Kampionët e Shqipërisë, Egnatia, do të zbresin sërish në një fushë islandeze, këtë herë përballë skuadrës Breidablik, në kuadër të garave europiane. Por kjo nuk është hera e parë që rrogozhinasit përballen me një ekip nga Islanda.
Dy sezone më parë, Egnatia u përball me ekipin Vikingur, një rival i fortë në kampionatin islandez dhe rival i drejtpërdrejtë i Breidablik. Në atë përballje, Egnatia arriti një fitore të madhe 1-0 në transfertë, falë golit të Drame, duke befasuar të gjithë me organizimin dhe karakterin e treguar në një terren të vështirë.
Fitorja në Islandë atëherë u konsiderua si një arritje e madhe për një skuadër shqiptare pa shumë eksperiencë në Europë. Vikingur, që kishte më shumë eksperiencë ndërkombëtare, u dominua nga Egnatia, e cila tregoi se ishte gati të përballej me sfida të mëdha.
Megjithatë, ajo aventurë përfundoi me eliminim, pasi në ndeshjen e kthimit në “Elbasan Arena”, Egnatia u mund 0-2 dhe u përshëndet me garën. Por përvoja e atëhershme ka shërbyer si një mësim i rëndësishëm për klubin, që sot kthehet në Islandë me më shumë përvojë, besim dhe kujtime pozitive.