Universitet

FJALIMI i presidentit të UET, prof. Selami Xhepa: Bëhuni vetë ndryshimi dhe aktorët që e prodhojnë atë

Shkruar nga Liberale

FJALIMI i presidentit të UET, prof. Selami Xhepa: Bëhuni vetë

Nga prof. asoc. dr. Selami Xhepa*

Ka qenë kënaqësi të punonim së bashku këto vite, të cilat janë për ju themelet e gjithçkaje që vjen më pas në rrugëtimin tuaj profesional. Ju përcjell me këtë rast urimet më të ndjera, të përzemërta dhe të sinqerta për ju dhe familjet tuaja! Kjo është një atmosferë shumë e këndshme, ku së bashku me ju, festojnë edhe prindërit edhe të afërmit tuaj. Vlerësim për ju prindër, për mbështetjen që iu keni dhënë fëmijëve tuaj.

Shumica prej jush, të dashur studentë, jeni këtu prej tre vitesh dhe keni bërë këtë zgjedhje duke i dhënë besim universitetit tonë, në morinë e zgjedhjeve alternative që iu janë ofruar. Ju jemi shumë falënderues dhe shpresoj ta kemi merituar besimin tuaj!

Me këtë rast, falënderoj edhe të gjithë stafin akademik dhe administrativ të universitetit, për të gjithë punën dhe përkushtimin e palodhur në shërbimin tuaj.

Këto tre vite pune dhe përkushtimi kanë dëshmuar aftësitë tuaja për kurrikulën, për të mësuar dhe për t’u bërë individë të mrekullueshëm siç dhe jeni. Ajo që vjen më pas është përsëri si jeta në auditorë, veçse tashmë auditori ka një përmasë të re dhe aktorët janë shumë më të gjerë.

Gjërat do të jenë edhe më komplekse dhe zgjedhjet që ju do të bëni do të kenë pasoja reale, jo vetëm për të ardhmen tuaj dhe të karrierës suaj por edhe për shoqërinë e njerëzimin. Prandaj është e rëndësishme, jo vetëm të zhvilloni më tej dijen që keni marrë, por edhe të ruani miqësitë që keni krijuar dhe vlerat që janë të vyera për ju.

Ky korrik i vitit 2025 përkon me ngjarjet historike të 35 viteve më parë, të korrikut 1990-të, kur mijëra të rinj dhe të reja e braktisën vendin si refuzim ndaj mungesës së lirisë dhe varfërisë që kishte prodhuar sistemi politik. Qindra dhe mijëra të tjerë që qëndruan, e kanë transformuar Shqipërinë në mënyrë të paimagjinueshme dhe, shpresoj, kryesisht për mirë.

Brezi i studentëve dhe i rinisë së asaj periudhe, të shembjes së sistemit të kaluar, ka të drejtë të krenohet me gjithçka pozitive që është krijuar në këto dekada në Shqipërinë tonë. Ne jemi të gjithë dëshmitarë të ndryshimit të madh që është realizuar gjatë këtyre viteve. Ndërsa sot, Shqipëria ofron shumë mundësi për vetërealizim dhe për arritje, është detyrë e secilit prej nesh, e veçanërisht e juaja të dashur studentë, që të kontribuojmë në proceset e ardhshme transformuese dhe modernizuese të vendit tonë.

Teksa shohim pas arritjet tona, duhet përpjekje e përditshme, vullnete pozitive dhe punë këmbëngulëse për të ndryshuar gjërat që nuk na pëlqejnë në mënyrë që t’i japim shoqërisë profilin që do të dëshironim së bashku.  

Ndryshimi nuk duhet të shihet si një imponim mbi ne, ndaj të cilit ne duhet të përshtatemi, por ne duhet të jemi vetë ndryshimi, aktorët që e prodhojnë. Përmes sfidave të tilla ne zbulojmë forcën tonë për të krijuar një të ardhme më të ndritur e më premtuese për breza të tjerë.

Të dashur të diplomuar, ceremonia e sotme është si prologu i librit që secili prej jush do të shkruajë, përgjatë rrugëtimit të tij në jetën profesionale dhe jo vetëm. Përmes eksperiencave që do të krijoni, do të ndërtoni dhe do të nxirrni mësimet tuaja për jetën dhe atëherë do ta kuptoni ndoshta dhe më mirë vlerën e këshillave që mund të merrni prej më të rriturve, prej prindërve dhe mentorëve tuaj.

Si dikush që është diplomuar 36 vite më parë, ka mjaft gjëra për të ndarë me ju sonte, por e përmbledhur në një fjali, ajo është: kultivoni moralin e lartë dhe dashuri për dijen. Bashkoni fjalët me veprën, rrituni për t’u bërë të mëdhenj dhe të virtytshëm. Virtyti është rruga që ju përshkruani, është natyra dhe zemra e individit. Individi i virtytshëm përshkon një rrugë të gjatë dhe të qëndrueshme.

Ju uroj me gjithë zemër që të keni një jetë të gjatë dhe të lumtur, të mbushur plot me arritje dhe suksese, për ju dhe familjet tuaja dhe për vendin!

*Fjala e plotë e presidentit të Universitetit Europian të Tiranës, prof. asoc. dr. Selami Xhepa, në ceremoninë e diplomimit të brezit të 17-të në ciklin bachelor.

Liberale Newsroom

Lirimi i hapësirave publike, a duhej bërë në mes të sezonit turistik?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH