Nga Julie Henry
Me 92 përqind të studentëve të ciklit Bachelor që mbështeten në mjetet e Inteligjencës Artificiale, universitetet po rikthejnë provimet në klasë për të mbrojtur mendimin e pavarur.
Sezoni i provimeve të këtij viti ka qenë veçanërisht i vështirë, sipas Dr. Mark Shanahan, një profesor i asociuar i politikës në Universitetin Surrey. Nuk është moti i nxehtë apo ngarkesa e shtuar e punës që po e bëjnë periudhën e vlerësimit të studentëve edhe më të vështirë. Është Inteligjenca Artificiale.
"Ndërsa disa ese që kam lexuar kanë qenë vërtet të shkëlqyera, për herë të parë në 15 vitet e mia në akademi, shumica e eseve të dorëzuara kanë përdorur AI-në," thotë akademiku. "Mund të mos jetë e ndaluar, por ekziston shqetësimi i përgjithshëm që kaq shumë studentë po kërkojnë menjëherë zgjidhjen te AI-ia, përpara se të përgatiten për të bërë punën.
Në një punim mbi drejtësinë dhe median, përgjigjet e studentëve ishin të mbushura me rrëfime përshkruese të gjeneruara nga ChatGPT ose softuerë të tjerë të AI-së, të cilat kishin të bënin me padinë për shpifje të Johnny Depp kundër Amber Heard, skandalin Partygate të Boris Johnson, gjyqin për vrasje të Amanda Knox në Itali dhe, çuditërisht skandalin e sexting nga ish-kongresmeni i Nju Jorkut, Anthony Weiner.
"Këto raste studimi ishin të shkruara pothuajse njëlloj; studentët kanë futur të njëjtat pyetje në AI dhe kanë marrë të njëjtat përgjigje," thotë Shanahan. “Për shembull, Weiner nuk ishte përmendur fare në mësimdhënien tonë.”
Akademiku e kaloi pjesën më të madhe të dy javëve duke punuar me studentët për të gjetur njohuri dhe origjinalitet, dhe shumë shpesh u përball me banalitet.
“E di se si tingëllojnë esetë në secilin nivel, gjuhën që përdorin studentët dhe gabimet e zakonshme që bëjnë. Por këtë herë, shumë shpesh lexoja punime të rrjedhshme dhe të përgjithshme që thjesht nuk më lidheshin me ata që kisha takuar në klasë këtë vit”, thotë ai.
Varësia e studentëve universitarë nga Inteligjenca Artificiale është endemike. Pothuajse të gjithë studentët, e më saktësish.
Një anketë me më shumë se 10,000 studentë, e kryer gjatë këtij viti nga Instituti i Politikave të Arsimit të Lartë (HEPI) dhe një grup ekspertësh të fokusuar në politikat e arsimit të lartë, zbuloi se 92% prej tyre e përdorin AI-në atë në një formë ose në një tjetër. Një vit më parë kjo përqindje ishte 66.
Ndërsa më pak studentë pranojnë se përdorin AI-në për esetë tyre, provat e kopjimit po rriten, e njëkohësisht po bëhet më e vështirë për t'i zbuluar. Gati 7000 raste të konfirmuara të studentëve që e paraqesin punën e gjeneruar nga AI-ja si të tyren, u regjistruan në të gjitha universitetet, në vitet 2023-2024. Ekspertët paralajmërojnë se këto shifra përfaqësojnë vetëm majën e ajsbergut.
Përballë këtij kërcënimi të afërt ndaj integritetit akademik dhe motivimit të studentëve për të menduar vetë, dikush mund të presë në mënyrë të arsyeshme veprime urgjente nga qeveria, rregullatori i universitetit ose nga vetë institucionet.
Në vend të kësaj, qëndrimi i Zyrës për Studentët (rregullator i pavarur i arsimit të lartë në Angli) mbi AI-në, i publikuar muajin e kaluar, është të "përqafojë inovacionin" dhe të duartrokasë "ngazëllimin" e studentëve për mbështetjen që gjejnë te Inteligjenca Artificaile.
Lidhur me rrezikun e qartë dhe të pranishëm për integritetin akademik, ajo përdor argumentin kiborg të Star Trek - "rezistenca është e kotë".
Josh Fleming, drejtor i strategjisë dhe ofrimit të shërbimeve në OFS, thotë: “Rezistenca ndaj integrimit të inteligjencës artificiale do të ishte një zgjidhje e përkohshme me kosto të konsiderueshme oportune si për institucionet ashtu edhe për studentët.”
Por, ndërsa shumë veta në arsimin e lartë thjesht po e injorojnë valën e baticës së Inteligjencës Artificiale, ose po përpiqen ta shfrytëzojnë atë duke shpjeguar përfitimet e saj, duke minimizuar rreziqet e saj, disa akademikë po kundërsulmojnë.
Në shkollën prestigjioze të drejtësisë të University College London, pedagogët janë aq të shqetësuar për mbështetjen e tepërt të studentëve te Inteligjenca Artificiale, saqë të gjitha modulet e vlerësimit po kalojnë me provime me gojë dhe prezantime në klasë.
Duke e bërë integritetin përparësi, studentëve u mësohet se si të gjejnë informacion të dobishëm dhe ta vlerësojnë atë në mënyrë kritike, të dallojnë mbeturinat e Inteligjencës Artificiale, të dinë se çfarë të pyesin, të marrin rreziqe intelektuale, të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe kursejnë energjinë elektrike.
Aftësia e studentëve për të fituar këto aftësi varet nga aftësia e arsimit të lartë për t'u mbrojtur nga teprimet më të këqija të Inteligjencës Artificiale, sipas Dr. Michael Veale, profesor i asociuar dhe zv. dekan i Fakultetit të Drejtësisë të UCL.
"Të menduarit kërkon njohuri themelore", thotë ai. “Studentët që mësojnë të veprojnë si përçues pasivë për informacionin e prodhuar nga AI-ja nuk do ta arrijnë potencialin që kanë, për ta përdorur mirë mjetin, e lëre më potencialin shumë më të gjerë që kanë si mendimtarë të pavarur.”
Veale citon shumë studime që tregojnë përfitimet arsimore të shkrimit me dorë mbi atë me tastierë dhe pyet nëse ka humbje paralele në përfitimet arsimore për studentët që, për shembull, nuk e përmbledhin vetë materialin, por lënë ChatGPT-në ta bëjë.
“Ka zëra që argumentojnë se përdorimi i rëndë i AI-së, për shembull, në punët e kursit, është i pranueshëm- këto mjete do të jenë të disponueshme në vendin e punës, kështu që pse studentët nuk duhet të kenë qasje në to gjatë universitetit? Pse të mos përdoren në vlerësim, për sa kohë që njihen?” thotë akademiku. “Ne nuk jemi dakord. Studentët në Fakultetin e Drejtësisë të UCL vlerësohen në aftësitë dhe shkathtësitë themelore dhe jo në kapacitetin për ‘content creator’.”
Një paralajmërim i Gjykatës së Lartë, i lëshuar muajin e kaluar, nxit juristët e lartë të ndërmarrin veprime për të parandaluar keqpërdorimin e Inteligjencës Artificiale. Ky veprim vjen pasi u paraqitën zbulua dhjetëra citime të rreme nga jurisprudenca, të cilat ishin plotësisht fiktive ose përmbanin fragmente të sajuara.
Fakulteti i Drejtësisë i UCL-së ka hartuar tani një "position paper" mbi përdorimin e AI-së, me shpresën se të tjerët në arsimin e lartë do të rivlerësojnë se çfarë do të thotë integriteti akademik dhe studimi në epokën e gjigantit të AI-së.
Gjuha e thjeshtë dhe përsëritëse, metaforat tepër të hollësishme dhe përdorimi i kudondodhur i fjalëve të caktuara, mund të tregojnë për tekstin e gjeneruar nga AI-ja, por kjo nuk është e mjaftueshme për të bërë një akuzë për mashtrim. Në çdo rast, çdo student "i kujdesshëm" mund t'i anashkalojë këto mangësi të AI-së.
Në përgjigje të kërcënimit, studentët në Oksford dhe Kembrixh po udhëhiqen nga një kthim në provimet tradicionale. Ngadalë por me siguri, versionet online të prezantuara gjatë Covid-it, të cilat shumë universitete i mbajtën sepse janë më të lira dhe më të lehta për t'u organizuar, po zëvendësohen me provime në klasë, me stilolaps dhe letër.
Profesori Matei Candea, nga Shkolla e Shkencave Humane dhe Sociale e Kembrixhit, beson se përdorimi i tepërt i AI-së po iu grabit studentëve aftësi thelbësore.
“Shpesh dëgjojmë që universitetet duhet t’i përgatisin studentët të jetojnë dhe të punojnë në një botë plot me inteligjencë artificiale, dhe kjo është sigurisht e drejtë. Por të paktën një pjesë e kësaj do të thotë të mësosh të mendosh dhe të shkruash pa inteligjencë artificiale, në mënyrë që të mund të vlerësosh dhe gjykosh atë që prodhon makina”, thotë ajo.
Profesorët në fakultetin juridik të Universitetit të Oksfordit gjithashtu kanë pasur mjaftueshëm raste të tilla. “Është thelbësore që provimet të mbikëqyren siç duhet dhe studentët të pengohen të përdorin chatbot-e, të kërkojnë në Google ose të bëjnë kopje”, tha një akademik.
Ndërkohë, Fakulteti i Gjuhëve Mesjetare dhe Moderne po rifut provimet me libra të mbyllur dhe të shkruara me dorë - pavarësisht se studentët kundërshtojnë të testohen për ato që ata i quajnë “aftësi të vjetruara si memorizimi”.
Dr. Andrew Woon, një lektor i lartë në menaxhimin strategjik në Queen Mary, Universiteti i Londrës, argumenton se provimet mund të kultivojnë aftësitë që studentët do të kenë nevojë për të lulëzuar në një botë të dominuar nga Inteligjenca Artificiale.
Pretendimet e studentëve se ata kanë vështirësi të performojnë mirë në provimet me presion të lartë, janë një argument për t’u mësuar atyre kompetenca kyçe, të tilla si menaxhimi i kohës dhe rregullimi i stresit, dhe jo një arsye për të menduar se “provimet janë të gabuara në thelb”.
Në një blog të Institutit të Politikave të Arsimit të Lartë, Woon shkruan: “Provimet ofrojnë një mundësi dhe hapësirë të rrallë për studentët që të angazhohen në një zhytje të pandarë intelektuale, sepse provimet krijojnë mjedise të strukturuara, pa shpërqendrime dhe që kërkojnë fokusim. Ato inkurajojnë leximin e thellë, analizën kritike dhe artikulimin pa u mbështetur në ndihmën e jashtme.”
Vlerësimi ballë për ballë mund të jetë e vetmja mënyrë për të garantuar që ajo që prodhohet është puna e vetë studentit, por askush në arsimin e lartë, përfshirë OFS-në, nuk e di masën në të cilën provimet tradicionale ende ekzistojnë në universitete, krahasuar me format e tjera të vlerësimit. Shumë universitete promovojnë vlerësime që janë vetëm me detyra kursi
Ndërsa më shumë akademikë ngrenë shqetësimin për ndikimin e AI-së, ata janë përballë komiteteve pasive universitare, kompanive të fuqishme të teknologjisë dhe asaj që duket si një rregullator i kapur.
Debati vazhdon. Por ndërkohë, AI-ja gjeneruese po trumbetohet nga lart si zgjidhja për mangësitë gjithnjë e më të thella të trurit tonë të ngatërruar me ekranin dhe të sulmuar nga algoritmet./ Marrë nga Telegraph- Përktheu Liberale.al