Ervis Iljazaj
Më 16 maj, udhëheqës nga mbarë Evropa do të mblidhen në sheshin “Skënderbej”, në qendër të Tiranës, për samitin e Komunitetit Politik Evropian (KPE). Ide e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj luftës në Ukrainë, KPE-ja mblidhet në nivelin më të lartë dy herë në vit, dhe kësaj here është radha e Shqipërisë. Ky padyshim është një lajm i mirë, i cili konfirmon edhe njëherë se Tirana është adresae uropiane në Ballkanin Perëndimor.
Padyshim që është një marketing i mirë për Edi Ramën, por rëndësi ka që Shqipëiria të shihet nga Europa si një aleat i besueshëm. Dhe fakti që organizohet pikërisht në Tiranë, për herë të parë në Ballkan, një takim i tillë e konfirmon këtë. Të kuptohemi, ky takim nuk ka shumë lidhje me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europinë apo të vëndeve të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi. Ky është një Komunitet që zhvillon takime bilaterale, përcakton linja politike apo deklarata që nukjanë detyruese për vende të caktuara. Ky komunitet është thjesht një organizëm për Europën për të koordinuar politikat e saj, sidomos gjeopolitike edhe me vendet që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian.
Dihet që politika e jashtme është një nga pikat më të dobëta të Europës prandaj edhe këto janë mënyra për të bashkërenditur qëndrime apo drejtuar vendime gjeopolitike. Në fakt Europa ka shumë institucione për këtë arsye, e përsëri në këtë drejtim ka dështuar deri më tani. Kështu që, edhe ky Komunitet nuk pritet të sjellë ndonjë risi.
Gjithsesi është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe e vendos atë në qendër të politikës europiane dhe mediatike qoftë edhe për një ditë. Sigurisht Rama do ta shfrytëzojë në aspektin politik, siç do të bënte çdo kush që do të ishte ne qeveri. Aq me tepër që sapo ka fituar një mandat të katërt në shenjen e integrimit të Shqipërisë në BE brenda vitit 2030. Por në drejtimin e integrimit të Shqipërisë ky komunitet nuk sjell asgjë, ai është një proces komplet tjetër. Të vetmen gjë që sjëll për Shqipërinë është marketingu mediatik që i bëhet Tiranës për dy ditë.
Dhe Edi Ram shquhet për shfrytëzimin e eventeve të tilla. I kërkon, i merr dhe i kapitalizon. Ky nuk është i vetmi takim ndërkombëtar që është zhvilluar në Tiranë. Ka patur edhe takime të tjera të këtyre niveleve. Edi Rama kërkon të përfitojë nëpërmjet këtyre takimeve. Por nëse përfiton edhe Shqipëria pak rëndësi ka.
Takimi i komunitetit politik është edhe një mesazh gjeopolitik për Ballkanin Perëndimor. Jo më kot zhvillohet në këtë rajon. Mesazhi që duan të japin liderat e Europës është fakti se ky rajon është ende në interesin e Europës. Madje, pas konfliktit në Ukrainë, është edhe më shumë. Në këtë kuptim Edi Rama u thotë shqiptarëve se tashmë kushtet për integrimin europian të Shqipërisë janë më të favorshme. Ndoshta edhe është kështu, por Europa në dekadat e fundit na ka mësuar se është shumë hibride në politikën e jashtme dhe gjeopolitike. Shpresojmë që këto kushte të mbeten të tilla për shumë gjatë. Sespe edhe vetë Rama nuk do të mund të justifikohet për premtimin që i ka dhënë shqiptarëve se negociatat me BE-në do të mbyllen në vitin 2027.