Letërsi

DORËSHKRIM nga Natasha Lako, botim i UETPRESS/ Mjeda dhe Sibelius, poeti dhe kompozitori që flasin të njëjtën gjuhë

Shkruar nga Liberale

DORËSHKRIM nga Natasha Lako, botim i UETPRESS/ Mjeda dhe Sibelius, poeti

Një vit e ndan lindjen e Ndre Mjedës, poet dhe studiues, shërbyes kishtar, madje, edhe instrumentist, nga ardhja në jetë në vitin 1865 të kompozitorit finlandez, për t’i quajtur, aq sa të jetë e mundshme, të dy përfaqësues të romantizmit të vonë dhe parapërgatitës të periudhës së parë të modernizmit.

Dhe ndoshta pa ndihmën e Sibelius, që në fund të jetës krijimet ia kushton shoqërisë masonike, ku si anëtar kishte lozhën e vet, nuk mund të flisnim edhe për ato copëza moderniteti të poetit më idilik të jetës shqiptare, të cilit pena i jepte një moshë qindravjeçare. Dhe kjo ishte pena e poetit që i takonte shkollës saveriane dhe grupimit jezuit, që i kishte dhënë formim të plotë kulturor dhe teologjik, por edhe ngatërresa të shumta.

Me të gjitha udhëtimet, studimet e shërbimet nga Polonia në Spanjë, në provinca të Romës e të Vjenës, ndalesave në Francë, të gjithë këto jashtë sferave letrare që mbanin në shpinë gjithë mëmëdheun.
Sot mund ta quajmë një ambientalist të flaktë, por dhe besimtar të devotshëm, përderisa në lëvizjen opozitare i doli Zogut kundër ligjit të lejimit të abortit. E mbylli jetën në një fshat ku njerëzit dinin të lindnin dhe të vdisnin pranë tij, duke furnizuar albanologun vjenez Gustav Majer me poezi popullore të mbushura me flakë erotizmi. Pastaj ka kënduar psalme.

Se si shtjellohet poezia e Mjedës drejt modernitetit, së bashku me adhurimin për Karducin dhe D’Anuncion, e thotë shkallëzimi në poezisë e tij, “Guxo”.

Pi. Bukurin e deteve e oqeaneve
Mëso. E burimi dijes mos tdij me shterru
Puno. Kopshtin e mendjes gjithmon
Lexo. Poemat e shpirtit tan
Kupto. Vuejtjen njerzore tpakufi
Ndimo. At T’paudhin tkthehet
Ndriqo. Fike terrin

Sibelius të gjitha këto mund t’i thotë me një simfoni të tërë.
Se si afrohet edhe më krijimtaria e Ndre Mjedës me atë të Sibelius - emrin e të cilit në ditët e sotme mban edhe programi kompjuterik me të cilin mund të kompozohet muzikë - e tregon më mirë poezia e tij “Vjeshta”, që mund të çelë sadopak me vargje edhe modernitin muzikor që finlandezi e jep pa fjalë.

Në poezinë “Vjeshta”, një lamtumirë ekzistenciale fillon të frymojë atje ku nuk ka më një bylbyl të vetëm, por një shumësi që pranon një lloj relativizmi të ri.
E pagjendshme do të jetë foleja e zogjve por e këmbyer me atë të poetit, ku përplaset edhe jeta dhe vdekja.

Dhe ju po shkoni,
Bylbyla, kshtu!
Po tretni këndynaj,
Dallndysha, ju!
Dekën mendova
Se m’vjen kurdo;
Se m’leni vetun
S’mendova, jo
Por ma fort zemrën
Ma bren nji idhnim
Çerdhen qi i leni
Kujdesit tim.
Ndoshta, kur t’ktheni
Mue vorri m’mba,
E ju kërkoni
Çerdhën qi s’a.

Në këtë poezi, çerdhja e dallëndysheve do të transferohet së bashku me poetin poshtë dheut, në një transcendencë plot freski dhe të pafrikshme ku vetëm shndërrimi i folesë sjell ankth, ndërsa lart do të ngrihen fole të reja. Dhe këtë ankth ekzistencial, më tepër e rëndon në fund të vargjeve ajo “a”-ja e një hundoreje të rëndë sa një fjalë e gjatë dhe me peshë guri, e ndoshta më e gjata sesa fjalët si trena të finlandishtes së Sibelius.

Aq sa mund të thuhet se Ndre Mjeda në këtë poezi përdor të gjithë oktavat e Sibeliusit në një shqetësim të dubluar, me një shqipe të disa leximeve ku poeti me vete merr edhe një çerdhe zogjsh. Ndre Mjeda nuk mund të jetë poet i këngës rezultative, siç u ka ndodhur shumë shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë deri në ditët e sotme.

Malësor i mirëfilltë a qytetar i gjithë botës, i ngarkuar me rite fetare po aq sa me parashtesa dhe prapashtesa dhe me diskutime mbi gjuhën shqipe deri në Berlin, i vjen radha për të folur prapëseprapë me muzikalitetin e poezisë së tij, rrokje më rrokje. Fundja, poetja Marianne Moore thotë se dashuria është si një barkë që përkundet në mes të detrave. Por, Ndre Mjeda ka dashurinë e tij të shpërndarë kudo.
“Duej. Duej e vetëm duej”, këndon poeti në poezinë e tij “Ëndërro, dashuro”, si nëpër ca shkallë që zbresin dhe ngjiten te njeriu.

Dhe bëhet edhe më bashkudhëtar me Sibelius, kur brenda një poezie të vetme nga çatia e botës ku ka arritur, ai thotë: “Dashuno. Po mos jep arsye.”
Dhe dihet që muzika nuk shpjegon.

*Shkëputur nga libri “Njeriu si një tjetër” i autores Natasha Lako, botuar në vitin 2023 nga shtëpia botuese UETPRESS

Liberale Newsroom

SHQIPENGLISH