhe filloi të fluturonte përreth djepit të tij, duke na përcjellë të gjithëve një ndjesi hareje dhe paqeje.

Ndryshe nga motra ime, e cila mori menjëherë rolin e një nëne të dytë, duke qenë e emocionuar dhe duke u vënë në pozita mbrojtëse, unë nuk i kushtova shumë rëndësi pëllumbeshës. Nga ana tjetër, isha vetëm tre vjeç. Ishte e natyrshme kureshtja ime për atë vocërrak të sapolindur i cili po sillte në shtëpi shumë gëzim dhe që, ndoshta, do të më rrëmbente vëmendjen e të tjerëve. Megjithatë, ndodhi diçka që më la gjurmë dhe që ende edhe sot më përkëdhel kujtimet. Ishte mënyra se si Giovanni erdhi në këtë botë, duke përshëndetur me grushtet e mbledhur. Dukej sikur donte t’u thoshte të gjithëve se kishte mbërritur djali i shtëpisë.

***

Përveç shpirtit patriotik që qarkullonte nëpër shtëpi, prindërit tanë këmbëngulnin shumë edhe në arsimimin tonë.  Giovanni ndoqi shkollën fillore në kolegjin kombëtar (që nga viti 1999 ka marrë emrin e tij), në sheshin Shtatë Engjëjt, si nxënës i jashtëm, pra pa fjetur aty, dhe të mesmen në shkollën Verga. Ishte shumë i zoti dhe dallohej nga shokët e tij, duke dalë i pari me notën tetë dhe në edukimin fizik me nëntë, që nuk mund të mungonte.

Ne motrat, që ndërkohë ishim rritur, kishim zbuluar dëshirën për të udhëtuar. Për shembull, në moshën tetëmbëdhjetë vjeç unë vizitova Spanjën me një shoqe. Prindërit tanë na kanë dhënë gjithmonë lirinë e mjaftueshme. Kjo vlente, duke pasur më shumë arsye, edhe për Giovanni-n, të cilit i jepej një liri dukshëm më e madhe. Kur ishte vetëm dymbëdhjetë vjeç i ishte dhënë leja që të merrte dy linja autobusësh për të shkuar me shokët në Mondello. Kalonte mespërmes qytetit, duke qenë pak më shumë se fëmijë, sikur mos kish asgjë të keqe. Ikte në mëngjes dhe kthehej në darkë, i lumtur që kishte kaluar disa orë i shkujdesur në det.

Duhet pranuar se besimin e plotë që prindërit tanë na jepnin, ua u shpërblenim në mënyrën më të mirë. Na kishin mësuar të mbroheshim dhe dinim t’u bënim ballë të papriturave të vogla të përditshmërisë, pa u ndier të frikësuar apo të dobët. Ajo liri ishte një privilegj që nuk hasej shpesh në familjet e tjera. E pyesja shpesh veten nëse prindërit ishin të merakosur në çastet kur ne vajzat ishim në udhëtim, ose gjatë aventurave jashtë mureve të shtëpisë të të voglit të saj. Nuk e di, ndoshta ishin kohë të ndryshme nga ato që jetuam më pas. Ndoshta besohej tek fëmijët, sepse besohej tek bota.

Në atë kohë, qendrat kishtare ishin ambiente të rëndësishme për grumbullimin e të rinjve. Aty mund të luanin, të provonin sporte të reja, të qëndronin në ajër të pastër. Kështu ndodhi që vëllai im, rreth moshës trembëdhjetë vjeç, mësoi të luante futboll. Gjatë njërës prej këtyre ndeshjeve, njohu një shok të ri, vetëm gjashtë muaj më të vogël, Paolo Borsellino, me të cilin do të ritakohej në bankat e universitetit.

Këtë gjë e mora vesh shumë vite më pas. Gjatë një shëtitje, pas vdekjes së Giovanni-t, Paolo më tregoi vendin në të cilin ishin njohur: «Ja atje, në atë fushën e vogël me beton».

Në famulli Giovanni mësoi të luante edhe pingpong. Kishim bërë një tryezë pingpongu edhe në shtëpi dhe shpeshherë e sfidonim njëri – tjetrin në ndeshje të gjata.

Nëse futbolli i dha mundësinë për të njohur Paolo-n, pingpongu e çoi Giovanni-n në një drejtim të kundërt. Gjatë njërës prej atyre pasditeve, filloi të luante me Tommaso Spadaro-n, që atëherë ishte dymbëdhjetë vjeç dhe jetonte aty afër, në rrugën Lincoln. Më vonë do të bëhej “mbreti i Kalsa-s”, personazh i shquar i botës siçiliane të krimit, i angazhuar në trafikun e lëndëve narkotike dhe sot duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm.

Kjo rastësi nuk duhet të na habisë sepse, sikurse Spadaro, shumë shefa të tjerë të ardhshëm të mafies ishin nga lagjja jonë dhe, natyrisht, frekuentonin të njëjtët vende të grumbullimit të djemve të tjerë. Ndoshta, gjatë adoleshencës së tij, Giovanni do të ketë takuar edhe Tommaso Buscetta-n. Të dyve bashkë nuk do t’u shkonte mendja që më vonë, kur të rriteshin, do të kishin të bënin shumë me njëri– tjetrin.

Liberale Newsroom

A duhen rritur pagat e prokurorëve dhe të gjyqtarëve sipas kërkesës së tyre?

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH