Pasi ishte informuar për luftën e brendshme në PD, Ngjela i kishte propozuar Pashkos daljen në zgjedhje me emrin e Jusuf Vrionit si kryeministër hije i Partisë Demokratike dhe gjithë forcave të reja të spektrit opozitar. Me gjasë, Pashko i kishte blatuar shokut të vjetër magjepsjen e dikurshme, shoqëruar me fjalët dhe gjestet e pamundësisë. Ku kishte në PD signoritet për gjëra të tilla? PD-në po e merrte lumpeni! Por sa u habit kur mori vesh se unë kisha folur me Sali Berishën për Jusuf Vronin. Erdhi dhe më pyeti çfarë i kisha kërkuar konkretisht Berishës për përkthyesin e Kadaresë. Iu përgjigja: Ta ftojmë të kandidojë për partinë tonë. Kaq? Kaq. Ahaa, ia bëri Gramozi. Dhe shtoi me qesëndi, siç e kishte zakon kur pyeste për gjera që dyshonte se do të bëheshin: Do të pranojë, thua?
Në fakt Berishës i kisha paraqitur mendimin tim për konsiderimin e Vrionit si një kandidat për kryeministër. Berisha nuk kishte bërë asnjë objeksion, por më kishte kërkuar t’i merrja punët me radhë dhe të tregohesha diskret, duke qenë se në PD kishte edhe të tjerë që e kishin atë ambicie. “Ftoje njëherë të kandidojë për deputet, ka kohë për të tjerat”, më kishte thënë. Përgjigja ime: “E kuptova”.
Jusif Vrioni preferoi të më priste në shtëpi kur i kërkova ta takoja. Banonte në një vilë të rrethuar me pemë dhe hardhi jo larg selisë së PD-së, midis një blloku ndërtesash në pjesën perëndimorë të lagjes së ambasadave të huaja. Gjëja e parë që më ra në sy, kur iu afrova vilës, ishin dy motorë relativisht të rinj, mbështetur në murin anësor të saj. Hapja kishte filluar të punonte për familjen Vrioni. Edhe në atë vilë, me sa mbaj mend, nuk kishin shumë që ishin vendosur.
Më priti e shoqja, Agi, një grua e përzemërt, timide, dukshëm me e re se Jusufi, të cilën po të mos e njihje, të krijonte përshtypjen sikur sapo kishte qarë, por në fakt ashtu e kishte pamjen. Ajo me hoqi rrugën në dhomën e miqve, m’u lut të prisja pak dhe shkoi të merrte diçka për të me qerasur. Në heshtjen që pasoi dëgjova Jusufin në dhomën ngjitur tek po i diktonte dikujt në telefon në italisht, duke i ndarë shkoqur fjalët e fjalitë, një tekst që ngjante të ishte një si kronikë a reportazh nga Shqipëria. Dija italisht dhe nuk mund të mos kapja mes frazave neutrale një fjali që me preu gjunjët, duke më parashkruar kotësinë e misionit tim në shtëpi¬në e tij. Fraza ishte pak a shumë kjo: përkundrejt tensionit dhe trazirave që kanë shoqëruar zhvillimet e kohëve të fundit, Partia e Punës në pushtet është përpjekur të përshtatë një qëndrim të moderuar, që kontraston me linjën e ashpër të opozitës.
Vetvetiu e përsërita dy- tre herë në italisht frazën “contrasta con la linea dura del oposizione”, duke mejtuar a ishte kjo frazë një njoftim, apo ishte një pohim i spërkatur me mosmiratim, kundërshtim. Në vija të përgjithshme linja jonë kishte qenë dhe ishte vërtetë më e ashpër se linja e Partisë së Punës dhe s’mund të ishte ndryshe: ne kishim qenë në sulm, ata në mbrojtje, ne kishim patur e kishim shpatën, ata mburojën, ne kishim dalë në skenën e kohës për të rrëzuar, ata për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohej, ne ishim forca e ndryshimit, ata në rastin më të mirë ishin forca për tu tërhequr prej nesh si një barrë. Në këto kushte, moderacioni i tyre nuk ishte një zgjedhje, por një përshtatje, një pamundësi për të vepruar ndryshe…
Jusufi ndërkaq kishte mbaruar së diktuari tekstin e tij dhe ja ku erdhi për të më uruar mirëseardhjen me kortezinë e tij karakteristike plot etiketë, por edhe vërtetësi. Mua m'u duk e pandershme të hiqesha sikur nuk kisha dëgjuar gjë. I thashë me të qeshur se dera e hapur më kishte bërë padashje marrësin e parë të korrespondencës së tij.
-Ashtu?- ia bëri me zërin e tij të butë si mëndafsh dhe fytyra iu çel si nga një sekret i vogël, i pa të keq. -Po raportoja si gazetar, në këmbë të djalit tim, që ndodhet në Itali në këtë periudhë,-shtoi teksa mbyti me një psherëtimë buzagazin më të cilin i shoqëroi këto fjalë. Unë mendova me vete: Një talent që kushtet e jetës dhe nevojat e kanë detyruar të përkthejë veprat e Enver Hoxhës në frëngjisht nuk mund të akuzohet se po shpërdorohet duke bërë një punë të vogël në emër të të birit që mund të ketë mbetur pa para në Itali.
-E marr me mend pse ke ardhur, - u hodh drejt e në temë me atë zërin e tij të mëndafshtë, të çiltër- E kuptova qëkurse nuk ma the në telefon qëllimin e vizitës. Se po të kishe ardhur për intervistë, do më kishe paralajmëruar, apo jo?
-Kam ardhur t’ju ftoj të pranoni një propozim të Partisë Demokratike për të kandiduar si kandidat i saj në këto zgjedhje!- thashë aty për aty duke dashur të mbaja në këmbë solemnitetin e ftesës që tjetri ma kishte lexuar në xhep. Nënqesha pak më të folurën time të kërkuar dhe Vrioni vuri buzën në gaz gjithashtu. I kishte të gjitha të drejtat të më imitonte, por nuk më imitoi kur m’u përgjigj:
-Me keqardhje, me falënderime, me respekt për ty dhe shokët e tu, pa dyshim, më duhet t’ju them jo. Nuk do të kandidoj për asnjë parti.
Heshti pak dhe shtoj si të ishte kujtuar befas për diçka:
- Nuk kam ndërmend të merrem me politikë.
Nuk donte të dukej se e kishte me ne, me Partinë Demokratike. Në fakt e kishte edhe me ne. Kishte disa vërejtje miqësore, shoqërore, “vërejtje plaku pa ambicie politike”, tha më të qeshur, duke e pastruar edhe më shumë fushën e bisedës nga paragjykimet e interesit politik vetjak. Dhe më foli pastaj për komportimin. Këtë fjalë përdori -komportimin- që ishte një fjalë sferike dhe e butë për natyrën e vërejtjeve që kishte.
Nuk i pëlqente sjellja, stili dhe fjalori i disa drejtuesve të Partisë Demokratike, të cilët “japin tonin”, tha, duke më zbuluar vetvetiu edhe shkakun e vërtetë pse nuk pranonte të ishte kandidati ynë, ndoshta as votuesi ynë, megjithëse këtë lëshim mund edhe të na e bënte për hir të kalvarit që kishte kaluar. Nuk ishte rroba e tij stili i ashpër, vulgariteti dhe arroganca që shfaqnin disa prej figurave të reja politike. I kujtonin të kaluarën, falangat e dikurshme, që kishin zbritur nga mali me parullat e një botë të re. Kauzat dhe tipat shëlbues i rrëqethnin mishin.
E kuptoja, madje isha dakord pjesërisht me të, por mos harro, i thashë, se pyka del me pykë, nuk janë të gjithë intelektualë.
-Gabim, gabim, gabim-! përsëriti me një zë qe erdhi duke u shuar sikur po mbytej. Pushoi një grimë dhe vazhdoi me ngulmim:
-Del një pykë, hyn një pykë. Nuk është zgjidhje kjo.
Nuk mund t’i thosha asgjë veç “kështu është Shqipëria, vjen rrallë në shijen tonë, ose vjen ngadalë” dhe ai e kuptoj se edhe unë kisha brengat e mia për “komportimin” në PD, prandaj nuk e zgjati më. Mirë që po më kthente duarbosh, por të më kthente edhe të dëshpëruar- kjo ishte shumë.
Më përcolli deri në oborr, një mirësi jashtëkohore valëzonte në vështrimin e tij të kulluar dhe në zërin e tij të veshur me notat e gugatjes së një pëllumbi. Nuk do të çuditesha po të ma bënte me dorë dhe të zhdukej në çast në ajrin e asaj dite me buzëqeshjen e respektueshme në buzë. Shtrënguam duart, ndjeva lëkurën e tij të vjetër e të lëmuar në dorën time, u përqafuam si ta dinim se po me hidhte mantelin e tij të Centaurit, për të më nxjerrë ai mua nga PD-ja në të ardhmen dhe jo për ta marrë unë atë.
Do ta ritakoja pas shtatë muajsh Jusufin në një drekë që Minisitri i Kulturës i Francës, Jacques Lang, do të shtronte në Paris për mua, si homologu i tij shqiptar, dhe për personalitetet e kulturës shqiptare me qëndrim të përkohshëm apo të përhershëm në Francë. Jusufi vinte menjëherë pas Ismail Kadaresë në hierarkinë e të ftuarve, madje kureshtja e palës franceze për të ishte edhe më e madhe. I kishte hija biseda, e nderonte me gjithë mend fytyrën intelektuale të Shqipërisë. Për dreq, ishte i ngarkuar sërish me problemet e të birit, gjë që e irritonte shumë Kadarenë.
U ktheva në seli me ndjenjën e tehujëzimit që kishte injektuar vetvetiu në entuziazmin tim Jusuf Vrioni. Isha pak i hutuar, më dukej se e kisha të shkruar në ballë se kisha qenë diku ku kisha ndryshuar. Berishës ia raportova në një formë më të butë refuzimin e Vrionit. Nuk doja ta mërzisja, ca më pak ta dekurajoja.
“Ai nuk dukej në formë për të ndjekur ritmin dhe stilin tonë”, i thashë. Nuk reagoi, nuk tha asgjë. Ndoshta vuante edhe ai që elita e fashës së traditës dhe kulturës nuk ishte fort entuziaste me alternativën tonë.
*Shkëputur nga libri i publicistit Preç Zogaj, “FILLIMET, ngjarje, dëshmi, kronikë, refleksione nga vitet ‘90-’92”, botuar nga UETPRESS