Se çfarë rëndësie e ndikimi ka letërsia, mjafton të kujtojmë Gëten, i cili thoshte se rënia e saj tregon rënien e një kombi. Përtej formimit intelektual e kënaqësisë individuale, letërsia është një gur themeli për lëvizjen e shoqërive dhe popujve. Është mjet zgjimi dhe rebelimi. Rrugëton në shekuj me personazhe, histori e ngjarje dhe bëhet kujtesë e gjallë e një kombi, siç dhe e cilësonte nobelisti Aleksandr Solzhenitsyn.
Letërsia shqipe, edhe pse jo shumë e lashtë, jo shumë e njohur botërisht, gëzon entitetin e vet. Ka historinë, ka autorët, ka botimet, lexuesit, ka ndikimin e vet në kulturën shqiptare. Për këtë qëllim, për të nderuar, përkujtuar, promovuar të shkruarit dhe lexuarit shqip, zhvillohen një sërë eventesh letrare, mbahen panaire, jepen çmime, çelen diskutime. Tashmë ky mozaik do të jetë më i plotë me ngjarjen më të re kulturore në vend, organizimin e Festivalit Shqiptar të Letërsisë.
Nga vetë emri, Festivali Shqiptar i Letërsisë është një fest, një kremtim, një platformë promovimi për letërsinë shqipe, klasike apo bashkëkohore. Kjo ngjarje kulturore do të bashkojë shkrimtarë, poetë, kritikë dhe lexues nga e gjithë hapësira shqiptare, të cilët jo vetëm do të ndajnë krijimtarinë e tyre letrare, por do të jenë pjesë e diskutimeve, sa i përket qasjeve, fenomeneve e tendencave që vijnë rishtazi në letërsinë tonë.
Festivali synon të bëhet pjesë e rëndësishme e jetës letrare, duke u shndërruar në një hapësirë për elaborimin e temave që prekin zhvillimet e fushës, identitetin kulturor, çështjet sociale, duke inkurajuar bashkëpunimin ndërkufitar mes shkrimtarëve nga rajone të ndryshme. Për këtë arsye diskutimet do të përfshijnë edhe sfidat me të cilat përballet letërsia shqipe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe diasporë.
Nën organizimin e Bashkisë Lezhë, Prince Adriatic Resort, Institutit Liberal të Tiranës Pashko dhe shtëpisë botuese UET PRESS, Festivali Shqiptar i Letërsisë do të mbahet gjatë tre ditëve në Lezhë, në datat 18-20 prill. Ky edicion i parë do të ketë të ftuar 25 shkrimtarë, studiues, publicistë, kritikë të letërsisë, si edhe 25 maturantë nga shkolla të mesme publike e private nga i gjithë vendi.
Githashtu, gjatë zhvillimit të festivalit do të akordohet edhe Çmimi At Zef Pllumi për veprën më të mirë publicistike dhe memoaristike, duke vijuar një traditë disa vjeçare të Bashkisë Lezhë, që mban gjallë shembullin e fratit françeskan dhe vlerëson shkrimtarët shqiptarë që lëvrojnë zhanre të publicistikës, monografisë dhe memoaristikës.
Sipas organizatorëve, festivali është parashikuar të ketë panele diskutimi në dy ditët e para, ku si tematikë qendrore do të kenë prirjet e reja në letërsinë shqipe dhe rivendosjen e kritikës letrare. Dita e tretë do të jetë më e fokusuar te lexuesit e rinj dhe te qasja apo përfshirja që ata kanë në epokën e letërsisë digjitale. Eventi do të mbyllet me dhënien e Çmimit At Zef Pllumi.
Festivali Shqiptar i Letërsisë synon që në edicionet e ardhshme të ketë të një të ftuar special; shkrimtarë të njohur e me reputacion në skenën ndërkombëtare të letërsisë, fitues çmimesh prestigjioze letrare botërore apo autorë që janë pjesë e diskursit publik.