Edhe pse të gjitha repartet janë të rëndësishme, pa një mesfushë të fortë, një skuadër vështirë se funksionon. Këtë e ka ndjerë edhe Partizani gjatë këtij sezoni. Pas largimit të lojtarëve si Mageti dhe Murataj verën e kaluar, dhe Rrapajt në janar, mesfusha ka qenë pika më e dobët e skuadrës.
Lojtarët që kanë mbetur nuk kanë arritur të tregojnë nivelin që duhet. Trajneri Gega ka provuar zgjidhje të ndryshme, madje edhe duke e vendosur Sembenen në mesfushë, një rol që nuk është i zakonshëm për të. Ai është bashkuar me Koten dhe Mehmetin, por asnjëri prej tyre nuk ka qenë konstant dhe të gjithë kanë treguar luhatje.
Për këtë arsye, klubi pritet të ndërhyjë në merkato për të përforcuar mesfushën. Një hap është bërë me afrimin e Herolind Shalës, por edhe ai ka nevojë për kohë, pasi ka luajtur shumë pak kohët e fundit.
Ndërkohë, e ardhmja e Gjelbrim Taipit është e paqartë, pasi kontrata i përfundon këtë verë dhe nuk dihet nëse do të rinovojë. Me trajnerin Gega ai nuk ka qenë titullar, ndaj mund të mos jetë pjesë e planeve për sezonin e ardhshëm.
Edhe Mehmeti nuk ka bindur. Edhe pse pati një ndeshje të mirë kundër Egnatias, u zëvendësua që në pjesën e parë për shkak të gabimeve në fushë, duke treguar se nuk ka ende stabilitetin që kërkohet në këtë repart kaq të rëndësishëm.