Një institucion i arsimit të lartë nuk mund të jetë i plotë pa dimensionin e tij ndërkombëtar. Është pikërisht ky element që i jep atij vlerë të shtuar, besueshmëri dhe e bën të krahasueshëm me homologët e tij brenda dhe jashtë vendit.
Ndërkombëtarizimi kalon në disa etapa dhe janë disa procese që e bëjnë një kolegj apo universitet ndërkombëtar, të tilla si: shkëmbimet studentore dhe të stafeve akademike; firmosja e marrëveshjeve të bashkëpunimit; ofrimi i programeve të përbashkëta të studimit; përfshirja në projektet ndërkombëtare me ndikim të lartë për zhvillimin e instiucioneve dhe shoqërisë; akreditimet ndërkombëtare etj.
Dimensioni ndërkombëtar ka pasur rrugëtimin e tij në Kolegjin Profesional të Tiranës, tashmë i kthyer në Kolgjin Universitar “Tirana College of Technology”, i cili ofron krahas 8 programeve profesionale 2-vjeçare edhe 4 programe të reja Bachelor në fushat e inxhinierisë.
Për TCT, ndërkombëtarizimi është një sipërmarrje strategjike, që lidhet ngushtë me cilësinë e procesit akademik, zhvillimin dhe trajnimin, përqafimin e agjendës digjitale dhe të inovacionit, duke qenë një “fabrikë” e rëndësishme e akademisë dhe praktikës.
Ky kolegj universitar synon të kthehet në qendrën e risive teknologjike, në një institucion novator në mësimdhënie dhe mësimnxënie, në përputhje me kërkesat e tregut, e njëkohësisht të jetë pikë referimi kombëtare e rajonale në bashkëpunimin dhe promovimin e vlerave zhvilluese.
Gjatë viteve, TCT ka fituar 15 projekte, shumica prej të cilave kanë qenë pjesë e programit Erasmus+, një histori suksesi e Bashkimit Europian me gati 40 vite ndikim në rritjen personale dhe profesionale të mbi 16 milionë njerëzve.
Këto projekte i kanë sjellë përvojë të çmuar stafit akademik e administrativ, por edhe e kanë ekspozuar Tirana College of Technology ndaj eksperiencave më të mira ndërkombëtare, duke dhënë edhe ai kontributin e vet në aspekte dhe fusha të caktuara zhillimore. Përveç zbatimit të projekteve ekzistuese, TCT është në pritje të përgjigjes për projektet e reja, në të cilat ka aplikuar gjatë këtij viti.
Disa prej projekteve ndër vite:
DELTA- Ky projekt ka promovuar kulturën e shkëmbimit të njohurive dhe nxitjen e inovacionit në mësimdhënien dhe të nxënit shumëdisiplinor në Ballkanin Perëndimor. Fokusi i tij ka qenë pajisja e individëve me njohuri dhe aftësi gjithëpërfshirëse, thelbësore për integrimin në ekonominë dhe tregun e punës së BE-së.
DUABAL- Qëllimi kryesor i projektit ka qenë përmirësimi i kompetencave të të diplomuarve të arsimit të lartë në Shqipëri përmes zhvillimit të një modeli të përgjithshëm të arsimit të dyfishtë (modeli DUALBA). Po ashtu, përmes tij është synuar ndërtimi i një kuadri ligjor dhe strategjik që mbështet nevojat dhe interesat e ndryshme të studentëve, kompanive, institucioneve të arsimit të lartë.
MORIN – Ky projekt ka adresuar çështjen e integrimit të studentëve në vendet ku ata shkojnë për të studiuar, duke lehtësuar gjithë procesin e transferimit, njohjes së lëndëve, thjeshtëzimit të procesit akademik, e njëkohësisht ofrimin e asistencës për praktikat profesionale dhe punësimin sezonal.
reZEB- Fokusi i këtij projekti ka qenë modernizimi dhe zhvillimi i kurrikulave të reja në Teknologjitë e Energjisë së Rinovueshme dhe Eficencën e Energjisë për ndërtesat në Ballkanin Perëndimor. Ai ka adresuar nevojën për profesionistë të kualifikuar duke e përshtatur arsimin tonë me standardet e BE-së dhe kërkesat e industrisë, si dhe ka nxitur partneritetin e fortë industri- akademi.
V.I.R.TU.AL- Një tjetër projekt i rëndësishëm që ka të bëjë me mësimin e avancuar dhe inovacionin profesional në turizëm. Ai është përqendruar në evidentimin e rëndësisë dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe trajnimit profesional në sektorin e turizmit, një nga sektorët më të rëndësishëm për Shqipërinë.
VirtuEU- Një program shkëmbimi virtual i përqendruar në bashkimin e të rinjve nga vende të ndryshme përmes aktiviteteve në formën e një kurrikule arsimore joformale. Këto formate kanë synuar fuqizimin e të rinjve dhe kapacitetit të tyre për t'u bërë më aktivë dhe të hapur për pjesëmarrje.
ENGINE- Ky projekt i është kushtuar modernizimit dhe ndërkombëtarizimit të arsimit inxhinierik në Shqipëri, me fokus në energjinë e rinovueshme dhe efikasitetin e energjisë. Ai ndikuar në përmirësimin e ambienteve laboratorike, trajnimin e stafit me metodat më moderne në fushën përkatëse dhe nxitjen e partneriteteve të qëndrueshme midis akademisë dhe industrisë së energjisë.
U- SIA (University in the service of Society in Albania)- Qëllimi i këtij projekti ka qenë evidentimi i rolit të universitetit për shoqërinë në Shqipëri dhe ndikimi që ai mund të japë në procesin e integrimit evropian, përmes kërkimit shkencor, ngritjes së debatit publik, trajtimit shkencor të sferave që prek shkrirja e legjislacionit me atë të Bashkimit Europian, por edhe impakti që do të sjellë integrimi në ekonominë tonë.
EDUFAIR- Ka në fokus ndërtimin e kapaciteteve në arsimin e lartë për të lehtësuar integrimin e Inteligjencës Artificiale në mësimdhënie, të nxënit dhe kërkimin shkencor, duke rritur kompetencat digjitale dhe duke nxitur praktikat arsimore gjithëpërfshirëse.
ALLIANCE- Objektivi i këtij projekti ka qenë ndërtimi i Zyrave Ndërkombëtare në tre institucione të Arsimit dhe Trajnimit Profesional në Shqipëri dhe dy në Kosovë. Duke krijuar një kornizë formale për angazhim ndërkombëtar, iniciativa synon të rrisë ndjeshëm kapacitetin e institucioneve profesionale për të bashkëpunuar me partnerët globalë
Conected Through Mobility- Qëllimi kryesor i këtij projekti pilot ka qenë forcimi i sistemit arsimor dhe atij të formimit profesional, duke kryer vizita dhe shkëmbyer praktikat më të mira midis universitetve të katër vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnjë/Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi.
CG-International- Ky projekt i është dedikuar arsimit të formimit profesional, duke sjelle qasje inovative sa i përket orientimit të studentëve drejt këtij arsimimi. Për këtë arsye, janë trajnuar pedagogë dhe këshilltarë për arsimin profesional, si dhe janë angazhuar palët e interesuara dhe ndërtimin e strategjive.