Hakmarrje, larje hesapesh
Një mendim i ri, më pak se zhgënjim dhe më shumë se dyshim, filloi të bënte fole në mendjen e pjesës më të kultivuar të shoqërisë shqip¬tare teksa po shihej se pushtetarët e rinj kishin prerjen e të vjetërve, me mendjemadhësinë dhe dëshirën e tyre të dukshme për të futur nën kontroll çdo gjë. Një mur i ftohtë filloi të ngrihej mes publi¬kut dhe pushtetit të ri. Mediokriteti po jepte tonin. Revanshizmi si tregues i varfërisë mendorë dhe si mbushje e demagogjive boshe po nisej me të katra. Hakmarrjet e vogla apo të mëdha gjithash¬tu. Me veglat dhe bufonët e tij, Presidenti gjente kohë, për të mos thënë e kishte në rendin e ditës dhe për kënaqësi gjithashtu, t’u prishte qetësinë dhe gjakun individëve që e kishin kritikuar apo kundërshtuar në parti.
Në këtë kuadër, Kontrolli i Lartë i Shtetit i hyri menjëherë punës për të kontrolluar me themel veprimtarinë ekonomike dhe financiare të Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës ku kishte drejtuar përgjatë një periudhe dhjetë mujore F.Çupi, i shkarkuar menjëherë nga Ministrit i ri i Kulturës. Çupi u akuzua për shpërdorime dhe abuzime të shumta. Miqtë e tij të vërtetë apo të supozuar, përfshirë mua që e kisha emëruar në atë detyrë dhe kisha kundërshtuar ta shkarkoja, u përfolën dhe u përbaltën sikur kishin përfituar në mënyrë të padrejtë materiale nga inventari i ish muzeut të Enver Hoxhës.
Dosja e Kontrollit të Shtetit në ngarkim të ish drejtorit të QNK-së u kaloj për hetim dhe gjykim organeve të drejtësisë. Gjykata do t’i gjente të pabazuara akuzat kundër Frrokut. Akti i Kontrolli i Shtetit do të rrezultonte një fiasko tipike e hak¬marrjes së verbër, por nuk do të kalonte pa berë dëme. Frroku do të detyrohej të largohej nga Shqipëria dhe të jetonte për një kohë të gjatë në Greqi me çantën e ikanakut krahqafë, i përndjekur gjithnjë nga erinitë hakmarrëse të Tiranës së re politike. Mua më mbyllen arbitrarisht, me arsye të paqarta që ndryshonin nga java në javë, llogarinë e revistës së përmujshme “Spektër”, derisa ortaku im ital¬ian i shtypshkrimit, Elio Richiutti, që kishte përvojë të madhe në marrëdhënie me politikanët, vendosi të tërhiqej nga bashkpunimi dhe unë u detyrova ta mbyll revistën. Nuk i mora kurrë paratë e bllokuara në llogarinë e “Spektër” nga Kontrolli i Shtetit, i bëra të humbura si plot llogari e debite të tjera në qeveritë e tranzicionit.
Në fillim të muajit maj, pa u mbushur mirë tridhjetë ditë nga instalimi i pushtetit të ri, Gramoz Pashkos i mbërriti një letër nga bashkia e Tiranës. E njoftonin se emri i babajt të tij, Josif Pashko, ishte në listën e ish funksionarëve të lartë të regjimit komunist që do të zhvarroseshin nga varrezat e dëshmorëve të kombit sipas një vendimi të qeverisë. Prandaj duhej të paraqitej herët në mengjes për të asistuar në zhvarrimin eshtrave të të jatit dhe trasferimin e tyre në varrezën komunale të Sharrës. Njoftimi ra si bombë në familjen e Gramozit. Zhvarrosja e të jatit në një ditë me shvarro-sjen e Enver Hoxhës ishte ironia e skajshme, diabolike patjetër, e qeveritarëve demokratë me të. Por nuk e bëri veten. E kishte ndarë mendjen të shtërngonte dhëmbët sa të ishte e mundur.
E vetmja gjë që kërkoi nga bashkia, në fakt nga autoritetet më të larta të shtetit pasi bashkia ishte vetëm një punëtore krahu në këtë histori, ishte caktimi i një ore sa më të hershme dhe pa të pranishëm të tjerë në zhvarrimin e të jatit. Donte të shman¬gte kontaktin me familiaret e Enver Hoxhes dhe ish byrositëve të tjerë të vdekur që do të zhvarroseshin po atë mengjes. Nuk mori përgjigje për kërkesën. Ia gjeti anën vetë ta shmangte në zhvarrim përballjen me familiarët e Enver Hoxhës. Por nuk e shmangu dot në rivarrim.
Ishim një grup miqsh të Gramozit që shkuam me të, prapa arkës së eshtrave të babajt të tij, në varrezën e Sharrës. Atje pamë se Nexhmije Hoxha dhe familarët e saj kishin mbërritur para nesh dhe po e mbulonin me kurora lulesh varrin e ri të Enver Hoxhës. Disa prej tyre shikuan pa folur në drejtim të kortezhit të Pashkove. Nuk ishte nevoja për të thënë fjalë. As Jozef Teler, shkrimtari ameri¬kan i homorit të zi, nuk do ta kishte kurdisur kaq mirë “futjen” e Pashkove në bllok nepërmjet një zhvarrimi. Gramozi ishte vrer. Lotët i rridhnin prapa vrerit.
*Shkëputur nga libri i publicistit Preç Zogaj, “FILLIMET, ngjarje, dëshmi, kronikë, refleksione nga vitet ‘90-’92”, botuar nga UETPRESS