Skuadra e Dinamos ka përmbyllur një muaj stërvitje intensive në kuadër të përgatitjeve për Ligën e Konferencës, aty ku do të rikthehet pas plot 15 vitesh mungesë në arenën europiane. Nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja, ekipi po punon për të pasur një prezantim sa më dinjitoz dhe duket se deri tani gjithçka po ecën në rrugë të mbarë.
Fillimisht, Dinamo ishte parashikuar të niste garën nga turi i parë, por për shkak të disa vendimeve të UEFA-s, skuadra kaloi direkt në turin e dytë eliminator. Ndeshjen e parë europiane, blutë do ta luajnë më 24 korrik kundër fituesit të çiftit Atletik Eskaldes – Didelanzh.
Përgatitjet nisën në kompleksin stërvitor në Arbanë, ndërsa më pas skuadra u zhvendos në Ohër, ku kanë zhvilluar edhe tri ndeshje miqësore. Dinamo fitoi bindshëm ndaj Ballkanit me rezultatin 4-1, por u mund në dy ndeshjet e tjera nga Partizani (1-0) dhe Shkëndija e Tetovës (2-1).
Pas përfundimit të testit me Shkëndijën, ishte planifikuar që faza përgatitore në Ohër të mbyllej. Megjithatë, trajneri Daja ka kërkuar që skuadra të qëndrojë edhe një javë më shumë në Maqedoninë e Veriut, për shkak të kushteve të mira të fushave dhe temperaturave më të freskëta krahasuar me Tiranën. Kjo kërkesë është miratuar nga klubi, dhe ekipi do të vijojë stërvitjet edhe gjatë javës së ardhshme në Ohër.
Pas ndeshjes me Shkëndijën, lojtarëve u janë dhënë dy ditë pushim dhe shumica janë kthyer pranë familjeve në Tiranë. Stërvitjet do të rinisin të premten dhe nuk përjashtohet mundësia që të zhvillohet edhe një tjetër ndeshje miqësore para nisjes së Europës.