UET hedh hapat e parë drejt rankimeve globale përmes aplikimit në Times Higher Education, një nga sistemet më prestigjioze sot në botë për matjen e performancës së universiteteve në rang global.
Universiteti Europian i Tiranës ka dorëzuar aplikimet për t’u përfshirë në dy renditje të Times Higher Education, në World University Rankings dhe Interdisciplinary Science Rankings. Procesi i aplikimit është mbyllur më 28 mars 2025, ndërsa pritet që rezultatet e renditjeve të publikohen në tetor të këtij viti.
Ky proces vjen pas kontributit 20-vjeçar të UET në arsimin e lartë, akreditimit të tij ndërkombëtar nga agjencia britanike Quality Assurance Agency (QAA), partneriteteve dhe kërkimeve ndërdisiplinare të shumta shkencore, që e bëjnë atë të krahasueshëm me homologët e tij kudo nëpër botë.
Rektorja e Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Drita Kruja thotë se përfshirja në renditjet e Times Higher Education përfaqëson një hap domethënës drejt ndërkombëtarizimit dhe vlerësimit objektiv të cilësisë së arsimit të lartë shqiptar.
“Ky proces jo vetëm rrit besueshmërinë e universiteteve shqiptare në arenën ndërkombëtare, por nxit gjithashtu përmirësimin e vazhdueshëm institucional në kërkim, mësimdhënie dhe ndikim social. Si Rektore e Universitetit Europian të Tiranës, pres me besim që përfshirja në renditjet globale të THE të shërbejë si një tregues i progresit tonë dhe si një instrument për të synuar standardet më të larta të ekselencës akademike”, thekson Kruja.
Rektorja shton se është thelbësore që në këtë proces të përfshihen të gjitha universitetet shqiptare, publike dhe jopublike, pasi vetëm përmes një përpjekjeje të përbashkët mund të rritet konkurrueshmëria, transparenca dhe ndikimi i arsimit të lartë në zhvillimin e vendit.
Pas dorëzimit të të dhënave nga Universiteti Europian i Tiranës procesi vijon me verifikimin dhe saktësimin e tyre nga ekipi i THE. Më tej, ato analizohen dhe krahasohen me universitete të tjera përmes indikatorëve të përcaktuar. Kështu, për World University Rankings kriteret e vlerësimit janë mësimdhënia, kërkimi shkencor, citimet, të ardhurat nga industria dhe dimensioni ndërkombëtar.
Interdisciplinary Science Rankings fokusohet në vlerësimin e universiteteve sa i përket kërkimeve ndërdisiplinore dhe mat aftësinë e tyre për të prodhuar njohuri shkencore që lidhin disiplina të ndryshme, duke reflektuar potencialin për zgjidhjen e sfidave komplekse globale.
"Për UET-in, aplikimi në këto renditje është një hap strategjik: pjesëmarrja përforcon angazhimin e universitetit në cilësinë e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor, si dhe përforcon qasjen tonë ndaj ndëkombëtarizimit. Raporti i renditjes që pitet të punlikohet në tetor 2025 gjithashtu do të ndihmojë në planifikimin strategjik, krahasimin ndërkombëtar dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së UET, duke kontribuar gjithashtu në zhvillimin institucional", thotë më tej PhD Johana Hajdini, përgjegjëse për Kërkimin, Zhvillimin dhe Ngritjen e Kapaciteteve.
Pse është i rëndësishëm rankimi në THE
Times Higher Education (THE) është një platformë ndërkombëtare, e cila shërben si burim të dhënash, njohurish dhe ekspertizash mbi arsimin e lartë në mbarë botën. Ajo ofron të dhëna për më shumë se 7000 institucione në 171 vende, si dhe ka një audiencë vjetore me mbi 65 milionë përdorues.
Themeluar në 1971-shin në formën e një suplementi informues, gjatë viteve funksionet e saj janë zgjeruar duke e shndërruar në një institucion të rëndësishëm reference për shumë institucione akademike, qeveritare dhe ato të industrisë. Prej 2004-ës, THE ofron World University Rankings, duke zhvilluar renditje vjetore të universiteteve më të mira botërore, sipas disa kritereve: mësimdhënia, mjedisi kërkimor, cilësia e kërkimit shkencor, angazhimi i industrisë, perspektiva ndërkombëtare.
Sot, THE është një nga tre platformat më prestigjioze dhe më të besueshme, e cila përveç renditjes klasike dhe më të hershme, ofron edhe renditje të tjera siç janë: rankimet ndërdisiplinare (Interdisciplinary Science Rankings), renditjet rajonale (Regional University Rankings), renditjet sipas reputacionit (Reputation Ranking), renditje sipas fushave (World University Rankings by Subject) dhe renditja sipas ndikimit (University Impact Rankings).
Ky i fundit i vlerëson universitetet bazuar në progresin e tyre drejt Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara. Përmes vlerësimit në fusha të tilla si veprimi ndaj klimës, barazia gjinore apo arsimi cilësor, THE ndihmon në promovimin e një arsimi më të qëndrueshëm dhe shoqërisht të përgjegjshëm, që iu përgjigjet sfidave globale.