Një udhëtim për afirmimin e vetvetes në kohë dhe hapësirë (Glob)
Nga Mentor Nazarko *
Sokol Balla, një nga emrat e spikatur të gazetarisë televizive shqiptare, na sjell një vepër të re të shkruar që tejkalon kufijtë e një libri të thjeshtë udhëtimesh. “Koli i Bardhës shkon në Afrikë” është një udhëtim i thellë emocional dhe shumëshqisor, një eksplorim i botës që na rrethon dhe një kërkim i vetvetes nëpër kontinente dhe kultura, jo thjesht si koleksion kujtimesh apo përshkrimesh gjeografike, por edhe si reflektim i pasionit të autorit për udhëtimet, botën dhe njerëzimin.
Një libër për veten, nisur nga nëna, por jo vetëm...
Në pjesën e parë të librit, “Një libër për veten time”, Sokol Balla na rrëfen se si udhëtimet dhe përvojat e tij janë rrënjësisht të lidhura me identitetin e tij dhe me historinë e tij personale. Në një kohë kur Shqipëria ishte e izoluar dhe e mbyllur, Balla lindi në një familje ku babai i tij punonte në media, duke i dhënë atij akses në një hapësirë të gjerë gjeografike përmes televizorit dhe librave. Siç shprehet vetë autori, "aty gjeta burimin e ujit që tentonte të shuante etjen time pa fund për njohjen e botës". Kjo ndikoi thellësisht në kureshtjen e tij për dhe në dëshirën e tij për të udhëtuar dhe zbuluar. Për këtë arsye, ai nuk e quan të plotë librin ku endet nëpër glob, pa origjinën e këtij hobi që është i lodhshëm pafund, ndërkohë që respektohen ritmet jetësore dhe profesionale të zejes së gazetarit. Ama kënaqësia e unicitetit në rekord jo thjesht shqiptar, por dhe botëror, shëron gjithçka.
E para ishte... nëna, ajo qenka shtysa e këtij hobi deri në mani për udhëtime pa u ndalur, udhëtime cilësore, me guidë, në qoshet më domethenëse të botës, duke ngulur flamurkën në çdo cep të botës. Autori na rrëfen gjithashtu se titulli i librit, “Koli i Bardhës shkon në Afrikë”, është një dedikim i veçantë për nënën e tij. Titulli nuk përmban thjesht simbolizëm, por reflektime të shumta të lidhjes emocionale që ai ka me nënën e tij dhe me rrënjët familjare. Nëna e tij, një figurë qendrore në jetën e autorit, është burimi i forcës dhe frymëzimit ku ai kthehet vazhdimisht për të marrë energji, për... udhëtime të reja nëpër botë, por dhe në profesion.
"Falë saj viza Shengen u vendos për herë të parë në pasaportën time”, rrëfen Sokol Balla. Ajo nuk ka përtuar kurrë, edhe sot që është 73 vjeç, të marrë plaçkat e të udhëtojë. Kur Bardha e tij i thotë "mjaft të udhëtoj me ty, po nuk ndjej as lodhje as pasiguri", Udhëtari i saj e sheh veten të realizuar, ndaj edhe siç shprehet "kudo që shkoj e marr virtualisht me vete".
Një udhëtim nëpër kohë dhe hapësirë
Sokol Balla na fton në një udhëtim që fillon nga Etosha Park në Namibi, ku natyra e paprekur dhe heshtja e pafund e shkretëtirës na kujtojnë për origjinën e botës, dhe përfundon në Groenlandën, aq shumë të dëshiruar sot nga.. grupet amerikane të pushtetit personifikuar nga Trump, ku akullnajat po shkrihen, duke simbolizuar një botë që po ndryshon me shpejtësi të ethshme. Edhe për shkak të veseve të saj kolektive, dhe mosrespektit për natyrën. Në këtë udhëtim, autori nuk është thjesht një vëzhgues i jashtëm, por një pjesëmarrës aktiv që ndan me lexuesin emocionet, ankthin dhe kureshtjen e tij për botën. Edhe reflektimet sociopolitike, ashtu me ngut, nëpër aeroporte, por si piketa të jetës së tij kaq intensive.
Siç shprehet Remzi Lani në parathënien e librit, “udhëtimi i Ballës nga Kepi i Shpresës së Mirë në Groenlandën ku po shkrin jo vetëm akulli, por me sa duket edhe shpresa, është një rrugëtim në kërkim të vetvetes në botën e djeshme dhe të sotme.” Kjo vepër është një përzierje e gjeografisë, historisë, politikës, futbollit e plot temave të tjera, të gjitha të ndërlidhura me një stil origjinal, - stili i tij xhanëm, ku ai është vetja pa fshehur as dobësitë madje thellësisht i frymëzuar nga pasioni i autorit për të zbuluar botën.
Satira dhe ironia si mjet për të demaskuar absurditetin
Një nga elementet e fuqishme të këtij libri është përdorimi i satirës dhe ironisë. Sokol Balla nuk ngurron të godasë me ironi institucionet dhe figurat publike, jo thjesht të Shqipërisë, me të cilat merret nga ekrani, por ato të botës ku ndërrohen vrulltaz sisteme politike, e mentalitete kolektive, duke krijuar një atmosferë satirike që të kujton veprat e Swift-it. Satira është një mjet i fuqishëm për të demaskuar hipokrizinë dhe absurditetin e botës sonë, dhe “Koli i Bardhës” bëhet një shembull i shkëlqyer i kësaj tradite letrare, por edhe ndërkall shprehitë e veta gazetareske të qëndrimit kritik ndaj dukurive të realitetit. Në faqet e librit satira e mprehtë, autoironia, nga njëra anë na bën të qeshim, por njëkohësisht edhe na grish të reflektojmë mbi realitetin që na rrethon.
Për shembull, për udhëtimin e tij në Ganë, Balla rrëfen “Në hyrje të terminalit kontrolli i parë. Një ushtar më merr pasaportën dhe më sheh me vëmendje. A thua se më ka parë më parë. Po ne u dukemi, ashtu si na duken ata, njëlloj? Dikur në Londër një kolegu im kinez në BBC më thoshte se dhe ne atyre u dukeshim njëlloj. Ndërkohë një miku im arab në Paris më tha një gjë të tmerrshme. ‘Ju të bardhët keni të gjithë një aromë. Na dukeni si meitë (njerëz të vdekur)’. Kaloj ushtarin dhe vjen kontrolli doganor. [...] Doganierja më shikon mua, jo valixhet. Femrat zezake impresionohen nga meshkujt e bardhë, por për arsye ekonomike besoj.”
Një stil unik dhe i pasur
Sokol Balla shkruan me një stil që kombinon elegancën shkrimore të gazetarit me pasionin e një udhëtari bashkëkohor. Në rrëfim ai zhvendoset nga dhënia e perspektivave disi të ngushta te perspektivat më të gjera ku gjërat i diskuton nga një distancë objektive, si për të na shpërfaqur panoramën e botës, dhe detajet e hollësishme të një detajisti skrupuloz. Libri është i mbushur me ironi dhe skepticizëm, por gjithashtu me një ndjenjë të thellë humanizmi dhe dashurie për njerëzit dhe vendet që viziton.
Balla lëviz nga një kontinent në tjetrin, nga hapësira post-sovjetike te ato post-koloniale, nga Perëndimi i afërt në Lindjen e largët, i shtyrë jo vetëm nga kureshtja njerëzore, por më shumë nga pasioni i gazetarit. Ky pasion është i dukshëm në çdo faqe të librit, duke e bërë atë jo vetëm një lexim tërheqës, por edhe një eksperiencë që të bën të reflektosh mbi vendin tënd dhe rolin tënd në botë. Reflektim në 360 gradë, por në të gjitha boshtet, sikur të jesh brenda ... sferës së globit.
Një libër për të gjithë
“Koli i Bardhës shkon në Afrikë” është një libër që do të tërheqë lexuesit e ndryshëm. Për ata që duan të zbulojnë botën përmes syve të një udhëtari të pasionuar, - kur udhëton ai është shqiptari udhëtar, jo antishqiptari i mëmëdheut që kritikon veset tona kombëtare,- ky libër është një udhërrëfyes i përsosur. Për ata që kërkojnë një reflektim më të thellë mbi ndryshimet globale dhe sfidat e botës moderne, libri ofron një perspektivë të dikujt që e njeh botën prej një kohe të gjatë. Duket sikur kjo njohje e pandërprerë zë fill të pashkëputur nga betejat në oborrin e pallatit, nga afërsia me ambasadën polake- reflektimi për Poloninë është shumë origjinal, nga televizori Adriatik, nga eksperienca në BBC dhe drejtimi për një kohë të gjatë i mediave, deri tek prekja me dorë, i të gjithë paraleleleve të globit, i udhërrëfyer në çdo cep të saj. Dhe për ata që thjesht duan të shijojnë një tregim të shkruar me pasion, kjo është një ftesë për të udhëtuar me të, jo vetëm përmes kontinenteve, por edhe përmes emocioneve dhe mendimeve që na bëjnë njerëz. Sikur ky udhëtim të ishte edhe video - instagrami u shpik vonë kur Koli mbase e kishte prekur një milion kilometra -, përjetimi do të ishte unik.
* Sokol Balla promovoi në nëntor 2024 librin e tij më të fundit “Koli i Bardhës shkon në Afrikë”, botim i UET Press