Pas dhjetë viteve si Kolegj Profesional i Tiranës, i fokusuar vetëm në formimin e teknikëve të lartë përmes programeve dy vjeçare, me strukturimin dhe kthimin në kolegj universitar, Tirana College of Technology do të ofrojë për maturantët shqiptarë edhe katër programe të reja në ciklin Bachelor, konkretisht në: Inxhinieri Mekanike; Inxhinieri Elektronike; Inxhinieri Civile dhe Inxhinieri Software.
I ftuar në emisionin "Wake Up" në Top Channel dhe Top Albania Radio, Rektori i Tirana College of Technology, Prof. Dr.- Ing. Andonaq Londo Lamani, flet më shumë mbi rrugëtimin e ri të këtij institucioni, risitë që i sjell arsimit të lartë shqiptar, rëndësinë e programeve të sapohapura dhe nevojën për profesionistë të fushave teknologjike për tregun e punës, brenda dhe jashtë vendit.
Blendi Salaj- Ne kemi një lajm të mirë për të ndarë me ju. Në studio është Prof. Dr. Andonaq Londo, Rektori i Tirana College of Technology, i cili tashmë ka katër licensa të reja për programet Bachelor. jë ofertë e re për të rinjtë shqiptarë sepse fokusohet te teknologjia. Profesor, mirë se keni ardhur në emisionin tonë! Do të donim një prezantim të parë të Tirana College of Technology.
Rektori i TCT: Tirana College of Technology është një institucion, mund të themi i ri në emër dhe në programet e studimit që janë aprovuar javën e kaluar, por është vazhdim i Kolegjit Profesional të Tiranës, i cili ka një eksperiencë 10-vjeçare, që nga viti 2015-të. Kolegji ka pasur fokus formimin profesional të studentëve, të cilët vijnë nga shkollat e mesme dhe që përgatiten për fushat e elektronikës, fushat e inxhinierisë software, inxhinierisë mekanike, fushat e industrisë civile dhe programe të tjera të fokusuara në teknologji.
Mbështetur në këtë eksperiencë 10-vjeçare, stafi dhe gjithë ekipi i Kolegjit Profesional të Tiranës, mendoi të kalojë në një fazë më të lartë. Nëse diploma që jepte deri tani ishte vetëm ajo e nivelit V, sipas Ligjit të Arsimit të Lartë shqiptar, tashmë ka edhe diploma të nivelit VI, në fushat që i përmenda më sipër, të përqendruara kryesisht në teknologji dhe novacion, të tilla si: Inxhinieri Mekanike, Inxhinieri Elektronike, Inxhinieri Civile dhe Inxhinieri Software. Këto janë aktualisht diploma 3-vjeçare, të cilat me vitet, do të kalojnë edhe në diploma të nivelit master.
Enxhi Nasufi: Profesor, meqë teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale janë tashmë temat kryesore globale, si është përgatitur Tirana College of Technology për ta mirëpritur të gjithë këtë zhvillim? Si do t’i përgatisni ju studentët tuaj?
Rektori i TCT: Siç e thashë, ne nuk vijmë nga niveli zero. Ne vijmë nga një eksperiencë 10-vjeçare. Deri tani kemi diplomuar mbi 1000 studentë, teknikë të lartë, të cilët zbatojnë projektet në fushat përkatëse, por nuk i projektojnë ato. Tani përgatisim studentë që projektojnë dhe zbatojnë, sepse do të vazhdojë edhe diploma 2-vjeçare, krahas kësaj që futet këtë vit për diploma 3-vjeçare të nivelit Bachelor, në fushat e teknologjisë.
Së pari, ne mbështetmi në këtë eksperiencë që kemi grumbulluar ndër vite, e më tej te ndërthurja e stafit të ri, që vjen nga formimi ndërkombëtar në universitetet teknologjike, me akademikë që kanë një jetë në këtë profesion. Së dyti, mbështetemi te laboratorë modernë për të cilët është investuar ndër vite.
Së treti, mbështetemi te partneriteti me industrinë, me biznesin shqiptar. Studentët tanë kryejnë praktikat mësimore dy-tre javore dhe praktikën e diplomës në bizneset që janë në Shqipëri, në fushën e elektronikës, inxhinierisë mekanike, të ndërtimit, etj. Pra, kemi një lidhje të fortë me industrinë në vendin tonë.
Së katërti, dua të theksoj se niveli i stafit tonë dhe programeve mësimore është i krahasueshëm me nivelin e kolegjeve të tilla profesionale dhe të kolegjeve universitare në rajon dhe Europë.
Arsimi i lartë ka tre komponentë, tre baza të fuqishme, që janë: planet mësimore, stafi akademik dhe laboratorët. Nëse këto janë me standarde të larta, garantojnë një përgatitje cilësore të specialistëve në këto fusha.
Neada Muçaj: Ky është edhe standardi që ju bën juve konkurrues në treg. Duke marrë parasysh të gjitha këto që thatë më sipër, si ka qenë interesi deri tani?
Rektori i TCT: Interesi ka qenë shumë i lartë. Ne vijmë nga baza të forta, kemi diplomuar mbi 1000 studentë në gati 10 programe mësimore, gjithmonë në fushën e teknologjisë. Një pjesë prej tyre sot e kanë gjetur vendin në tregun ndërkombëtar. Pjesa tjetër është në tregun shqiptar. Studentët e diplomuar për automobilistikë, nëpërmjet bashkëpunimit të institucionit tonë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, licencohen për të qenë edhe si ekspertë të pavarur, në fushën e kontrollit automobilistik.
Blendi Salaj: Ndërkohë kemi dëgjuar edhe kryeministrin Rama që flet për nxitjen e universiteteve shqiptare drejt asaj që quhet universiteti 4.0, që do të thotë se edhe studentë të huaj mund të vijnë të studiojnë në universitetet shqiptare, gjë që mund të tingëllojë edhe si kundër rrymës, për momentin. Sa realiste mendoni se është kjo, që ne të presim studentë të huaj në Tiranë?
Rektori i TCT: Kur filloi punën Kolegji Profesional i Tiranës në vitin 2015 u nisëm nga orientimet e qeverisë shqiptare drejt formimit profesional. Ju e dini që në atë kohë të gjithë studentët dëshironin të studionin Drejtësi, Ekonomi, Shkenca Politike, për të cilat tregu shqiptar kishte nevojë. Por, pas viteve 2010-2015, tregu profesional, tregu i teknologjisë, i novacionit ndjeu një boshllëk të madh. Nisur nga kjo, sipërmarrësit e kuptuan se në këtë fushë ka nevojë për shumë profesionistë, për teknikë të lartë në fushat e teknologjisë.
Blendi Salaj: Në fakt, janë fusha që paguhen mirë.
Rektori i TCT: Paguhen mirë dhe kanë mundësi punësimi në Shqipëri, në rajon dhe në Europë. Duke parë këtë direktivë të qeverisë, epoka e universitetit 4.0 e gjen veten në drejtim të teknologjisë. Sot, kush zotëron teknologjinë, zotëron botën! Teknologjia dhe novacioni janë motoja jonë. Prandaj, mund të them se këtë udhëzim të kryeministrit e gjejmë me vend. Ai shkon në përputhje me profesionalizmin tonë, shkon drejt koordinimit të stafeve që vijnë nga bota akademike jashtë Shqipërisë me ata brenda vendit dhe kam bindjen se do të jenë histori suksesi për Tirana College of Technology.
Nuk është se këto shembuj nuk ekzistojnë edhe në botë. Massachusetts Institute of Technology ka lindur në vitet ’60-të të shekullit XIX si një kolegj profesional. Me nevojat e ekonomisë, teknologjisë, novacionit sot është lider në fushat inxhinierike. Ne aktualisht kemi partneritete dhe projekte të përbashkëta me disa institucione homologe në vendin tonë, por edhe jashtë, një prejt të cilëve është London South Bank Technical College. Prandaj, mendoj se mund të jetë një alternativë për studentët e huaj. Kemi pasur prej vitesh turizmin bregdetar, turizmin dental e mjekësor, kështu që mund të bëjmë edhe turizëm akademik, nëse mund ta quajmë kështu.
Sipas OKB-së, në vitet 1990-të ka pasur rreth 31 milionë studentë në botë dhe 6 miliardë banorë. Sot ka 260 milionë studentë dhe 8 miliardë banorë. Përqindja e studentëve është rritur më shumë se ajo e banorëve. Kështu që, Shqipëria ka potencialin të jetë një treg studimi për studentët e huaj. Ne kemi eksperienca të tilla me shkëmbimet Erasmus.
Neada Muçaj: A kanë nisur regjistrimet? Si mund t’iu gjejnë ata që janë të interesuar?
Rektori TCT: Nga data 29 korrik deri më 3 gusht është periudha e regjistrimit në portalin U-Albania dhe aty mund të përzgjedhin katër programet tona të reja, krahas atyre 2-vjeçare. Duke pasur parasysh ofertën tonë akademike, besoj se ne do të plotësojmë numrin e miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Dëshira jonë është që të formojnë brezin e teknologjisë. Në vitet ’60-të Ismail Kadare ka shkruar poemën “Ëndërr industriale”. Po të ishte sot gjallë, me siguri do të shkruante “Ëndërr teknologjike”.