Letërsi

INTERVISTË/ Ilir Ikonomi: Do të doja të jetoja jetën e Faik Konicës

Shkruar nga Liberale

INTERVISTË/ Ilir Ikonomi: Do të doja të jetoja jetën e Faik

Nga Luiza Pinderi

Pas shumë viteve si gazetar i “Zërit të Amerikës”, në 2011-ën Ilir Ikonomi debutoi si autor dhe biograf. Botimi i tij i parë, “Faik Konica- jeta në Uashington”, jo vetëm ngjalli polemika e afirmime, por ishte ogur i mirë për shkrimin e biografive të disa figurave politike e historike më të zëshme, në gjysmën e parë të shekullit XX, në Shqipëri.

I nisur nga dëshira për të mbushur zbrazëtinë dhe mungesën e informacionit për jetën e Konicës në Uashington, Ikonomi zbuloi ‘thesare’ në arkivat e huaja dhe shqiptare, të cilat u bënë shkak për të botuar përgjatë viteve biografinë e Ismail Qemalit, Ahmet Zogut, Esat Pashë Toptanit e Fan Nolit.

Përmes fakteve dhe dokumenteve autori i UETPRES rishkroi historinë e një periudhe mjaft dinamike dhe vendimtare për Shqipërinë e sotme. Puna e tij skrupuloze, sjellja e të panjohurave historike, narrativa e thjeshtë dhe pa emocione ndaj personazheve, është vlerësuar me çmime, duke u cilësuar nga kritika si biografi më i mirë në Shqipëri.

Në 2024-ën “Apostulli” u vlerësua me Çmimin “Lumo Skëndo”. Një vit më vonë dhe para pak ditësh, “Rebeli”, vëllimi i dytë për figurën dhe jetën e Fan Nolit, mori Çmimin “At Zef Pllumi”. Çfarë domethënieje kanë për ju këto çmime?

Këto çmime janë një nder i madh, por më shumë se kaq, janë një përgjegjësi. Çmimi “Lumo Skëndo” dhe “At Zef Pllumi” mbajnë emrat e dy figurave që kanë lënë gjurmë në kulturën dhe mendimin shqiptar. Për mua, ato janë një konfirmim që puna ime për të sjellë në dritë jetën dhe veprën e Fan Nolit po prek lexuesit dhe po vlerësohet nga njerëz që e çmojnë historinë dhe letërsinë. Mbi të gjitha, më motivojnë të vazhdoj me përkushtim, duke mbajtur të njëjtin standard dhe respekt për të vërtetën historike.

Mid’hat Frashëri dhe At Zef Pllumi kanë bërë vendin e tyre në histori si intelektualë, publicistë e gardianë të interesave të caktuara kombëtare. Cila është historia juaj e njohjes me këto figura?

Mid’hat Frashërin, ose Lumo Skëndon, e kam njohur kryesisht përmes shkrimeve të tij publicistike, por nuk pretendoj se di shumë për të. Më ka mahnitur gjithmonë aftësia e tij për të qenë kaq vizionar dhe njëkohësisht praktik, si një urë mes ideve të mëdha dhe realitetit shqiptar të kohës. Me At Zef Pllumin, lidhja ime ka nisur me leximin e veprës “Rrno vetëm për me tregue”. Ai ka një aftësi të rrallë për të rrëfyer vuajtjet dhe dinjitetin njerëzor me një sinqeritet që të prek thellë. Kam përfituar prej tij në punën time për të shkruar biografi. Të dy këta njerëz, në mënyra të ndryshme, më kanë mësuar se si ta shoh historinë - jo si një përmbledhje faktesh, por si një rrëfim që ka shpirt dhe qëllim.

Nëse librave tuaj biografikë do t’i shtonit vetëm një prej këtyre dy emrave, cilin do të zgjidhnit?

Kjo është një zgjedhje e vështirë. Të dy kanë peshë; natyrisht, Mid’hat Frashëri ka një diapazon më të gjerë shkrimesh dhe mendimesh. Ashtu siç kam vepruar më parë, të dy ata do të jenë të pranishëm në librat e mi përmes episodeve të ndryshme, jo si një libër i veçantë biografik.

Lista e biografive tuaja nis me Faik Konicën në 2011-ën, për të vijuar me Ismail Qemalin, Ahmet Zogun, Esat Pashë Toptanin e së fundi me Fan Nolin. Nëse do të veçonit një prej tyre, që ju ka befasuar nga dokumentet arkivore; ju ka ndryshuar mendimin për mirë apo për keq nga ato që keni lexuar; ju ka lodhur më tepër në procesin e kërkimit dhe shkrimit, cili do të ishte ai?

Esat Pasha. Materialet arkivore për të më befasuan me pasurinë e detajeve. Janë dokumente që shpesh anashkalohen. Esat Pasha më ka bërë të njoh një figurë shumë më komplekse seç e kisha imagjinuar dhe nga ajo që zakonisht e përfytyrojnë të tjerët: një pragmatist jo domosdo në kuptimin e keq të fjalës, njeri që jetoi në rrethana të vështira për vendin, por që ishte i aftë të vepronte kur të tjerët thjesht shihnin interesat e tyre të ngushta. E kam fjalën kryesisht për luftën për mbrojtjen e Shkodrës 1912-1913. Figura e tij duhet parë e lidhur ngushtë me kohën kur ai jetoi. Kjo harrohet nga shumë njerëz dhe më ka bërë të reflektoj. Sa për lodhjen, Noli ka qenë veçanërisht sfidues në punën time, për shkak të vëllimit të madh të materialeve dhe nevojës për të balancuar rolet e tij si klerik, politikan, shkrimtar e përkthyes. Çdo faqe për të ka qenë një udhëtim që kërkonte kujdes dhe përkushtim.

Shkrimi i biografive iu bën njëkohësisht njohës të mirë të personalitetit të këtyre personazheve. Duke pasur ndërmend vendimet që kanë marrë, rolin që kanë luajtur, ndikimin dhe vendin që iu ka rezervuar historia, jetën e kujt prej tyre do të dëshironit të jetonit?

Nëse do të zgjidhja, do të thoja jetën e Faik Konicës. Jo sepse ka qenë e lehtë, por sepse Konica kishte një liri intelektuale për t’u patur zili, një aftësi për të qëndruar kritik dhe i pavarur në çdo kontekst. Jeta e tij si shkrimtar, diplomat dhe botues i “Albanias” më duket si një aventurë e mendjes dhe shpirtit. Dhe kur mendon që në fillimet e revistës ai ishte vetëm 20-21 vjeç! Megjithatë, do të doja të shmangia disa nga vetmitë dhe zhgënjimet që e shoqëruan. Konica, me gjithë kontradiktat e tij, jetoi një jetë ku mendimi dhe fjala kishin peshë të vërtetë.

Veprimtaria, rrugëtimi personal e politik i Fan Nolit vjen i plotë përmes tre vëllimeve. Për të tretin ju ende jeni në punë e sipër. Dy vëllimet e para kanë qenë më të shiturit në Panairin e Librit, si dhe në libraritë e vendit. Çfarë e bën Nolin kaq të dashur dhe të kërkuar?

Fan Noli është i dashur sepse është një figurë që i flet çdo shqiptari, pavarësisht moshës apo bindjeve. Ai është njëkohësisht klerik, shqipërues, poet, muzikant dhe politikan – një njeri që jeton me ëndrrat dhe sfidat e një kombi. Lexuesit tërhiqen nga historia e tij, sepse është një rrëfim për dikë që u ngrit nga hiçi për të lënë gjurmë në histori, pavarësisht pengesave të mëdha. Çelësi i suksesit është të përpiqesh ta tregosh Nolin ashtu siç ka qenë: me ëndrra e gabime, triumfe dhe dështime, ta bësh të prekshëm e të afërt, njësoj si një mik me të cilin ti njihesh duke pirë kafe, e jo në konferenca apo auditorë.

Liberale Newsroom

Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH