Letërsi

DORËSHKRIM nga Albert Nikolla, botim i UETPRESS/ Metoda e “kulaçit dhe kërbaçit” që përdori Hoxha pas flladit të lirisë në '68-ën

Shkruar nga Liberale

DORËSHKRIM nga Albert Nikolla, botim i UETPRESS/ Metoda e

Studiuesi Albert Nikolla sjell këtë monografi dedikuar atij që u quajt revolucioni kulturor i viteve 1968-të, i shënuar nga një sërë përpjekjesh për ndryshim dhe që u shfaq në shumë vende të botës, duke mos lënë jashtë ndikimit as Shqipërinë. Përgjatë kësaj jave do të sjellim pjesë nga libri “Antikultura e '68-s në Shqipëri”, për të treguar se si ky revolucion erdhi në vendin tonë, cilat qenë shfaqjet e huaja dhe si reagoi më tej sistemi, duke çuar shoqërinë shqiptare në një izolim total.

Hipoteza për ekzistencën në Shqipëri të një ‘68-e që lëvizte në dy rrafshe mbështetet në të dhëna që burojnë nga qëndrime të shprehura institucionale dhe nga interpretime të natyrës ndërdisiplinare. Këto të fundit nxjerrin në pah karakteristikat e asaj që mund të quhet “rrafshi i fshehtë e disident i Lëvizjes”, zanafilla e së cilës mund të shtyhet në kohë në vitin 1966.

Partia në pushtet po konkretizonte në Shqipëri, nën frymëzimin e Revolucionit Kulturor që sapo kishte nisur në Kinë, metodat e këtij të fundit. Po krijohej një klimë dhe një përshtypje në vend dhe në arenën ndërkombëtare se lëvizje të tilla në Shqipëri ishin në vazhdën e Lëvizjes dhe në mbështetje të proletariatit botëror në luftën e tij për liri.
Intelektualët dhe njerëzit që njihnin gjuhë të huaja vërenin se diçka po ndodhte në Europë. U krijua përshtypja se një fllad lirie po frynte edhe në Shqipëri. Mjaft dëshmi antropologjike, që do të paraqiten në këtë libër, e vërtetojnë diçka të tillë.

E. Hoxha e kishte kuptuar rrezikun që mund të vinte prej ‘68-s. Për këtë arsye ai i parapriu duke krijuar një situatë të ngjashme me atë të Revolucionit Kinez në Shqipëri. Në kulmin e lëvizjes së “majit francez”, më 24 maj 1968, E. Hoxha botoi në gazetën “Zëri i Popullit” artikullin “Klasa punëtore franceze në luftë për të drejtat e saj”. Është një shkrim mjaft interesant pasi jep një vlerësim analitik të asaj Lëvizjeje dhe shpreh edhe mbështetjen e Shqipërisë për të. Por, me kujdes, ai vëren se sidoqoftë qëllimi i proletariatit francez do të jetë vendosja e diktaturës së proletariatit, për rrjedhojë, një lëvizje e tillë në Shqipëri nuk do të kishte kuptim, pasi këtu në fuqi ishte tashmë diktatura e proletariatit.
Ja si shprehet E. Hoxha:

“Populli shqiptar, klasa e tij punëtore e përshëndetin dhe e përkrahin me gjithë zemër luftën e drejtë të punonjësve francezë kundër monopoleve dhe pushtetit të tyre shtypës. Shembulli francez do të jetë frymëzues edhe për vendet e tjera kapitaliste perëndimore. Ai shënon fillimin e një ngritjeje të re të lëvizjes punëtore në vendet e mëdha kapitaliste, e cila, në të ardhmen, do të ketë, me siguri, zhvillime të reja edhe më të rëndësishme.”(40)

Fraza e fundit e citimit dëshmon vëmendjen dhe përkujdesjen e E. Hoxhës ndaj zjarrit që përçon “maji francez”. Ai fillon të përdorë metodën e “kulaçit dhe kërbaçit” në kontekstin e ‘68-s shqiptare. Nga njëra anë krijoi përshtypjen se do të ketë më shumë liri në të gjitha hapësirat e jetës, sidomos në art. Kjo përshtypje u keqkuptua nga mjaft artistë mendjehapur dhe vullnetmirë dhe kulmi i keqkuptimit arriti me vënien në skenë të Festivalit të 11-të në RTSH. Jo vetëm festivali, por edhe shumë dinamika të tjera, sidomos mënyra e veshjes që imitonte modën perëndimore (dinamikë antropologjike mjaft interesante kjo) përgjatë atyre viteve, krijuan përshtypjen se hapja që u bë ishte pa kthim.

Mjaft intelektualë shqiptarë, mosha e të cilëve i ka kaluar të 70-at, mund të konsiderohen “bij kulturorë” të ‘68-s shqiptare pasi i kanë përjetuar direkt dinamikat dramatike të “kulaçit e kërbaçit” që Hoxha vuri në skenë. Me të parë reagimin e njerëzve nga dehja prej lirisë, ai shënoi edhe fundin tragjik të ‘68-s shqiptare me një fjalim të vitit 1974:

“Këto fuqi të errësirës na akuzojnë ne, shqiptarët, se vetizolohemi... . Ato na këshillojnë ta bëjmë vendin tonë han me dy porta, ku të hyjnë derri e dosa, me brekë e pa brekë e leshrat përmbi supe dhe hipitë të hedhin vallet e tyre për të zëvendësuar vallet e bukura të popullit tonë.”(41)

Kjo klimë lirie e mbështetjeje mund të konsiderohet e mbyllur në mënyrë dramatike me dy ngjarje simbolike për periudhën: me plenumin IV pas Festivalit të 11-të të Këngës në RTSH dhe me një ngjarje tjetër të jashtëzakonshme për kohën, revolta në burgun e Spaçit në maj të vitit 1973.
Filloi kështu një ndër periudhat e izolimit më të madh dhe paranojës dramatike që do të zgjaste deri në lëvizjen studentore të vitit ‘90, mbase një rishfaqje e vonuar e ‘68-s.

REFERENCA

40. Hoxha, E. Artikull i botuar në gazetën “Zëri i popullit”. 24 maj 1968.
41. Hoxha, E. Fjala në plenumin IV të KQ-së. 26-28 qershor 1973.

*Shkëputur nga libri “Antikultura e 68-s në Shqipëri, lëvizjet që u propoganduan si demokratizim i mëtjshëm i jetës së vendit", të studiuesit Albert Nikolla, botuar nga shtëpia botuese UETPRESS.

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH