Në fillim të vitit 1997, dosja e UÇK-së në Shërbimin Sekret Amerikan - CIA, ishte thuajse bosh! Ky ishte shqetësimi më i madh i Departamentit të Shtetit, por edhe i vetë Shërbimit Sekret. Në të gjendeshin një sërë raportesh të diplomatëve amerikanë në Tiranë, Beograd dhe Gjenevë; pak informacione që vinin nga shtypi dhe një koleksion i deklaratave që vetë UÇK-ja kishte bërë që prej fillimeve! Por këto ishin thuajse asgjë, për një grupim që mund të ndizte një nga zonat më delikate të Europës dhe që dukej se do të vendosej në krye të agjendës diplomatike të SHBA-ve dhe Britanisë. Gjithsesi çështja ishte ende në nivel ekspertësh dhe nuk kishte mbërritur në majat më të larta të Agjencisë. Në krye të saj, për një rastësi, ishte djali i dy emigrantëve shqiptarë nga Qeparoi dhe Himara, por që ishte rritur dhe edukuar në lobin grek të Nju Jorkut, i quajtur Xhorxh Tenet (Koka).
Shumë shpejt, dosja “UÇK” do të vendosej mbi tavolinën e punës së shefit të CIA-s me shënimin “Prioritare”. Në ditët e para të vëmendjes amerikane ndaj UÇK - së, Xhorxh Tenet kishte një raport që thoshte se UÇK-ja ishte një organizatë marksiste radikale, me shumë infiltrime të mafias, e përfshirë në trafikun e drogës dhe me përdorimin e parave për të blerë armë në tregun e zi!
Pak më vonë, ai vuri në tryezën e Presidentit Klinton një raport analizë, që sipas Eric Laurent, një shkrimtar francez me mjaft akses në arkiva, përmblidhej në këtë paragraf:
“Rreziku më i madh është që duke mbështetur UÇK - në, ne mund të gjendemi në të njëjtën situatë, që u ndeshëm me muxhahedinët afganë, që u armatosën dhe financuan nga ne dhe që më pas u përfshinë në luftën e brendshme të fraksioneve islamike.”
Por oficerët e CIA-s në Shqipëri dhe Kosovë, raportonin se nuk kishte asnjë ngarkesë islamike tek këta luftëtarë, siç rrëfen Laurent.
Më vonë do të kuptohej se brenda vetë Agjensisë kishte dy linja që u përplasën gjatë vitit 1998 dhe fillimit të 1999. Linja që e konsideronte UÇK-në një grupim trafikantësh dhe njerëzish problematikë, dhe që ishte më e fortë në zyrat qendrore të CIA-s, dhe linja që i konsideronte ata një grupim me të cilin mund të punohej dhe mund të ndihmonin në çmontimin e Millosheviçit. Ky qëndrim përfaqësohej kryesisht nga linja në terren dhe në Europë e CIA-s.
Në fund të vitit 1997 dosja ishte ende modeste. Së paku, deri në momentin kur, në Tiranë mbërriti një përfaqësues i ri i Agjencisë, i quajtur David. Zyrtarisht Sekretar i Parë i Ambasadës së SHBA në Tiranë, David kishte një mision disi më ndryshe nga paraardhësi i tij. Nëse deri atë ditë, përfaqësuesit e Shërbimit në Tiranë qenë marrë me kontrollin e elementëve terroristë islamikë dhe vendosjen e tyre në Shqipëri, Davidi pati si prioritet, identifikimin e drejtuesve dhe personave influentë të UÇK - së dhe qëllimet e grupimit, për të cilin ndërkombëtarët dinin pak gjë.
Davidit nuk iu desh të priste shumë kohë. Në ato momente edhe UÇK-ja po tentonte të vendoste kontakte me diplomacinë Perëndimore. Kanali më i mirë i komunikimit në një moment që ata shiheshin ende si një grup me prirje terroriste nga politika, ishin shërbimet sekrete. David arriti të identifikojë shpejt një personazh 42 vjeçar, të veshur elegant, që jetonte midis Tiranës dhe Zyrihut dhe që të gjithë e thërrisnin Zeka. Zeka, ishte emri më i përdorur i Xhavit Halitit, një shqiptari të njohur të Kosovës, të përfshirë në Lëvizjen Ilegale që në fund të viteve ‘70 - të dhe një ndër figurat e rëndësishme politike të LPK - së.
Haliti kishte qenë i burgosur politik, por ia kishte dalë të largohej nga Kosova dhe jetonte në Zvicër, ku ishte anëtarësuar në LPK, me gjasë në vitet ‘80 - të. Ai kishte qenë ndër të parët shqiptarë të Kosovës që u shfaq në Tiranë në vitin 1990 dhe depërtoi deri në nivelet më të larta politike shqiptare. Zeka, tentoi të sensibilizonte edhe strukturat e shtetit amë për çështjen e Kosovës. Padyshim njeriu më realist i strukturave të LPK - së në Perëndim, ai u bë bashkëthemelues i UÇK - së dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të saj, që në fillim.
Zeka kishte arritur të kishte kontakte të shkëlqyera në nivele të ndryshme politike dhe ata që e njihnin, tregonin se ishte imponues dhe shumë i fortë në argumente.
Amerikani mësoi se ai kishte pozita të forta në diasporën politike në Zvicër e Gjermani, dhe një ndikim po kaq të fortë në UÇK-në brenda në Kosovë.
Davidi dhe Zeka u takuan një mbrëmje të herët në zyrën e Shefit të Shërbimit Sekret Shqiptar, Fatos Klosi, në një zonë periferike të Tiranës të quajtur “Oxhaku”. Ndërmjetësi i takimit, siç ndodhi edhe në shumë raste të tjera më pas, qëndroi me ta vetëm sa shkëmbyen përshëndetjet e para dhe sa bëri njohjen.
Ai u largua nga zyra, duke lënë pas, në sallën e vogël ku po zhvillohej takimi, një nga ngjarjet deçizive për të ardhmen e UÇK - së.
As Davidi dhe as Zeka nuk kanë folur kurrë për këtë takim. Xhavit Haliti madje nuk pranon të ketë takuar ndonjë person të Shërbimeve ose e relativizon atë, duke thënë se ka takuar shumë të huaj që ndihmonin për çështjen, por nuk i ka pyetur kurrë nëse kanë qenë të Shërbimit apo diplomatë të thjeshtë.
Por raporti i takimit që David i dërgoi shefave të tij në Longlej në Uashington, qarkulloi në një version më të thjeshtëzuar edhe për diplomatët amerikanë dhe zyrat e tjera të sigurisë. Thelbi i takimit ishin informacionet për UÇK - në, aftësia e saj organizative, vepruese, baza ideologjike dhe sidomos lidhjet me terrorizmin. Në raport, shënohet që Haliti t’i ketë thënë se UÇK-ja nuk kishte ndërmend dhe as do të ndërmerrte asnjë veprim apo akt jashtë territorit të Kosovës, as në Beograd dhe askund tjetër. Ne luftojmë për liri, ishte shprehur ai, dhe luftojmë në vendin tonë.
Takimi duhet të ketë qenë shumë premtues, sepse midis Davidit dhe Halitit u lidhën raporte të afërta që do të ndikonin shumë në të ardhmen.
Pak muaj më pas, Haliti udhëtoi drejt SHBA-ve, ku me ndërmjetësinë e NAAC, Këshillit Shqiptaro-Amerikan, zhvilloi disa takime të rëndësishme me zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe të Shtëpisë së Bardhë. Takimet qenë kërkuar nga vetë amerikanët.
“Ne e dimë kush je ti, - i tha njëri nga zyrtarët gjatë bisedave. - Por ti je këtu, ndërsa Arafatit ju deshën 30 vjet për të marrë një Vizë Amerikane.”
Fjalët e tij ishin edhe një lloj mesazhi për UÇK - në.
Sipas një studiuesi britanik, amerikanët kishin nisur të tërhiqeshin nga UÇK-ja dhe ta shihnin atë me një lloj kujdesi në pranverën e vitit 1998, edhe pse nuk besonin shumë tek drejtuesit e saj.
Në një intervistë të vitit 2000, duke risjellë një bisedë me gjeneralin Klark në Uashington, Thaçi kujton që ai t’i ketë thënë:“Të gjithë ishim vënë në lëvizje për të identifikuar UÇK-në.”
Veç strukturave të CIA-s që po bëhej gjithnjë e më aktive, në fushë hynë edhe faktorë politikë. Diplomatët e huaj në Beograd kishin udhëtuar disa herë në Kosovë, duke takuar elementë apo drejtues të UÇK - së. Por të gjithë ngecnin në një problem. Për arsye të klandestinitetit dhe mosbesimit që UÇK-ja kishte tek të huajt, e kishin të vështirë të kuptonin hierarkinë dhe të identifikonin njerëzit vërtet të rëndësishëm brenda UÇK - së. Plus, shumica e personave me uniformë që iu dilnin përpara thirreshin Komandantë dhe diplomatët nuk identifikonin dot komandantët e vërtetë.
I pari që tentoi të thyente gardhin me të cilin ishte rrethuar UÇK-ja brenda në Kosovë, ishte Riçard Hollbruk. Për këtë ai kishte edhe një arsye tjetër. Mes Hollbruk dhe Gelbart kishte një farë konkurence. Gelbart në atë moment bëri një hap më tej. Ai takoi në Gjenevë disa persona që Shërbimi Amerikan, i identifikoi si përfaqësues të UÇK - së, siç kujton Hill:
“Në majin e vonë, Gelbard mori një hov, duke takuar një anëtar të UÇK-së në Gjenevë, në atë kohë kur unë dhe Holbrooke kishim një takim me Rugovën. Çështja ishte se, ne ishim lajmi i së djeshmes, ndërkohë Gelbard ishte me njerëzit e duhur.”
***
Fotoja e Hollbrukut me komandantin e UÇK - së, e publikuar në mediat botërore ishte shokuese për Beogradin zyrtar. Branisllav Ivkoviç, kryetar i partisë së Millosheviçit në Beograd, i tha BBC-së në 2001:“U shokuam krejtësisht kur pamë zotin Hollbruk që negocionte me terroristët, i veshur me çorape.” Sipas traditës së Kosovës, Hollbruku kishte zbathur këpucët e tij në hyrje të shtëpisë.
*Shkëputur nga biografia “Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi” me autorë gazetarët Blendi Fevziu dhe Baton Haxhiu, botuar në 2020-ën nga shtëpia botuese UETPRESS