Më 2 gusht 1993, një partullë e policisë serbe mbërriti në shtëpinë e Hashim Thaçit në fshatin Brojë. Ata kishin me vete autorizimin për ta shoqëruar në polici. Familjarët u tronditën. Ata u munduan të sqarojnë se djali ishte larguar nga shtëpia prej kohësh për të vijuar studimet në Prishtinë. Justifikimet nuk qenë të dobishme. Haxhiu, babai dhe Idrizi, vëllai, u shoqëruan për hetime të mëtejshme në stacionin policor.
Një ditë më pas, policia mbërriti në apartamentin ku Thaçi kishte banuar në Prishtinë, por nuk u gjet asnjë gjurmë e tij. Po atë mbasdite, ajo arrestoi xhaxhain, Nimanin, tek i cili Thaçi kishte qëndruar disa kohë.
Serioziteti i policëve dhe hetuesve serbë, linte të kuptohej se nuk bëhej fjalë për një hetim rutinë, por për diçka më të thellë. Familja ishte e shokuar, por Hashim Thaçi e dinte mirë se përse bëhej fjalë. Rreth 3 muaj më parë, së bashku me 3 shokë të tjerë ai kishte marrë pjesë në përgatitjen e një ndër aksioneve të para të armatosura të UÇK - së. Atë të Gllogovcit.
“Armë për herë të parë kam marrë në vitin 1989, diku nga tetori, prej Afrim Zhitisë. E mbaj mend shumë mirë. Ishte një automatik shumë modern, prodhim izraelit i ardhur nga Zvicra.”
Hashim Thaçi e kujton me këto fjalë angazhimin e tij direkt në Lëvizjen Ilegale në Kosovë. Edhe pse në atë kohë ishte ende një student në Prishtinë, studimeve po i vinte fundi. Në maj të vitit 1993, ai do të merrte pjesë në aksionin e parë të armatosur. Ka pasur shumë komente më pas, për atë që ndodhi atë ditë në fshatin që sot mban emrin Drenas, por biografia e mëpasme e Thaçit ka qenë e lidhur fort me të.
Sipas rrëfimeve të mëvonshme, më 22 maj 1993, një njësit i vogël prej 4 vetësh, i armatosur mirë dhe në fshehtësi, nisi të lëvizë nga zona e Skënderajt në drejtim të fshatit Gllogovc. Në një nga kryqëzimet e tij qëndronte një patrullë e përhershme e policisë serbe. Katër të rinjtë ishin: Sami Lushtaku, Jakup Nura, Ramiz Lladrovci dhe Hashim Thaçi. Rreth orës 20:00, pas një plani paraprak, ata hapën zjarr me armë automatike dhe bomba ndaj patrullës së policisë, duke shkatuar vrasjen e dy policëve, plagosjen e tre të tjerëve dhe duke shkatërruar makinat e tyre.
Ndërhyrja ishte kaq e shpejtë sa reagimi i policëve ishte i pamundur. Siç ka kujtuar Thaçi më vonë, për të siguruar mbështetjen logjistike për atentatin dhe aksionet e tjera, Adem Jashari kishte udhëtuar drejt Shqipërisë, duke kaluar kufirin në kushte shumë të rrezikshme.
U deshën pak minuta që njësiti të tërhiqej në drejtime të ndryshme për të humbur gjurmët. Thaçi mori drejtimin e Krajkovës, siç kujton ai vetë në një intervistë të 8 viteve më vonë:
“Për t’i humbur gjurmët, atë natë e kam kalur në malin e Kozmaçit të Drenicës. Aty kam qëndruar deri afër mëngjesit. Pastaj kam shkuar në fshatin Potërrk afër Grykës së Llapushnikut, në shtëpinë e Sabit Thaçit, ku kam qëndruar deri në mbrëmje. Pastaj, ashtu vonë dhe nëpër natë kam shkuar sërish në fshatin Shkabaj.”
3 vjet më pas, Prokuroria Serbe e zbardhi ngjarjen dhe e dërgoi atë në gjykatë. Hashim Thaçi nuk akuzohej për vrasje, sepse sipas Prokurorisë, natën që ai qe në pritë, nuk kaluan policë serbë.
***
Jeta ilegale nuk ishte e lehtë, dhe mbi të gjitha bazat duhej të ndërroheshin shpesh. Më shumë sesa emri përdoreshin pseudonimet. Në kohën që jetonte në Prishtinë, Thaçi njihej me emrin “Studenti”. Më pas, përdori pseudonimin “Miku”, që ia vendosi Grupi i Prekazit dhe në fund, afër kohës së Rambujesë dhe luftës, u njoh me pseudonimin “Gjarpëri”. Më këtë emër e komentoi gjatë shtypi botëror në ato kohë. Nuk dihet sesi dhe përse nisën ta thërrasin me këtë pseudonim. Njerëzit e afërt të tij, thonë se kjo vinte nga aftësia e tij e jashtëzakonshme për t’u fshehur dhe për t’iu shmangur rrezikut. Kishte një shqisë të veçantë për këtë dhe nuk besonte thuajse askënd.
Në një nga intervistat e para të tij, Hashim Thaçi tregon se edhe në aktivitet ilegal, ata shfaqeshin jo rrallë në ambientet publike në Prishtinë. Në shkurt të vitit 1994, organizata ilegale lëshoi një komunikatë për procesin gjyqësor ndaj veprimtarëve të saj, që po zhvillohej në Prishtinë. Në të thuhej se:
“ Të dënuarit shqiptarë nga gjykatat serbe nuk janë të burgosur, por thjesht janë pengje lufte.”
Në deklaratë gjithashtu kërkohej nga organizatat ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe qeveritë Perëndimore të:
“Ushtrojnë presion tek autoritet e Beogradit që të burgosurit të lirohen menjëherë dhe pa kushte.”
Deklarata nuk ishte botuar nga asnjë prej organeve shqiptare të shtypit, duke u justifikuar se nuk dihej se kush ishin autorët e saj. Ndaj u vendos që dikush prej organizatës të bisedonte vetë me botuesit. Hashim Thaçi u drejtua fillimisht në gazetën “Zëri” ku takoi Halil Matoshin dhe më pas, në redaksinë e gazetës “Bujku” ku takoi kryeredaktorin, Ruzhdi Demiri. Thaçi e ka rrëfyer shumë herë atë takim:
“Më pyeti: ”Kush je ti?” Unë i thashë: ”Unë jam një nga ata të UÇK-së. Para dy ditësh kam dërguar në redaksinë tuaj një deklaratë të cilën vazhdoni të mos e botoni.” “Nuk kam marrë unë një deklaratë të tillë se do t’a botoja“, tha ai. “Mirë,- i thashë -po qe se nuk e ke marrë, apo ta kanë fshehur gazetarët Tuaj, urdhëro, në zarf e ke, dhe të lutem që ta botosh.” Pastaj ai m’u drejtua me fjalët se nuk boton deklarata politike pa miratimin e QIK-ut, sepse kësaj deklarate nuk i dihet autorësia, a janë shqiptarë, vëlla a jo! Iu drejtova me fjalët se unë jam një nga autorët, se ata janë shqiptarë dhe “mos ke dyshime.”
Ai përsëri me të vetat: “Jo, jo unë nuk kam fare frikë, se vetëm para disa ditësh e mora në intervistë ekskluzive Mira Markoviqin e nuk u mërzita fare, veç dije bre djalë se po doni me na sakatu të gjithëve, e atë shefin Tuaj kisha pasur dëshirë ta takoj diku në ara a në livadhe, e t’ ia them disa fjalë.” Ndërhyra:” E di se ju dukem djalë i ri, por mos e kërko arave e as fushave: një nga ata e ke në zyrë!”
*Shkëputur nga biografia “Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi” me autorë gazetarët Blendi Fevziu dhe Baton Haxhiu, botuar në 2020-ën nga shtëpia botuese UETPRESS