Një lajm i hidhur ka tronditur botën e futbollit këtë të enjte. Futbollisti portugez i Liverpoolit, Diogo Jota, ka ndërruar jetë në një aksident tragjik në Spanjë.
Ngjarja ndodhi në mëngjes, në kilometrin e 65-të të autostradës A-52, pranë komunës Palacios de Sanabria, në provincën e Zamorës. Sipas raportimeve, makina me të cilën po udhëtonte Jota së bashku me vëllain e tij Andre, ka dalë nga rruga dhe është përfshirë nga flakët. Jota nuk arriti t’i mbijetojë plagëve, ndërsa gjendja e vëllait të tij është ende e paqartë.
28-vjeçari ishte një nga lojtarët më të dashur të Liverpoolit dhe pjesë e kombëtares portugeze. Lajmi ka shkaktuar dhimbje të madhe jo vetëm te tifozët e “The Reds”, por në mbarë komunitetin futbollistik.
FIFA ka njoftuar se në ndeshjet çerekfinale të Botërorit të Klubeve, të planifikuara për të premten dhe të shtunën, do të mbahet një minutë heshtje në nder të Jotës.