Letërsi

Nga Ben Blushi/ Nedin Vlora, nipi i Ismail Qemalit 

Shkruar nga Liberale
Nga Ben Blushi/ Nedin Vlora, nipi i Ismail Qemalit 

Ben Blushi

Meqë sot jam në një takim në Vlorë për të prezantuar librin tim “41 Sekrete” po botoj historinë e Nedin Vlorës,  përfaqësuesi i familjes më të shquar të këtij qyteti.

Nedin Vlorën e takova një natë në Tiranë. Në një hotel pranë Pazarit të Ri.

Ça lidhje ke me Ismail Qemalin, e pyeta.

Jam nipi i djalit të tij të parë, Mahmudit.

Pra, je djali i djalit të djalit të Ismail Qemalit?

Po, tha Nedini, unë jam djali i Galip Aleksandër Vlorës, që ishte djali i Mahmud Vlorës.

Babai e ka njohur Ismail Qemalin?

Babai im, Galip Aleksandri, ishte nipi i parë i Ismail Qemalit dhe ai e merrte me vete në Barcelonë kur ishte i vogël.

Po çfarë bënte në Barcelonë familja Vlora?

Pasi ikën nga Shqipëria, ata jetuan disa kohë në Nisë, ku lindi babai im dhe herë pas here shkonin edhe në Barcelonë për pushime.

Po pse lindi babai në Nisë?

Sepse nëna e tij, domethënë gjyshja ime, ishte franceze.

Pra, gruaja e djalit të Ismail Qemalit ishte franceze, kurse gruaja e Ismailit ishte greke?

Jo, gruaja e Ismail Qemalit, Kleoniqi nuk ishte greke

Po çfarë ishte?

Ishte bullgare, nga Plovdivi.

Sa fëmijë pati Ismail Qemali me Kleoniqin?

Ndoshta tetë fëmijë, nuk e mbaj mend... edhe nëntë.

Ju ka lënë ndonjë pasuri Ismail Qemali?

Asgjë.

Si asgjë?

Ismail Qemali kishte 51 akte pronësie të regjistruara në Turqi, ai blinte shumë pyje zakonisht me mijëra hektarë, që sot janë në zonat më të mira turistike të atij vendi.

Po pse nuk i ke kërkuar pronat në Turqi?

Shumë vite më parë, një avokat turk iu afrua babait tim dhe i tha nëse ishim të interesuar për të marrë pronat e familjes dhe babai i tha: sigurisht që po.

Po pse nuk i morët?

Sepse më pas, ky avokat u zhduk dhe nuk u bë më i gjallë.

Po ti nuk shkove në Turqi të kërkoje?

Unë erdha në ambasadën turke në Tiranë dhe u interesova para disa vitesh.

Edhe çfarë të thanë?

Më thanë që ato prona janë marrë nga dikush.

Nga kush?

Nuk mund ta them.

Është dikush i familjes?

Për fat të keq, po.

Pra, ti nuk trashëgon asgjë nga Ismail Qemali?

Unë jam i vetmi shqiptar me pasaportë shqiptare që vij në vendin tim dhe fle në hotel.

Po me se keni jetuar?

Unë kam qenë pedagog, kam dhënë mësim në universitet.

Po babai?

Babain tim e paguante Zogu.

Po pse e paguante Zogu babain?

Që të mos vinte në Shqipëri dhe mos ngatërrohej me politikë.

Pse kishte frikë Zogu nga babai?

Sepse ne ishim familja më e madhe në Shqipëri dhe nëse babai im vinte këtu, mund t’i rrezikonte pushtetin Zogut, kështu që ata bënë një kompromis dhe prandaj ne jetuam në Bari dhe nuk erdhëm kurrë në Shqipëri, deri kur Italia e pushtoi vendin tonë.

E takonte babai Zogun?

Asnjëherë. Zogu ka vrarë disa nga burrat e familjes sonë dhe zakonisht i mashtronte të gjithë, prandaj babai nuk i besonte.

Po pse, çfarë mashtrimi i bëri Zogu babait?

Kur Zogu u bë Mbret i Shqipërisë, nuk ia pagoi më babait pensionin dhe ky i shkroi një letër. Zogu u përgjigj dhe i tha hajde t’i jap paratë në Shqipëri. Natyrisht babai nuk erdhi, sepse e dinte që do ta vrisnin.

Ti e beson atë që thonë se Ismail Qemalin e kanë vrarë?

Jam i sigurt, tha Nedin Vlora.

Po përse do ta vrisnin, pyeta unë.

Sepse nuk iu bind italianëve, tha Nedin Vlora.

Për çfarë nuk iu bind, e pyeta.

Ismail Qemali kishte projekt të kthehej në Shqipëri në vitin 1919. Ministri i Jashtëm italian i çoi një mesazher sekret për t’i thënë “ne do të ndihmojmë të marrësh pushtetin, por me kushtin që do bësh çfarë të themi ne”.

Dhe ti mendon se Ismail Qemali nuk e pranoi këtë kusht?

Sigurisht që jo dhe prandaj e helmuan 15 minuta para se të dilte në konferencë shtypi në Peruxhia dhe ta demaskonte këtë fakt.

Po pse mendon se e kanë helmuar?

Sepse pasi vdiq, italianët kërkuan të balsamosej, në mënyrë që të zhdukeshin provat e helmimit.

Pra, Ismail Qemali erdhi i balsamosur në Vlorë?

Ishte i balsamosur shumë keq, siç tregon njëra nga vajzat e tij që e hapi arkivolin gjatë varrimit në Vlorë.

Çfarë plani kishte Ismail Qemali nëse do të kthehej në Shqipëri?

Ismail Vlora donte të bëhej Mbret i Shqipërisë, tha Nedin Vlora, ky ishte plani.

Si do bëhej Mbret?

Natyrisht që do shpallej Mbret, tha Nedini, ai po punonte për këtë me të gjithë miqtë e tij nëpër Evropë.

Kishte shumë miq që e mbështesnin në këtë projekt?

Një gazetar anglez që ka shkruar për Ismail Qemalin, ka thënë se ai kishte miq nga Bagdadi deri në Londër dhe a e di pse, pyeti Nedin Vlora.

Sepse ishte diplomat, thashë unë.

Sepse ishte mason, tha Nedin Vlora.

Ti beson se meqë ishte mason, mund të bëhej Mbret, pyeta unë.

Sigurisht që e besoj, sepse ai ia kishte pohuar këtë gjyshes sime franceze, e cila më ka rritur.

Çfarë i kishte thënë gjyshes sate, e pyeta.

Flasim për vitet 1914-1918, tha Nedin Vlora, pasi Ismail Qemali dha dorëheqjen dhe në Shqipëri sollën princ Vidin si Mbret.

Pikërisht, thashë unë, Princ Vidi u bë mbret i Shqipërisë dhe kjo duhet ta ketë mërzitur Ismail Qemalin.

Princ Vidi e dorëzoi pushtetin, abdikoi, tha Nedin Vlora, dhe Ismail Qemali po bëhej gati të kthehej në Shqipëri dhe do të ishte shpallur mbret nëse nuk do ta kishin vrarë italianët.

Po përse mendon se shqiptarët do ta pranonin një Mbret si Ismail Qemali?

Sepse ai ishte njeriu që krijoi Shqipërinë, tha Nedin Vlora, Shqipëria nuk ekzistonte, ajo ishte një shpikje e Ismail Qemalit.

Ismail Qemali kishte një plan ta bashkonte Shqipërinë me Greqinë, nën një Mbret të përbashkët, thashë unë.

E vërtetë, tha Nedin Vlora, ky ishte plani i tij i parë, që shqiptarët dhe grekët të jetonin në një mbretëri, por si vende të ndryshme.

Kjo do ishte e pamundur, thashë unë.

Meqë ishte e pamundur, Ismail Qemali ndryshoi plan dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë më 1912 për ta shpëtuar nga copëtimi i Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi.

Megjithatë, ai ka pasur shumë akuza për marrëdhëniet me Greqinë dhe nuk e di a do ta pranonin si Mbret, thashë unë.

Nuk kishin rrugë tjetër, tha Nedin Vlora, do ta pranonin. Vetëm ai mund t’i bashkonte shqiptarët e asaj kohe.

Ndoshta, thashë unë, por nëse Ismail Qemali do ishte bërë Mbret, ti vetë do ishe Princ Nedin Vlora.

Megjithatë, komunistët do na kishin larguar me dhunë nga froni në çdo rast, tha Nedin Vlora.

Çfarë marrëdhëniesh kishit ju me regjimin komunist?

Asnjë marrëdhënie, megjithëse unë dhe babai erdhëm në Shqipëri për herë të parë në vitet ’70.

Si ju pritën komunistët?

Na dhanë një makinë dhe na çuan në Vlorë, sepse babai donte të shihte vendet ku kishte një pjesë të fëmijërisë.

E di që i ngjan shumë Ismail Qemalit, e pyeta.

Natyrisht, tha Nedin Vlora, buon sangue non menta, gjaku nuk gënjen.

Ti je italian apo jo?

Unë jam shqiptar, nëna ime ishte italiane.

Çfarë domethënieje ka emri Nedin?

Nedin do të thotë ai që di, por kur linda unë më 1942, Musolini nuk i pranonte emrat myslimanë dhe më quajtën Roberto.

Pra, ti je Roberto Nedin Vlora?

Unë jam Nedin Vlora, tha Nedin Vlora, jam një pensionist i verbër italian.

Si i verbër?

Nuk e kupton që unë jam i verbër?

Ti më ke parë vazhdimisht në sy, i thashë, nuk dukesh si i verbër.

Më verbuan 10 vjet më parë, kur më ngatërruan terapinë në një spital të Pizzës.

Dhe që atëherë nuk shikon më?

Pothuajse fare, tha Nedin Vlora.

Po pse ke ardhur në Shqipëri?

Kam ardhur të botoj një libër për historinë e familjes Vlora.

Kush e ka shkruar këtë libër?

E kam shkruar unë, tha Nedin Vlora.

Po ti sapo më the që je i verbër, thashë unë, si e shkruan një libër?

Shkruaj duke zmadhuar gërmat në kompjuter, mund të dalloj diçka nga afër.

Do desha shumë ta lexoj këtë libër, i thashë.

Besoj botohet në nëntor, tha Nedin Vlora.

Edhe unë po bëj një libër dhe ti do jesh personazh.

Atëherë do shkëmbejmë librat, tha Nedin Vlora.

Me kënaqësi, i thashë unë.

Vetëm me një kusht.

Ma thuaj.

Mos shkruaj keq për mua, tha Nedin Vlora.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH