Ishte vetëm njëzet vjeçe dhe ia kalonte edhe sfidave të shkrimtares franceze Zhorzh Sand, kur shkonte në operën e Parisit me veshje burri, duke guxuar të mos merrte leje, ashtu siç kërkohej për femrat. Ishte koha që nuk mund ta kuptoje shumë qartë mbështetjen që i vinte prej Shoqatës Ungjillore, por mund të dëgjoje shpesh për bekimet e Naim Frashërit që po zgjonin arsimimin femëror.
Dhe vetëm një vit pas hapjes së shkollës së vajzave në Korçë, një valë e ngjashme arsimimi, si do të mësoja më vonë, kishte arritur deri në Bahreinin e gadishullit Arabik, ku në vitin 1892, nën kujdesin e ca misionarëve të palodhshëm, të ngjashëm me Gjerasim Qiriazin, ishte hapur një shkollë për vajzat. Kjo tregonte se historia e Sevastisë është një histori që i përket të gjithë botës, të paktën për fatin e femrës.
Kjo rrjedhë e përbashkët fatesh bën që në të njëjtën kohë, në dy vende kaq të ndryshme e të largëta, në mesin e viteve ‘30, të mbyllen shkollat private - fakt që tregon se shteti ka nevojë të tregojë pushtetin e tij në gjithçka. Por në Shqipëri nuk e frenonte dot veprimtarinë e Sevasti Qiriazit, kësaj engjërdhie të vogël, që fjalën zell mund ta ketë si diçiturë qoftë në një foto pothuajse zyrtare, me kokën të mbështetur në dorën e saj të mbledhur në grusht.
***
E mira dhe e ëmbla Dana Stucky, e cila u nda para kohe nga jeta, ajo që më shumë se të tjerët mund të komentonte fjalën frymë, i dha më në fund lexuesit shqiptar në vitin 2010 librin “Jeta ime”, me kujtimet e Sevastisë, të botuara nën kujdesin e Shoqërisë Biblike, të aktivizuar në Shqipëri që nga koha e Kostandin Kristoforidhit. Sevasti Qiriazi i përfundoi këto kujtime në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar.
Në shqipen e saj ajo kishte zgjedhur fjalën jetë, si shenjë të kujtimeve. Dhe si nikoqire e mirë, sikur ta parandiente se si do të silleshin shqiptarët qoftë me fjalën e saj ‘jetë’, kujtimet i la te rrethi i saj shoqëror i krijuar në Robert College, të shkruara në anglisht, në shenjë dashurie dhe mirëkuptimi. Libri përshkruan 25 vjet aktivitet të punës së saj dhe tregon se Sevastia është e vetëdijshme për punësimin e saj në histori, por parapëlqen të flasë për jetën e saj dhe jo për historinë në përgjithësi.
Thënë me shprehjen korçare, ka zgjedhur ‘të lerë të kumanduara’ çfarë ka pasur më të rëndësishme në jetë, që kur si vajzë e vogël dëgjon nga i ati bëmat e Skënderbeut, pastaj se si në mënyrë krejt origjinale është njohur në Bukuresht me Kristo Dakon, të cilit i kërkon të përpilojë tekste të matematikës për shkollën e saj. Hyjnë të dy në një etapë tjetër jete, derisa me të, si bashkëshort, hyn triumfalisht në 25-vjetorin e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar.
Dhe ashtu, gati e padukshme, në krahasim me burra të tjerë shteti, ajo nuk është më vetëm Sevastija, motra e Gjerasim Qiriazit dhe Gjergj Qiriazit, e bija e Maries dhe e Dhimitrit, bijë e qytetit të Manastirit, që ka pasur fatin të ketë fqinj aktivistë të Shoqatës Biblike të Londrës. Nuk është më vetëm vajza e bekuar prej Naim Frashërit për të zgjuar femrën shqiptare, por vetë trungu i hajthshëm e delikat, gati i qelqtë, por jo i thyeshëm, i një shqiptareje që mbështjell rreth vetes një qytetërim të tërë të botës shqiptare. Si rrallë mund të gjendet një dëshmitare dhe një bashkëshoqëruese e një periudhe që nënkupton edhe vazhdimësinë e vetme shqiptare - që nga betejat për gjuhën shqipe, deri në formësimin e një shteti, në kurorëzim të konsolidimit të tij. Dhe ashtu e mbajtur pas direkëve të “Robert College” të Stambollit, si qytetare e të gjithë botës, e stërvitur nën një shpirt të lirë, pas martese edhe në jetën amerikane ajo mbetet pararendësja e të gjithë shqiptarëve që morën anijet e vitit 1991, por që zgjedhin për t’u kthyer.
Ka mundësi që kur ka përfunduar librin të ketë marrë frymë e lehtësuar, përderisa po linte dëshmitë e veta për një shoqëri që po arrinte të konsolidohej me të gjitha flatrat. Dhe pena e saj duket sikur ka ndenjur zgjuar, edhe kur të gjithë së bashku nuk kishin emër atdheu, edhe kur nën diktatin e një sovraniteti fillojnë të shprehin edhe më tepër veten. Por lexuesi, nëpërmjet librit të saj, vazhdon të ndjekë jetën e një gruaje energjike, të mbushur plot pasion dhe që nuk dorëzohet. Njësoj si në kuadrot filmike e shohim të shkundë vetë rrogozat e një hani të pistë, kur në vitin 1909 ka ndalur për të fjetur rrugës për në Elbasan, qytet ku do të vendoset për të hapur shkollën e parë të mësuesisë.
Mund ta imagjinojmë gjatë asaj rruge, kur ka fjetur nën mëndafshin e ca çarçafëve që as i kishte ëndërruar. Dhe kështu, jashtë klisheve të një gjuhe të përgjithshme, ndiejmë plotërinë e gjithë shoqërisë shqiptare dhe mobilizimin e të gjithë shtresave shoqërore, për t’i dhënë vetes identitetin që u ka takuar.
Tablo që ndoshta i mungojnë pikturës dhe letërsisë shqipe krijohen prej saj për të sjellë deri sot kontrastet e mëdha të botës ballkanike. Sepse, pikërisht, asaj i ndodh që nga Selaniku në Stamboll të udhëtojë në një kupe treni së bashku me peshkopin grek të Kosturit, i cili ka mallkuar shkronjat shqip.
Ndërsa në Ohër i takon ta zërë nata në një hotel të ndërtuar me çfarë ka zhvatur i zoti i tij nga shuma e majme që kishte mbledhur Shoqëria Biblike, por që nuk ishte dorëzuar e gjitha, si garanci për të liruar Gjerasim Qiriazin të mbajtur peng nga çeta nën komandën e Shahin Matrakut, që më vonë bëhet mik i një njeriu që vetëm kupton dhe fal.
Galeri e madhe jete kjo e Sevastisë.
Derisa vjen shkatërrimi i madh i kësaj jete. Dana Stycky flet për detaje dhe mynxyra të familjes së Sevastisë, para se ajo të mbyllte përgjithmonë sytë në vitin 1949.
*Shkëputur nga libri “Njeriu si një tjetër” i autores Natasha Lako, botuar në vitin 2023 nga shtëpia botuese UETPRESS