Nga Besnik Mustafaj*
Përpiqem ta ndjek letërsinë shqipe. Nuk mund të jem shterues, por lexoj edhe shtypin e shkruar. ExLibris, të cilin e lexoj çdo javë, është mjaft orientues dhe mua më duket se është një tribunë. E di që është një botim me humbje, por shyqyr që botohet. Sa e shfrytëzojmë ne impaktin e ExLibris, për të promovuar letërsinë shqipe në mënyrë të veçantë, kjo është gjë tjetër.
Por ajo që duhet theksuar është se nuk ka kritikë letrare. Ky është realitet. Si mund të kompensohet? Unë e kam bërë një llogari të thjeshtë.
Në të gjitha universitete, bëhen rreth 20 të tilla në gjuhën shqipe, në Tiranë, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Janë mbi 40 pedagogë të cilët e fitojnë jetesën me letërsinë, për të folur dhe për të dhënë mësim. Sikur këta njerëz të përfshiheshin pak më shumë në debatin letrar, atëherë debati letrar do të ishte diçka.
Për debat letrar nuk duhet të kemi organe të posaçme, mund të bëhet në shumë forma. Qoftë edhe përmes festivaleve, siç është ky ku jemi. Mua më shqetëson mungesa e debatit letrar sepse nuk përfshihen njerëzit që paguhen për këtë. Kush i njeh ata të Qendrës Albanologjike, të cilët janë personat përkatës për ta orientuar letërsinë shqipe? Shoh ndonjëherë konferenca që bëhen në Tiranë apo Prishtinë, ku shkojnë këto personalitete. Mendoj se duhet të ketë më shumë vëmendje. Fatos Arapi duhet studiuar. Po ashtu Ervin Hatibi, apo emra më të rinj se ai, për të kuptuar tendencat ku po shkon letërsia shqipe dhe çfarë shkruhet në letërsinë shqipe.
Herë pas here mendoj se mund ta bëjnë edhe shkrimtarë të tjerë që në mungesë të kritikës, të shkruajnë për letërsinë. Nuk është turp. Unë kam bërë disa herë dhe i kam botuar në të përditshmet tona. Kam konstatuar se lexohet.
Besoj se në qoftë se nuk angazhohemi ne për të folur për letërsinë, nuk do të flasë kurrkush.
Sa i përket politikave të librit, unë jam mosbesues ndaj ndërhyrjes së shtetit, përveçse në një aspekt: të japë më shumë para. Duke qenë se kam jetuar 5 vjet në Francë, e di që është vendi që bën më shumë për librin. Ka një qendër libri që bën menaxhim buxhetesh. Jep bursa për shkrimtarë, bursa për botuesit, për të botuar autorët e një vendi të caktuar, antologji etj. Unë kështu e shoh politikën e librit: financime që të mbështetur gjithë zinxhirin në hallkat e veta.
Sa i përket përkthimeve, mendoj se ka pasur përkthime shumë të mira. Dy i kam lexuar unë që i ka botuar Onufri. Është libri i një shkrimtari kinez dhe libri i fundit i Markezit, “Shihemi në gusht”.
Kur shkoj në vendet ish-komuniste, planifikoj kohë ta caktuar për të parë nëpër librari se çfarë përkthehet. Edhe kur nuk kuptoj gjuhën, p.sh. polonisht, hungarisht, lexoj emrin e autorit.
Ju siguroj se sa përkthehet në shqip nuk përkthehet në vende të tjera. Përkthehet në mënyrë kaotike, por përkthehet. Problemi është se ne nuk kemi sistemin e sugjerimit për lexuesit.
Baba im ka qenë nëpunës banke. Lexonte shumë. Kur shkoj njëherë, pasi doli në pension, e shoh duke lexuar “Lufta dhe paqja” dhe i them: “E ke lexuar një herë mo burrë”. M’u përgjigj: “Çfarë me ba”. Në atë kohë dilte “RD”, “Zëri i Popullit” dhe “Koha Jonë”. Tha: “Lexova një shkrim te “Zëri i populli” për rekomandimin e një libri. Shkova e bleva. Lexova një shkrim tjetër te “RD” për një libër tjetër. Fillova me e lexu dhe nuk bënte. Lexova edhe një te “Koha Jonë”, se thashë është e pavarur, dhe prapë nuk bënte. Për “Lufta dhe paqja” jam i sigurt që vlen”.
I gjithë zinxhiri prishet sepse mungon rekomandimi edhe për këtë lloj lexuesi. Duhet të gjejmë mekanizmat si t’i rekomandojmë lexuesit librat e mirë dhe si ta nxisim atë brenda mundësive të tij. Ky është një problem universal.
*Nga diskutimet në Festivalin Shqiptar të Letërsisë, i cili u zhvillua në Shëngjin, Lezhë, në datat 18-20 prill, 2025