Universitet publike veç kaosit janë edhe në krizë identiteti. Shumë degë janë drejt mbylljes. Edhe pse qeveria ka akorduar bursa sa paga minimale që të mbijetojnë, ato sërish refuzohen nga studentët. Praktikat e kohës sovjetike që kanë mbuluar katedrat, cilësia e mësimdhënies me profesorë që janë specializuar për marksizëm dhe leninizëm dhe mungesa e një standardi vlerësimi për studentët ka bërë që paradokset të shoqërojnë regjistrimet në universitet publike edhe këtë vit, ku shumë degë rrezikojnë mbylljen.
Në universitete vijojnë regjistrimet për raundin e dytë. Sipas drejtorit të Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj fituesit kanë afat deri ditën e nisjes së vitit akademik, më 7 Tetor që të regjistrohen. Ky vit akademik, ndryshe nga vitet e fundit që numri i studentëve është ulur, pritet të ketë një rritje të lehtë. Degët më të preferuara janë ato të lidhura me mjekësinë pasi përmes tyre të rinjtë shohin të ardhme në Gjermani ose në vende të tjera të BE.
“Kemi rreth 3400 maturantë të regjistruar nga 5500 që aplikuan në raundin e dytë, kështu që deri në fund të raundit besoj se do të kemi 4000 maturantë të regjistruar, që është një shifër e mirë,” - thotë Arjan Xhelaj, drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar.
“Kjo ka qenë edhe ecuria më e mirë nëse do ta kapim këtë rezultat. Besoj se mbase arrijmë edhe 20 mijë maturantë deri në fund të raundit të dytë duke pasur parasysh që është edhe faza tjetër që nis nga 10 Tetor.”
Deri tani përfshi edhe raundin e parë janë regjistruar në një program studimi 19,600 maturantë duke ju afruar shifrës totale të studentëve që hynë në vitin e parë vitin e shkuar akademik. Sipas Xhelajt kjo rritje e numrit të studentëve, po vjen për shkak të interesit të lartë të të rinjve, që kanë mbaruar maturën vite më parë dhe duan të ndjekin universitetin.
Mbi 15% të aplikantëve që kanë plotësuar formularin që i bije të jenë maturantë të viteve të kaluara.
Disa programe studimi vijojnë të kenë pak studentë të regjistruar, dhe kjo sipas Xhelajt vjen për shkak se oferta akademike është shumë e zgjeruar.
Arjan Xhelaj, drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar thotë se ato programe që nuk kanë as regjistrime ndër vite mbase duhen mbyllur dhe përshtatur pastaj këto resurse akademike për lëndë në kurrikula të tjera.
Degët e papreferuara, dramë me shkencat dhe mësuesinë
Për vitin e ri akademik 2024-2025 degët e gjuhëve të huaja kanë shumë pak regjistrime. Ka ende programe që mund të lidhem me shkenca ekonomike, juridike, sociale dhe degët që lidhen me mësuesinë, Universiteti Bujqësor, por edhe 2-vjeçaret profesionale..
E nëse degët e Mjekësisë, Informatika dhe Inxhinieritë u plotësuan që në ditët e para të regjistrimeve, degët prioritare dhe veçanërisht mësuesia kanë numër shumë të ulët studentësh. Në Shkencat e Natyrës, mbetet kritike degë si Fizika, Kimia dhe Matematika. Ironikisht ato po mbijetojnë me nxënësit më të dobët.
Në Universitetin e Tiranës, në programet e mësuesisë, është realizuar vetëm 30% e kuotave, ndërsa në rrethe situata është edhe më kritike, pasi ka degë si Fizika në Universitetin e Shkodrës, me vetëm 1 student të regjistruar deri tani.
Në krizë të thellë Bujqësori dhe universitetet publike në rrethe
Fatbardh Sallaku, rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës thotë “në raundin e dytë aktualisht janë regjistruar mbi 130 studentë.”
“Ndërsa në raundin e parë u realizuan rreth 55% e kuotave. Në total deri më tani janë regjistruar 800 maturantë”.
Një vit më parë ai thotë se “patëm 1150 studentë të regjistruar dhe shpresojmë që më mbylljen e raundit të dytë dhe fazës së lirë të regjistrimeve do ta arrijmë këtë shifër edhe këtë vit.”
Çdo vit e më pak studentë po regjistrohen në vitin e parë në universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës. Në prag të nisjes së vitit të ri akademik në këtë universitet deri më tani, pas përfundimit edhe të fazës së dytë, janë regjistruar 260 studentë të rinj.
Krahasuar me vitin e kaluar kjo shifër është dukshëm më e ulët nga 346 që zgjodhën vjet universitetin e Gjirokastrës.
Për zëdhënësen e këtij institucioni, regjistrimet janë në nivel të kënaqshëm krahasuar me prurjet nga sistemi para universitar.
Degët e mësuesisë vijojnë të jenë më pak të preferuara. Këtë vit akademik në universitetin “Eqrem Çabej” do të ketë edhe disa studentë nga Lugina e Preshevës për të cilët, Bashkia e Gjirokastrës ka siguruar akomodimin falas në konvikt ndërsa janë përjashtuar nga taksa e shkollimit