Kur mbeten edhe 154 kutitë e fundit për t'u numëruar dhe para se të shpallet rezultati përfundimtar i mandateve të dala nga votimet e 11 majit gara e ashpër në Tiranë mes Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit, pa vullnetin e tyre, duket se i ka dhënë edhe një leksion PD-së, për të kuptuar pse për këtë parti po bëhet gjithmonë edhe më tepër i pamundur rikthimi në pushtet. Mjeku Ilir Alimehmeti edhe pse ka marrë deri tani mbi 15 mijë vota preferenciale, me shumë gjasë do të mbetet jashtë dyerve të Kuvendit. PD do të çojë në Kuvend 48 deputetë të tjerë, shumë më pak të votuar e të pëlqyer se ai, disa as të pëlqyer dhe as të votuar.
Sipas të dhënave më të fundit të orës 21:00, nga koalicioni opozitar PD-ASHM, vijon garën për mandatin e 13-të, Jorida Tabaku me Ilir Alimehmetin.
Nga të dhënat e KQZ, Tabaku numëron 16,642 vota, ndërsa kandidati i PD Ilir Alimehmeti 15,021 vota, pra diferenca është afro 1620 vota.
Megjithë ndryshimin e shifrave, diferenca e thellë duket se i jep Tabakut një vend të sigurt në garë e megjithatë pritet të shihet deri në fund se si do të ndryshojë kurba e votave.
Gara e padrejtë mes Ilir Alimehmetit dhe Jorida Tabakut për një mandat nxori në pah problemin e përfaqësimit të Partisë Demokratike ose më saktë mungesën e përfaqësimit të saj ndër vite nga njerëz me vlera qytetare dhe intelektuale çka edhe ka dëmtuar më tepër vetë atë.
Për njerëz me profilin e Ilir Alimehmetit, prej 2021 anëtar i Akademisë së Shkencave, familjar dhe mjek shembullor i Tiranës, pa asnjë mëdyshje; ka më shumë nevojë PD dhe jo ai për partinë. Vënia në garë me Joridën deri në numërimin e fundit dhe më tej lënia e tij jashtë Kuvendit janë provë e qartë e nevojës për riformatimin nga themelet të së djathtës së re.
Ilir Alimehmeti vjen nga një familje doktorësh që ka kontribuar historikisht për Partinë Demokratike dhe të djathtën në disa fushata. Iliri është i biri i dy prindërve punëtorë e doktorë të Tiranës. Gjatë fushatës së fundit Ilir Alimehmeti zbuloi se është djali i mjekes së respketuar Jera Kruja dhe doktor Alimehmetit.
Ai është i martuar po ashtu me një mjeke, Serla Grabova, dhe ka dy vajza.
Ndërsa nga angazhimet e fushatës së fundit e pranoi se politika i ka marrë kohën që duhet të shpenzonte me familjen apo edhe në angazhimet profesionale.
Ishte nga kandidatët e Partisë Demokratike më të votuar për primaret e Tiranës dhe një nga dy kandidadët më të votuar në rang kombëtar në zgjedhjet e 15 majit 2025. Vetëm Partia Demokratike ose nuk e kupton, ose nuk ka ndërmend të reflektojë dhe të kuptojë se pse një kandidaturë e tillë që siguron mbi 15 mijë vota individuale, mbetet jashtë Kuvendit.