Letërsi

Letërisa surreale e Sabajeta Peposhit

Shkruar nga Liberale

PETRIT PALUSHI

Në përmbledhjen “Dallori i shpirtit tim” përfshihet krijimtaria letrare e Sabajeta Peposhit (Poezi, proza, ese). Botimi i krijimtarisë letrare - si një shenjë nderimi për autoren, e cila u nda prej jete pa i mbushur 24 vjetët, por dhe si respekt dhe detyrim ndaj një arti të cilësishëm.

Sabajeta Peposhi në moshën 21-vjeçare pothuajse e mbylli krijimtarinë e vet.

Kështu i erdhën rrethanat ose i ftoi me vetëdije të plotë rrethana të tilla të ndërpriste krijimin. Mbi këtë moshë, ajo shkroi pak proza, tek-tuk edhe ndonjë poezi që e shënoi në fletoret e leksioneve kur ndiqte Fakultetin e Gazetarisë.

Ishte një zë i freskët, i çelur bukur, me një çelje plot dritë të shkëlqimtë.

E diferencuar ne faqosje

Sabajeta Peposhi u lind në Kukës më 20 qershor 1986.

Gradualisht u përpoq të formësonte profilin e vet dhe përveçse të ruante brishtësinë, delikatesën dhe të njerëzishmen, u fut në fushën e letërsisë, e pajisur me ndjesinë e të shkruarit, me talentin fort të dhuntishëm dhe me punën përkushtuese njëkohësisht.

Qe shumë filozofike në konceptet që parashtronte në shkrimet e saj.

- Në vitin 1998, në moshën 12-vjeçare, në konkursin letrar të nxënësve të shkollave tetëvjeçare të Kukësit, fitoi vendin e parë.

- Në vitin 1999, në moshën 13-vjeçare botoi përmbledhjen poetike “Në qetësinë e qiellit” (Kl. letrar “A. Pashku”, Kukës).

- Qysh prej asaj kohe botoi cikle me poezi dhe prozë në organe të ndryshme letrare (Tiranë, Prishtinë, Shkup); përfshihet gjithashtu me dhjetë proza në përmbledhjen “Para pasqyrës” (2004) si dhe me esenë “Karvani i yjeve të përlotur” në përmbledhjen “Fjala në litar” (Shkrime për Havzi Nelën), 2005.

- Në vitin 2004, fitoi vendin e parë në Konkursin letrar të nxënësve të shkollës së mesme “E. Çabej” (Tiranë), me poezinë “Atdheu” dhe vendin e dytë me prozën “Lëmshi”.

- Maj 2008, botoi përmbledhjen me proza “Mungesë në ballo” (Ombra GVG).

- 2 korrik 2008, në Ditën e Komunikimit në Departamentin e Gazetarisë, mori çmimin e parë (Atelieja e radios).

- Në vitin 2008, mbaroi Fakultetin (Dega gazetari, Tiranë).

- 2008, 2009, deri në mars 2010, punoi në disa organe shtypi të Tiranës.

- Ndahet prej jete me 27 Prill 2010, në orën 17.30.

- Në fund të vitit 2010, proza e saj “Në tren”, përfshihet në Antologjinë "Shqipëria tregon. 1991-2010", përgatitur nga A. Klosi dhe E. Demo, por që autorja nuk pati fatin ta shihte një libër të tillë.

- Maj 2014. Klubi letrar “Anton Pashku” Kukës, themelon Çmimin letrar Sabajeta Peposhi, si shenjë nderuese për të talentuarën Peposhi dhe njëkohësisht nxitje për krijuesit e rinj.

1.

Qe janari i vitit 1998.

Drejtoja jurinë e një Konkursi letrar të shpallur për nxënësit e shkollave 8-vjeçare për rrethin e Kukësit. Gjatë përzgjedhjes, më ra një sy një fletore me rreth 20 poezi, të shkruara me një shkrim të kujdesshëm. Në kapakun e fletores, emri dhe mbiemri i autores: Sabajeta Peposhi.

Sabajeta ndiqte mësimet në klasën e pestë. Nuk qe vështirë të dalloje se poezitë e saj spikasnin tepër për kah cilësia në krahasim me poezitë e afër 40 nxënësve të tjerë dhe aspak e vështirë për Jurinë e Konkursit t’i jepte 12 vjeçares vendin e parë. E njoha të voglën Sabajeta, ose Sabin, siç e thërrisnin shokët e shoqet e klasës: trupimët, e brishtë, me sy mbushur gjithë dritë, jashtëzakonisht e ndrojtur.

Mbas një viti e gjysmë më solli dy fletore të tjera me poezi dhe proza.

Por qe mjaft befasuese për mua kur më tha se libri që i kish pëlqyer më tepër qe “Plaku dhe deti” i Hemingueit. I lexova me vëmendje poezitë dhe prozat e saj, pata një ndjesi fort të këndshme dhe nisa të përkujdesem seriozisht për krijimtarinë e saj.

Një vit më vonë, kur ajo sapo kish kaluar të trembëdhjetë vjetët dhe sapo kish nisur klasën e shtatë, boton librin me poezi “Në qetësinë e qiellit”, që u prit me shumë entuziazëm tek nxënës e mësues të Kukësit e Prizrenit.

Në hyrje të librit pata nënvizuar:

“Ajo shkruan thjesht, pa kurrfarë retorizmi, pa fjalë të përgjithshme që mund të vihen re në pjesën më të madhe të nxënësve, sidomos të shkollës tetëvjeçare, që merren me shkrime letrare, kryesisht me poezi; shkurt, shkruan e shtyrë nga frymëzimi, vetëm nga ajo shtysë e brendshme që sjell në jetë poezinë”.

Në krye të dy a tri vjetëve, krijimtaria e saj në poezi e prozë pati një ngritje të çuditshme sa vështirë mund të hetohej se autorja qe gjimnaziste. Boton në organe të ndryshme letrare (Tiranë, Prishtinë, Shkup, Prizren). Tërheq vëmendjen e krijuesve, si V. Koreshi, R. Musliu, L. Stani, M. Gjana, A. Selmani, A. Podrimja, A. Morina, D. Mehmeti, L. Lleshanaku, A. Tufa, G. Zela, B. Andoni, A. Vataj, H. Haxhosaj, D. Reshiti, Y. Berisha, R. Sylaj, A. Klosi, E. Demo, F. Ollomani, Z. Noka, A. Konushevci, M. Ramadani (madje ky i fundit, në qershor të 2010-s  realizoi edhe një grafikë i frymëzuar në njërën prej prozave të Sabajetës)

Kur ishte gjimnaziste në vit të tretë, zhvendoset familjarisht në Tiranë dhe ndjek mësimet në Gjimnazin “E. Çabej”.

Në kohën kur ndiqte studimet për gazetari, botoi librin me proza “Mungesë në ballo”.

Në tekstin letrar të Sabajetës, mund të shihet kuptimësia e parë, më pas nënteksti dhe në plotninë e vet teksti funksionon vetëm sipas parametrave që parasheh një tekst letrar.

Të bënte përshtypje ajo brishtësi dhe ndrojtje e saj, dhe në anën tjetër, në shkrimet e saj mund të hetoje situata thuajse të frikshme ekzistenciale. Mesa duket, ajo e shihte letërsinë si një hapësirë plot mister dhe me fije të padukshme dhe gati - gati të parrokshme.

“Jam e urtë deri në atë cak sa gjykoj se nuk më kanë cënuar në një formë apo tjetër identitetin tim si njeri. Prandaj, kujdes! Ky ishte thjesht një paralajmërim. E dua jetën në çdo sens që përfshin dritëhijet e saj, por në disfavor të errësirës së hijeve”.

Kështu shkroi në ditarin e saj më 12 janar të vitit 2004.

2.

Më thoshte se mbasi të kryente studimet e larta, do të ambientohej për do kohë me të mirat dhe mungesat në Shqipëri, dhe ndërkaq, mbasi të vijonte të mbushej me kulturën e domosdoshme që kish të bënte kryesisht me letërsinë, por dhe me diplomacinë, shumë gjëra që kish shkruar më parë do t’i rishihte, do të rimerrte motive më të hershme, do të shfrytëzonte shënime të kohëmbaskohshme dhe do t’i rikthehej krijimtarisë me energji të re.

Në shtator të 2009-s më tha gjithashtu se mbas pak kohësh do të niste të shkruante intensivisht, se kishte në mendje disa proza e poezi, por sikur s’i kishte ardhë çasti fatlum t’i hidhte në letër, por dhe me një lloj shfajësimi të lehtë se donte të shkruante më cilësisht se ç’kishte shkruar më parë.

Mbasi kreu Fakultetin për gazetari, nuk aplikoi të ndiqte studime të mëtejshme. As për brenda, as për jashtë vendit. As për studime të mëtejshme për letërsi e gazetari, por as për diplomaci. Shumë gjëra ia la rastësisë, të cilën e priste që, ndoshta, kur asaj vetë të mos i shkonte nëpër mend, t’i shfaqej si rastësi fatlume. Rastësia qe për të një dritë e re që s’po i avitej, një ëndërr, një rendje e fuqishme mbas ëndërrimit, një pikë ku mund të gjente qetësinë që dëshironte.

Qysh në moshën 17 vjeçare, në përmbyllje të prozës “Varrmihësi im anonim”, shkroi:

Kësisoj, e lodhur nga parashikimet e çuditshme buzë gropës së hapur, e mbylla monologun e trishtë me një kryefjalë po të tillë: “Me ose pa jetë, do më duhet një varrmihës mua, mishit të gjallë të quajtur rastësisht: njeri”.

Mesa duket, ajo e parandjeu dhe paracaktoi vetë fatin e vet, si fati i njeriut përballë një realiteti sa mistik, aq edhe i pavëmendshëm ndaj njeriut, sa trazues, aq edhe i rëndë, realitet që e ngacmoi dhe e trandi atë vazhdimisht.

Edhe pse koha fizike qe e pamjaftueshme për të ajo shkroi dhe realizoi një letërsi jashtë parafabrikateve, krejt origjinale, si shpërfillje jo vetëm për letërsinë masive, por dhe si reagim i ndjeshëm ndaj një realiteti të pakëndshëm dhe të përceptueshëm bukur mirë prej saj.

Në fund të mbramë, ia doli ta sendërtojë në mënyrën më të mundshme një letërsi të cilësishme.

POEZI NGA SABAJETA PEPOSHI

DALLORI I SHPIRTIT TIM

Brenda qelqurinës së padukshme

frymon shpirti im i skalitur

atje, në gjirin misterioz të fshehtësisë.

Cipa e mëndafshtë

si një dekoratë e ndryshkur

ma kufizon shpirtin nga masa e qelqtë.

Ç’mallkim i pashmangshëm

i serviret kryqëzimit të ndjenjave

të thata, të gjalla, të brishta, të ëmbla

në koleksionin e tyre të ngatërruar!

Qelq i ftohtë deri në acar

më i ftohtë se trupi i akullt i kufomës

ma ndan qenien në dy botë,

njëra lëviz në vrazhdësinë e saj

prej njeriu të pashpirt mbase,

tjetra botë më shumë se çalamane

zvarritet në trungjet plot ndjesi.

As e dukshme, as e padukshme

qelqurina më përngjet me një intrigë plakë

të thurur para se unë të dilja në jetë.

Me ledhati më ka dënuar

intrigë e pështirë e magjistricave

dallori i së cilës ka dy mundësi zgjidhje:

mosthyerja e vështirë e qelqit

gris pa dhembje figurën time prej letre

thyerja sekondare e tij

plagos agimet e hershme të shpirtit tim.

E shtunë, 14 shtator 2003

QYTETI IM

 Në veshjen e tij

diçka seç mungon.

Ndoshta butësia

ndoshta pak rreze të vakta dielli.

Gjithsesi, një gjë i mungon

ose ka tepricë të diçkaje.

Tepricë kohe, nxitohet të thotë dikush

Tepricë fjalësh, mendon mendja e gënjyer.

As i gjallë, as i vdekur,

vazhdimisht në çdo kohë

qyteti im qesh e psherëtin.

 Kukës, 20 nëntor 2002

 PËRFYTYRIMI DANTESK NË PENËN TIME

Këtu, në këtë tokë të rënduar

nga barra e pasojave të mëkateve

në dy faqet e vrazhda të tokës

ngulur thellë i kanë rrënjët.

Edhe errësira e pafundme e ferrit

edhe shndritja rrezellitëse e parajsës,

të dyja të përjetshme.

Më fluid purgatori

qëndron pezull si në mjegullën e pendesës

midis tokës së lëvizshme

dhe dy botëve krejt të kundërta.

Ndoshta s’e besoni, por me ose pa dashje

ju i ushqeni në çdo çast ato;

sigurisht nga veprimet tuaja

secila përtejbotë merr energji.

Kundër dëshirës sime

vërej se ferri është rritur më tepër.

Pesimizmi nuk më mbyt.

Ju, dieta ushqimore e purgatorit

keni ende kohë për ndryshim.

14 mars 2003 /Gazeta Liberale

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH