Studiuesi Albert Nikolla sjell këtë monografi dedikuar atij që u quajt revolucioni kulturor i viteve 1968-të, i shënuar nga një sërë përpjekjesh për ndryshim dhe që u shfaq në shumë vende të botës, duke mos lënë jashtë ndikimit as Shqipërinë. Përgjatë kësaj jave do të sjellim pjesë nga libri “Antikultura e '68-s në Shqipëri”, për të treguar se si ky revolucion erdhi në vendin tonë, cilat qenë shfaqjet e huaja dhe si reagoi më tej sistemi, duke çuar shoqërinë shqiptare në një izolim total.
Koncepti që kanë pasur intelektualët e ish-vendeve komuniste për Lëvizjen e gjashtëdhjetetetës mund të përmblidhet thukët në pohimin në vijimësi: kjo lëvizje e shtrirë në Evropën Perëndimore dhe në atë Lindore e humbi mundësinë e saj që të sillte më shumë të drejta politike dhe liri në vendet e Evropës Lindore që udhëhiqeshin nga regjimi komunist.
Rudi Dutschke, sociolog me origjinë nga Republika Demokratike Gjermane, i arratisur në Berlinin Perëndimor pak ditë përpara se të niste ndërtimi i Murit të Berlinit në prill të vitit 1968, ishte viktimë e një atentati që e dëmtoi rëndë. 35
Rreth dhjetë vjet më pas, në 1979, pak para vdekjes la si dëshmi një intervistë e cila sqaron mjaft qartë ndryshimin midis dy lëvizjeve dhe keqkuptimet mes tyre. Dëshmia e Dutschke-s është domethënëse sidomos për faktin se protagonisti ndërlidh lëvizjet midis dy kampeve:
“Intervistuesi Jacques Rupnik: Si e shpjegoni paaftësinë e së majtës radikale të ‘68-s në Perëndim për të kuptuar Pranverën e Pragës?
Rudi Duçke: Shpjegimi është historik. Pas revolucionit socialist të 1917, pjesa më e madhe e lëvizjes punëtore në botë jetonte me mitin e Revolucionit të Tetorit si revolucion proletar. Dhe vazhdimësia e këtij miti kishte një pasojë: mungesën e analizës kritike të asaj që ndodhte në Bashkimin Sovjetik. [...]. thelbi i manifestimeve në Perëndim kishte të bënte me luftën kundër imperializmit amerikan dhe Evropa Lindore nuk ishte aspak në planet tona.
Intervistuesi Jacques Rupnik: Sipas jush pse ishin të rëndësishëm Maji i Parisit dhe Pranvera e Pragës? A kishin ndonjë të përbashkët, përtej keqkuptimeve?
Rudi Duçke: Mora vesh se çfarë po ndodhte në Paris ndërkohë që isha në spital. Për mua ishte e qartë se një dështim i lëvizjes në Francë e Gjermaninë Perëndimore do të kishte sjellë edhe dështimin e Pranverës së Pragës e gjithë lëvizjeve të tjera në Lindje.”(26)
Pohimet e Rudi Duçkes - gjermano-lindor i arratisur në Gjermaninë Perëndimore, në krye të lëvizjes së ‘68-s në Gjermaninë Perëndimore – janë dëshmi kyçe për të kuptuar përmasat dhe ndryshimet e lëvizjes në të dyja krahët.
***
Ashtu si në Çekosllovaki, edhe në Poloni lëvizja studentore kishte si qëllim demokratizimin dhe liritë politike, ndërkohë që në Perëndim manifestohej kundër imperializmit amerikan dhe burokratizmit të aparateve shtetërore. Pra edhe mes lëvizjes polake dhe atyre perëndimore kishte keqkuptime në qëllimet dhe idetë e Lëvizjes. Dështimi i lëvizjes studentore të ‘68-s në Poloni u shoqërua edhe më një dukuri të çuditshme: antisemitizëm.
Ky fakt, në dukje i pabesueshëm, është shfaqur mjaft intensiv pasi regjimi polak, pas shtypjes së lëvizjes studentore, detyroi të largohen nga vendi shume pedagogë, studentë e intelektualë hebrenj.
Në Rumani, në Bullgari dhe në Hungari Lëvizja u shfaq e dobët. Ndërsa në Jugosllavi, sidomos në Serbi, Kosovë e Maqedoni e përcollën jehonën e ’68-ës.
Duke qenë se Jugosllavia ishte një shtet federativ, disa republika e inkuadruan Lëvizjen në favor të kërkesës për të drejta më të mëdha brenda federatës. Edhe Kosova, si krahinë autonome, pa në këtë klimë të Lëvizjes mundësinë e volitshme për të kërkuar statusin e republikës.
Lëvizja në Kosovë ka shumë intensitet dhe mjaft demonstrata janë mbajtur pikërisht në vitin 1968. Edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut faktori shqiptar kërkoi më shumë të drejta dhe pikërisht në këtë frymë bashkësia shqiptare në Maqedoninë e Veriut fitoi të drejtën e përdorimit të simboleve kombëtare. Madje në edhe sot Maqedoninë e Veriut ka një shoqatë që quhet Lëvizja e ‘68-s në përkujtim të asaj kohe. Disa autorë e kanë quajtur lëvizjen e ‘68-s në Jugosllavi si rizgjimin e nacionalizmit.(36)
Në Jugosllavi lëvizja e studentëve ishte mjaft interesante pasi vetë ky shtet federativ ishte si një kontinent i vogël më vete me një larmi popujsh e etnish dhe ishte i vetmi vend lindor që u kishte lejuar qytetarëve të vet disa elemente lirie më shumë se vendet e tjera komuniste lindore (p.sh. lëvizjen e lirë të qytetarëve jashtë shtetit). Jugosllavia, në vitin shkollor 1967-1968, ishte vendi i tretë në botë për numrin total të studentëve për njësi të popullsisë pas SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik: 210 000 studentë. Ky fakt i jepte më shumë mundësi përhapjes së Lëvizjes dhe jehonës së saj në vend.(37)
Shkëndija e shpërthimit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë së Beogradit ku një grup intelektualësh shprehin mbështetjen e tyre për studentët polakë që ishin tashmë në protestë në Varshavë.
Më vonë Lëvizja u përhap nga Beogradi në Zagreb e Sarajevë. Po aq i madh ishte ndikimi i lëvizjes te studentët shqiptarë në Prishtinë e Prizren. Studiuesi Atdhe Hetemi ka botuar një punim me vlerë mbi dinamikat dhe ndikimet e Lëvizjes në Kosovë. Aty dëshmon hipokrizinë që ka shoqëruar qeverinë shqiptare të asaj kohe në qëndrimin ndaj lëvizjes studentore të studentëve shqiptarë. Hetemi, ndryshe nga disa autorë të tjerë në Kosovë, pranon se lëvizja e studentëve shqiptarë erdhi si pasojë e jehonës së lëvizjes së përbotshme studentore dhe lëvizjes në republikat e tjera të Jugosllavisë.
“E nxitur nga lëvizjet studentore të viteve ’60 dhe e ndikuar nga propaganda e Republikës së Shqipërisë, po ashtu nga kërkesat e elitave politike dhe kulturore të Kosovës, studentët shqiptarë themeluan në Prishtinë Komitetin e Studentëve i cili më vonë shërbeu si grupi kryesor i protestave studentore të ‘68-s.”(38)
Hetemi analizon edhe ndërhyrjen e Shqipërisë si nxitëse e protestave të ‘68-s, por edhe qëndrimin e dyfishtë të saj kundrejt studentëve kosovarë. Nga njëra anë qeveria shqiptare, nëpërmjet ambasadës në Beograd, shpërndante materiale propagandistike për studentët shqiptarë, por kur këta i kërkonin mbështetjen për kërkesat e tyre që Kosova të jetë republikë, qeveria shqiptare nuk i mbështeste.
Përbën një risi të edhe fakti se ndërkohë që manifestimet studentore në Jugosllavi mbetën në kuadrin e regjimit, pra ata kërkonin një “komunizëm më të mirë”, studentët kosovarë bënin kërkesa të qarta politike duke kërkuar statusin e republikës për Kosovën.
“Ndërkohë që studentët në Beograd bënin thirrje për një “zbatim më të mirë të komunizmit, studentët e Prishtinës shprehën për herë të parë publikisht aspiratat e tre politike për statusin “republikë” për Kosovën.”(39)
REFERENCA
26. MicroMega. Sessantotto. Rudi Dutschke in conversazione con con Jacques Rupnik. Il malinteso del 1968.
36. Bianchini, S. (a cura di), L’enigma jugoslavo. Le ragioni della crisi. Franco Angeli. Milano, 1989.
37. Cranz, G. Il sessantotto sequestrato. Cecoslovacchia, Polonia, Jugoslavia e ditorni. Donzelli Editore, 2018, f.124.
38. Hetemi, A. Student Movements for the Republic of Kosovo. 1968, 1981 and 1997. Palgrave Macmillan. 2020, f. 89.40
39. Po aty, f, 80
*Shkëputur nga libri “Antikultura e 68-s në Shqipëri, lëvizjet që u propoganduan si demokratizim i mëtjshëm i jetës së vendit", të studiuesit Albert Nikolla, botuar nga shtëpia botuese UETPRESS.