Komisioni kryesor i Kongresit, foto nga Kel Marubi (1870–1940)
Kongresi i Manastirit ishte një konferencë akademike e mbajtur në qytetin shqiptar të Manastirit nga 14 deri më 22 nëntor 1908, me qëllim standardizimin e alfabetit të shqipes. Ai ishte Kongres i unifikimit, zgjimit dhe ndriçimit të vetëdijes kombëtare. Përpara Kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej nga një kombinim i gjashtë ose më shumë alfabeteve të ndryshme. Në 14 nëntor 1908 perfaqësues të shumë grupeve të cilët e shkruanin gjuhën shqipe me alfabete të ndryshme u mblodhën në shtëpinë e Fehim Zavalanit, e cila shërbente si seli e sindikatës.
Ishin 50 delegatë, që përfaqësonin 26 qytete, qyteza dhe shoqata kulturore e patriotike të banuara nga shqiptarët, prej të cilëve 32 kishin të drejtë vote në kongres, dhe 18 ishin vëzhgues. Pjesëmarrës në kongres ishin figura të shquara të jetës kulturore dhe politike nga trevat e banuara me shqiptarë në Ballkan, si dhe në mbarë diasporën shqiptare. Komisioni drejtohej nga Gjergj Fishta, Mid'hat Frashëri, Ndre Mjedja dhe Luigj Gurakuqi. Komisioni kishte arritur në një përfundim që cdo tingull do kishte një gërmë më vete. Ndre Mjedja mëngjesin e 22 nëntorit prezantoi alfabetin shqiptar me 36 gërma ku cdo tingull kishte një gërmë dhe ku bashtingëlloret përbëheshin nga bashkimi i dy gërmave.
Pas shumë diskutimesh mes delegatëve për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe, u zgjodh alfabeti latin. Është interesante dhe përmendja më e hershme e njohur e shkrimeve shqiptare që vjen nga një dokument i kishës katolike franceze të vitit 1332 që thotë: "Megjithëse shqiptarët kanë një gjuhë krejtësisht të tyren dhe të ndryshme nga latinishtja, ata megjithatë përdorin shkronja latine në të gjithë librat e tyre".
Dokumenti i vendimit përfundimtar të Kongresit të Manastirit, me nënshkrime nga të gjithë delegatët.
Kel Marubi (1870–13 mars 1940)
Kel Marubi (1870–1940) ishte fotograf, piktor dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare. I quajtur fillimisht Mikel Kodheli, ai mori mbiemrin Marubi pasi trashëgoi studion e fotografit italian Pietro Marubi, ku kishte filluar si çirag pas vdekjes së vëllait. Ai u shkollua në Trieste për fotografi dhe më vonë u bë një nga figurat më të njohura në fushën e fotografisë në Shqipëri, duke shërbyer edhe si fotograf në Oborrin Mbretëror gjatë monarkisë.
Në fushën e patriotizmit, në vitin 1908 themeloi klubin “Gjuha shqipe” në Shkodër dhe një vit më vonë drejtoi grupin patriotik “Bashkimi”. Shpërndai gazetën Albania e Konicës dhe themeloi gazetën “Zani i Shkodrës” në gjuhën shqipe dhe osmane. Vdiq më 13 mars 1940 në Shkodër dhe trashëgiminë e tij artistike e vazhdoi i biri, Gega Marubi.
Përgatiti : Hemelita Boriҫi