Letërsi

HISTORIA E NJË LIBRI/ Metamorfoza e Franz Kafkës - pasi e tjetërson, absurdi triumfon në fund ‘dhe e shtyp individin’

Shkruar nga Aranit Muraçi

HISTORIA E NJË LIBRI/ Metamorfoza e Franz Kafkës - pasi e

Metamorfoza e Franz Kafkës është një ndër ato vepra që të fut thellë në mendime pasi e ke lexuar. Nuk është thjesht historia e një njeriu që shndërrohet dhe zgjohet si një insekt, por një reflektim i thellë filozofik mbi tjetërsimin, identitetin dhe absurditetin e ekzistencës njerëzore.

Nga një këndvështrim ekzistencialist, transformimi i Gregor Samsa-s mund të shihet si një metaforë për ndjenjën e të qenit i bllokuar në një jetë që nuk e njohim më si tonën. Sa shpesh ndihemi të çuditshëm brenda vetes sonë, të shkëputur nga kush jemi, spektatorë të jetës sonë apo çfarë presin të tjerët nga ne? Gregori, duke u shndërruar në një insekt, përfaqëson ndjenjën ekstreme të çnjerëzimit, të shndërrimit në diçka që nuk i përshtatet më botës, as familjes së tij.

Kafka na ballafaqon me një ide të rëndësishme në filozofinë ekzistencialiste: izolimin e individit. Gregori, në formën e tij të re, nuk është në gjendje të komunikojë, të kuptohet apo të pranohet. Ky izolim nuk është vetëm fizik, por edhe ekzistencial. Këtu kumbon mendimi i Jean-Paul Sartre dhe ideja e tij se "ferri janë të tjerët". Gregori është i refuzuar dhe i frikësuar, dhe megjithëse brenda tij mbetet i njëjtë, ndërsa pamja e tij e dënon atë në vetmi dhe harresë.

Përveç kësaj, Metamorfoza flet edhe për absurdin, një koncept që Albert Camus e zhvillon në filozofinë e tij. Transformimi i Gregorit nuk ka asnjë shpjegim apo kuptim. Në një botë absurde, shumë gjëra ndodhin pa ndonjë arsye dhe ne si qenie njerëzore jemi të detyruar t'i pranojmë dhe t'i përballojmë ato pa marrë kurrë përgjigje. Gregori nuk e vë në dyshim pse është kthyer në insekt; ai thjesht përpiqet të përshtatet, të vazhdojë jetën e tij. Por në fund absurdi e shtyp atë.

Gregori humbet vlerën e tij para familjes në momentin që ai nuk mund të punojë më ose të përmbushë pritshmëritë sociale. Transformimi fizik pasqyron një të vërtetë më të thellë: ne jemi destinuar për të humbur vendin tonë në botë kur ndalojmë së përmbushuri rolet që na takojnë.

Metamorfoza është një paralajmërim për brishtësinë e identitetit dhe shkëputjen midis qenies njerëzore dhe mjedisit ku ai jeton. Kafka na kujton po ashtu se, në këtë botë të mbushur me norma, pritshmëri dhe gjykime, tragjedia e vërtetë po humbet lidhjen me vetë njerëzimin, dhe në këtë proces, harrohet ose hidhet poshtë nga ata që duhet të na kuptojnë.

Metamorfoza është novelë e shkruar nga Franz Kafka dhe botuar për herë të parë në 1915.
Novela është diskutuar gjerësisht në mesin e kritikëve letrarë, të cilët kanë ofruar interpretime të ndryshme.
Metamorfoza ishte e ndaluar si në regjimin sovjetik ashtu edhe në atë nazist. Bashkimi Sovjetik e përshkroi historinë e romanit si 'dekadente' dhe 'dëshpëruese'.

Franz Kafka lindi në 3 korrik 1883, në Pragë që në atë kohë bënte pjesë në perandorinë austrohungareze, sot kryeqyteti çek. Praga krenohet sot me shkrimtarin e madh, ndërsa qyteti përfiton nga vepra e tij e njohur në mbarë botën.
Shkrimtari i madh ndërroi jetë në moshën 40 vjeçare nga turbekulozi i mushkërive në Kierling të Austrisë. Por ai nuk do të vdesë kurrë me veprën që la pas, thonë studiesit dhe adhuruesit e tij.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH