Letërsi

RECENSË nga Ferit Muhic për romanin e Migjen Kelmendit, 'Darka nën bomba'- UETPRESS: Unë. Dhe ai i dyti

Shkruar nga Liberale

RECENSË nga Ferit Muhic për romanin e Migjen Kelmendit, 'Darka

UNË. DHE AI I DYTI

Migjen Kelmendi, Darka ndër bomba, roman

Nga Ferid Muhić

Është e njohur se njerëzit e shohin dhe përjetojnë jetën e tyre në tri mënyra dominuese: përmes shqisave; përmes ndjenjave; përmes refleksionit. Si pasojë, kur shkruajnë, ata të parët shkruajnë romanin për atë që kanë parë dhe dëgjuar, shijuar dhe nuhatur, prekur; të dytët shkruajnë për për-jetimin e botës, për deliriumet dhe melankolinë, për ekstazat dhe dëshpërimin, për revoltën dhe defetizmin; të tretët shkruajnë për hulumtimet mbi botën dhe veten, përmes reflektimit mbi botën dhe introspektimit mbi veten, të magjepsur nga mrekullitë e botës, të shtangur nga observimi i mis-tereve të vetë "Unit".

Disa ngjarje dramatike dhe traumatike gjatë festimit të një ditëlindjeje, provokuan te Migjen Kel-mendi shkrimtarin e këtij lloji të tretë. Dhe jo çfarëdo shkrimtari, por një shkrimtar i klasit të parë, një hulumtues origjinal dhe lucid i asaj që ne e marrim si të mirëqenë kur e quajmë 'vetvetja jonë'. Në këtë festë ditëlindjeje të përmendur, Migjeni kalon kufirin e vetëdijes direkte dhe në një moment, nga një gjendje plotësisht të vetëdijshme, kalon në një gjendje ku kjo vetëdije e tij u zëvendësua, u mor, u pushtua nga një tjetër – Një i Dytë! I pushtuar dhe i tronditur nga fakti që një puç i tillë ndaj sovranitetit të vetëdijes mund të ndodhte, Migjeni përpiqet të përsërisë eksperimentalisht kushtet që e çuan në atë gjendje dhe të evokojë shfaqjen e atij ‘Të Dyti'. Dhe krejtësisht me të drejtë.

Sepse, kur mendohet më mirë, njerëzit ankohen pa arsye për vetminë. Ata nuk e dinë se njeriu jo vetëm që nuk është kurrë i vetëm, por asnjëherë nuk mund të jetë i vetëm! Edhe sikur të donte. Nëse do të jemi të sinqertë, të gjitha shqetësimet tona rrjedhin nga fakti që nuk mund të jemi vetëm. Kur Jean-Paul Sartre shkroi: “Ferri, janë të tjerët!”, ai ishte afër të ja qëllonte të vërtetës, por megjithatë huqi. Një gabim gramatikor i kushtoi shtrenjtë. Po të kishte formuluar këtë mendim jo në shumës (“…janë të tjerët”), po në njëjës ("... është (ai) i Dyti (në mua)” - singular), do të kishte goditur të vërtetën direkt në kokë. Ose - në zemër. Sepse e vërteta nuk është një monopol ekskluziv as i mendjes, as i ndjenjës.

Blaise Pascal kishte të drejtë kur theksoi se ekzistojnë dy lloje të logjikës dhe dy lloje të ndryshme të së vërtetës që rrjedhin nga ato. Duke konstatuar se “Zemra ka arsyet e saj për të cilat arsyeja nuk ka asnjë ide”, ai vuri në dukje se përveç logjikës së mendjes, ekziston edhe logjika e zemrës (logique du cœur), duke postuluar në mënyrë eksplicite ekzistencën e dy individëve të pavarur brenda një tërësie që përfaqëson çdo njeri.
Unë. Dhe, ai i Dyti.
Ekzistenca e atij të Dytit në çdo njeri është evidente që nga mundësia e introspekcionit, ose auto-analizës. Njeriu vëzhgon veten. Kush është ai që vëzhgohet dhe kush është ai që vëzhgon? Nëse introspeksioni si proces mund të ilustrohet më së miri me figurën paradoksale të njeriut që nga ballkoni i shtëpisë sheh veten ndërsa kalon në rrugë, megjithatë kjo nuk e zgjidh, por e komplikon përfundimisht pyetjen: kush është "unë" i vërtetë: ai që është në ballkon apo ai që është në rrugë!?

Gjatë gjithë romanit, Migjen Kelmendi, autori, vëzhgon dhe ndjek atë 'Të Dytin' ndërsa kalon përmes sprovave dhe traumave në rrethana që janë jaspersianisht dramatike të krizës ekzistenciale përmes së cilës kaluan të gjithë banorët e Kosovës në hilijazën (mileniarizmin) e fundit të mijëvjeçarit të kaluar, gjatë dekadës së fundit të shekullit të 20-të dhe dekadës së parë të shekullit të 21-të, pra, mes viteve 1990 dhe 2010.

Eksperienca e tij personale e përjetuar drejtpërdrejt, së bashku me erudicionin impresiv dhe talentin e theksuar observues, i mundësuan autorit që me mjete letrare, në mënyrë bindëse, estetikisht sovrane dhe sugjestionuese, të shndërronte në roman një pamje të gjerë të ngjarjeve politike në Kosovë dhe të evokonte detajet më të imta të gjendjeve dhe dilemave emocionale, si të tijat, ashtu edhe të njerëzve më të afërt – dy shokëve të tij më të mirë të shkollës së mesme, prindërve dhe disa akterëve të rastit, por autentikë, të ngjarjeve të turbullta që kulmuan me aksionin e madh të deportimit të shqiptarëve të Kosovës, të organizuar nga autoritetet dhe të reali-zuar nga Ushtria e Serbisë, në atë kohë ende formalisht SR Jugoslavia.

Edhe pse titulli i romanit të Migjenit Darka ndër bomba është kaq efektiv, saqë menjëherë tërheq dhe zë gjithë vëmendjen tonë, tema e tij e vërtetë është enigma e dyzimit personal, konkretisht fe-nomeni psikologjik i pazgjidhur i ekzistencës së dy individëve në çdo njeri.

Marrëdhënia e tyre shfaqet në dy forma: 1. Kur të dy individët veprojnë në mënyrë të pavarur, pa kontroll mbi veprimet e njëri-tjetrit, shprehur në ekuacionin: "Unë. Dhe ai i Dyti."; 2. Kur janë relativisht të pavarur, por thelbësisht të lidhur dhe të vetëdijshëm si instancë morale, shprehur në ekuacionin: "Unë dhe ai i Dyti". Situata e parë është, në fakt, diagnoza e skizofrenisë. Unë dhe ai i Dyti jemi vetëm së bashku me forcë, të kapur në të njëjtin trup, por çdo njëri prej nesh bën atë që do. Ne nuk kërkojmë llogari nga njëri-tjetri, nuk kontrollojmë njëri-tjetrin. Situata e dytë është definicioni i dyzimit psikologjik dhe moral të njeriut normal. Jemi këtu, jemi së bashku, edhe unë edhe ai i Dyti, në momentet kyçe të jetës përpiqemi të pajtohemi dhe të korrigjojmë njëri-tjetrin, në përputhje me konstatimin e Pascal-it që veprimet e njeriut të shëndoshë mendor reduktohen në përpjekjen për të gjetur ekuilibrin midis logjikës së zemrës dhe logjikës së arsyes (“Trouver l'equilibre entre logique de le coeur et logique de la raison”).

Përveç se është një vepër letrare jashtëzakonisht efektive dhe një dokument i rëndësishëm nga një dëshmitar i dorës së parë për tragjedinë dhe golgotën pak të njohur të shqiptarëve të Kosovës gjatë vitit 2000-2001, ky roman është një histori për përpjekjen e Migjen Kelmendit që, në kushte ekstremisht tensionuese dhe në periudhën vendimtare dhe konvulzive të jetës së tij, të gjejë ekuilibrin mes logjikës së zemrës dhe logjikës së arsyes së tij.

Romani i tij brilant "Darka ndër bomba" është dëshmi prima facie që kjo përpjekje ka qenë e suksesshme. Ashtu si në kult poezinë e Juan Ramos Jimenez, Unë nuk jam unë (Yo no soy yo), përmes këtij romani dhe gjatë gjithë jetës, Migjeni dhe ai i Dyti ecin së bashku, të pandashëm.

Unë nuk jam unë
Jam ai
Që ecën pranë meje dhe nuk e shoh
Që herë-herë e kujtoj,
E herë-herë e harroj,
Ai që hesht në qetësi kur flas,
Dhe që fal, i përulur, kur urrej,
Ai që do të vazhdojë kur të ndalem
Ai që do të qëndrojë në këmbë kur të vdes.


*Autori është me vokacion filozof, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Bosnje dhe Hercegovinës, dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë Veriore

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH