Letërsi

DORËSHKRIM nga Albert Nikolla, botim i UETPRESS/ Lëvizja e ‘68-s, fenomeni i parë i “globalizmit” politik e kulturor

Shkruar nga Liberale

DORËSHKRIM nga Albert Nikolla, botim i UETPRESS/ Lëvizja e

Studiuesi Albert Nikolla sjell këtë monografi dedikuar atij që u quajt revolucioni kulturor i viteve 1968-të, i shënuar nga një sërë përpjekjesh për ndryshim dhe që u shfaq në shumë vende të botës, duke mos lënë jashtë ndikimit as Shqipërinë. Përgjatë kësaj jave do të sjellim pjesë nga libri “Antikultura e '68-s në Shqipëri”, për të treguar se si ky revolucion erdhi në vendin tonë, cilat qenë shfaqjet e huaja dhe si reagoi më tej sistemi, duke çuar shoqërinë shqiptare në një izolim total.

Çfarë është Lëvizja e ‘68-s?

Lëvizja studentore e vitit 1968 në shumë vende të botës mund të konsiderohet si fenomeni i parë i “globalizmit” politik e kulturor, që pati një ndikim të jashtëzakonshëm në mënyrën sesi u bë politikë në dhjetëvjeçarët që vijuan. Kur flitet për Lëvizjen e ‘68-s, opinioni publik e lidh atë Lëvizje me të ashtuquajturin “majin francez” në Paris dhe në gjithë Francën.

Në fakt, “maji francez” shpërtheu më vonë sesa tubimet masive që kishin tronditur ndërkohë shumë shtete të tjera, si SHBA-në, Meksikën, Brazilin, Italinë e Gjermaninë. Në SHBA kjo lëvizje zuri fill në vitin akademik 1964-1965 kur nisi e ashtuquajtura “Revolta e Berkeley-it” dhe formimi në po atë universitet të Kalifornisë i lëvizjes “Free Speech Movement”(3)

Për shkak të vrullit me të cilin u zhvilluan ngjarjet, viti 1968 mbetet deri sot simboli i krejt Lëvizjes Botërore të Studentëve dhe të Punëtorëve, i cili megjithëse kishte filluar përpara atij viti, shfaqi forma të ndryshme deri në fund të viteve ‘70. Pra viti 1968 nuk i përmbledh dot të gjitha dinamikat politike e kulturore të kësaj Lëvizjeje që vetëm simbolikisht u quajt “Lëvizja e ‘68-s”. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për “majin francez”, i cili mbart një domethënie të fortë simbolike, por nuk mund të përmbledhë tërësinë e shkaqeve dhe pasojave të kësaj Lëvizjeje në Francë. Ajo çka e veçon dhe e përcakton “majin francez” është ndoshta intensiteti i zhvillimit të ngjarjeve dhe radikalizimi politik i lëvizjes.

“Maji francez” simbolikisht mund të themi se nisi më 2 maj 1968 me një tubim të madh antiimperialist kundër ndërhyrjes amerikane në Vietnam, tubim i cili u mbajt në Universitetin e Nanterre-s dhe më vonë u përhap edhe në Universitetin e Sorbonës. Pikërisht aty filloi edhe masivizimi i kësaj Lëvizjeje në Francë. Për pak ditë Lëvizja u përhap në të gjithë Francën.

Hop cilësor mori kur qëllimet që përfaqësonte u përqafuan nga shumë intelektualë të njohur të Francës. Më 2 dhe 3 maj u arrestuan shumë studentë dhe më 6 maj u organizua një tjetër tubim në shenjë solidarizimi me ta. Edhe pse pritej që të arrestuarit të liroheshin, në fakt u shënuan edhe 400 arrestime të tjera. Kjo situatë u përshkallëzua më tej më 10 maj, ku gjatë një manifestimi morën pjesë 50 mijë studentë të universiteteve dhe nxënës të shkollave të mesme.

Është për t’u shënuar momenti kur politika “futi hundët” në lëvizjen e “majit francez”. Që në fillim Partia Komuniste Franceze ishte shprehur me përçmim për protestën duke i quajtur studentët “grupime anarkistësh”. Në të njëjtën kohë grupimet e tri sindikatave franceze shpallën një grevë të përgjithshme më 13 maj duke paralizuar punën në Francë: në tubimin e asaj dite morën pjesë 500 mijë njerëz. Po atë ditë u rihap Universiteti i Sorbonës, i cili kishte qëndruar i mbyllur me vendim disiplinor të autoriteteve drejtuese.

Lëvizja mori karakter të fortë politik në datën 17 maj kur grevat u shtrinë nëpër fabrika dhe u shfrytëzua politikisht nga lëvizja punëtore. Data 24 maj shënoi thyerjen e parë të solidaritetit mes studentëve dhe punëtorëve. Mungesa e solidaritet mes tyre ishte në interesin e qeverisë, e cila për këtë qëllim shpalli një marrëveshje të rezervuar për punëtorët duke bërë disa lëshime në çështjen e pagave dhe të orëve të punës. Kësisoj qeveria franceze arriti të provokojë përplasje e keqkuptime mes studentëve, sindikatave dhe partive të majta duke i dhënë jetë “marrëveshjeve të Grenelle”, falë të cilave iu siguruan mjaft lëshime punëtorëve, por edhe u bënë shkak për krisjen mes grupeve mbështetëse të Lëvizjes. Në këtë klimë, më 30 maj Presidenti Dë Gol (De Gaulle) shpalli shpërndarjen e parlamentit dhe zgjedhjet e parakohshme politike. Në 23 qershor ai fitoi zgjedhjet me shumicë absolute.

Partitë e djathta e kanë zhvlerësuar shpesh ‘68-n franceze. Shembull për këtë zhvlerësim është kundërshtia dhe përçmimi që Nicolas Sarkozy në cilësinë e presidentit ka shprehur rreth arritjeve të Lëvizjes së ‘68-s. Filozofi francez André Glucksmann iu përgjigj deklaratave të presidentit me anë të një botimi të natyrës divulgative “Maji i ‘68-s shpjeguar për Nikolas Sarkozy” (Mai 68 expliquè à Nicolas Sarkozy).

Lëvizja e ‘68-s u përhap në shumë vende të botës, por kryesisht në SHBA, në Amerikën Latine dhe në Evropë. Dy ishin elementet kryesore përbashkuese të Lëvizjes në nivel ndërkombëtar: mbështetja që iu dha luftës së Vietnamit kundër SHBA-së dhe interesi i madh i studentëve dhe punëtorëve për Revolucionin Kulturor Kinez. Veç këtyre elementeve, kishte edhe dukuri të tjera të tjera që e shtonin pasionin për Lëvizjen, siç ishte veprimtaria antiracore e partisë “Pantera e Zezë” në SHBA. Përfshirja masive e “proletariatit me ngjyrë” në lëvizjen mbarëbotërore të ‘68-s përbënte një risi.

Një ndër ngjarjet më dramatike të Lëvizjes së ‘68-s në nivel ndërkombëtar u shënua në Meksikë, ku më 2 nëntor në sheshin “Tri kulturat” në kryeqytetin e Meksikës u vranë 300 studentë e demonstrues. Jehona e kësaj ngjarjeje ishte e madhe jo vetëm për natyrën tragjike të ngjarjes, por edhe për faktin se ndodhi gjatë kohës që në Meksikë ishin duke u zhvilluar Lojërat Olimpike. Emblematike mbeti edhe plagosja e shkrimtares italiane Oriana Falaci që ndodhej atje si reportere e atyre ngjarjeve.

Në Evropë Lëvizja u përhap më shumë në vendet e Evropës Perëndimore, ndërkohë që në vendet komuniste të Evropës Lindore ndikimi ishte më i dobët; mund të thuhet se vetëm në Çekosllovaki, në Poloni dhe Republikën Demokratike Gjermane ka pasur domethënie të vërtetë. Lëvizja paraqiti ndryshime të dukshme mes asaj që u zhvillua në vendet perëndimore në krahasim me atë të vendeve lindore. Ndërkohë që në Evropën Perëndimore e demokratike studentët kërkonin më shumë liri të shprehjes, më pak burokraci, më shumë liri në praktikat dhe në jetën shoqërore dhe profesionale, në vendet komuniste Lëvizja e ‘68-s kërkonte pluralizëm demokratik, liri e të drejta themelore.

Shembulli më kuptimplotë i ‘68-s në vendet komuniste është pranvera e vitit 1968 në Pragë. Mbeten në kujtesën kolektive debatet publike mes intelektualëve, debate që do të kishin ndikim edhe në skenën e mëvonshme politike e kulturore të Çekosllovakisë. Sipas Milan Kunderës, ‘68-a çekosllovake ishte “tentativa serioze për të ndërtuar një socializëm pa pushtetin diabolik të shërbimeve sekrete, me lirinë e fjalës dhe mungesën e frikës”(4)

“Në lëvizjen tonë ka diçka që e tejkalon kundërshtinë e thjeshtë ndaj tankeve sovjetike. Në të njëjtën kohë lëvizja jonë është një referendum popullor jozyrtar mbi të ardhmen e vendit tonë, një referendum mbi ruajtjen e vlerave tona.”(5)
Ndikim të madh ka pasur Lëvizja e ‘68-s sidomos te studentët shqiptarë që studionin në Paris. Në një intervistë me njërin prej tyre, pohohet se në atë atmosferë ai kishte kuptuar thelbin e lirisë:

“Kur isha student në Paris, kuptova për herë të parë në jetën time se çfarë ishte liria. Sigurisht isha me ide të majta dhe kam marrë pjesë në disa tubime të studentëve atje në mbështetje të luftës për liri të Vietnamit. Kur jam kthyer, kam provuar disa probleme me regjimin pasi edukimi im në lidhje me lirinë më krijonte detyrimisht një mospërputhje me situatën në Shqipëri. Edhe unë e kam ndjerë atmosferën e njëfarë liberalizmi kur jam kthyer nga Parisi në vitin 1971, por sigurisht ishte krejt larg realitetit francez.”

REFERENCA

3. Shih: Boato, M. Il lungo 68 in Italia e nel mondo. Ed. Morcelliana, Brescia, f.122.
4. Kundera, M. Il destino boemo. Per una sinistra illuminista. Sessantotto. In MicroMega 2/2018, f.136. . (M. Kundera. Il destino boemo). Gjatë debatit publik mes Milan Kunderën dhe Vaclav Havel, ky i fundit jep një interpretim interesant të “Pranverës së Pragës”:
5. Po aty, f. 141.

*Shkëputur nga libri “Antikultura e 68-s në Shqipëri, lëvizjet që u propoganduan si demokratizim i mëtjshëm i jetës së vendit", të studiuesit Albert Nikolla, botuar nga shtëpia botuese UETPRESS.

 

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH