Për Vlasiosin student nuk kishte orar, as dite jave. Kishte projekte dhe punë të cilat duhet të mbylleshin. Puna dhe përkushtimi i treguar gjatë viteve të studimit ishte “letra e rekomandimit” që atij t’i besohej drejtimi i Zyrës së IT dhe i Klubit të Inovacionit pranë Kolegjit Unversitar “Tirana College of Technology”.
Në një orë të zakonshme në gjimnazin e Divjakës, mësuesja e matematikës do të drejtonte në klasë, pyetjen: “Çfarë do të bëni pas mbarimit të vitit të tretë”? Shumica e nxënësve zgjodhën kuzhinën. Plazhi dhe Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta janë potencial për zhvillimin e turizmit. Banorët nuk shikojnë vetëm bujqësinë si mënyrë jetese, por po investojnë drejt turizmit, ashtu siç po ndodh edhe në zona të tjera të Shqipërisë.
Pyetja e ngacmoi Vlasin, madje ajo u bë shkak që të zbulonte një ambicie të re brenda vetes. Lindur dhe rritur në Greqi, në vitin 2014 ai u kthye në Divjakë, në vendlindjen e prindërve. Për shkak të krizës ekonomike në atë periudhë, shumë shqiptarë erdhën në atdhe duke shkëputur kështu rrjedhën e jetës të ndërtuar ndër vite. Pavarësisht se mund të kishte rregulluar gjithë pajisjet elektronike dhe kompjuterat në lagje, nuk kishte artikuluar kurrë dëshirën për të ndjekur një profesion në këtë fushë. Gjithçka kishte mbetur në kuadrin e një pasioni dhe kurioziteti natyror.
Kur gjatë asaj orë mësimi shprehu dëshirën për të studiuar Informatikë, diçka që ta lidhte me teknologjinë e informacionit, përgjigja e tij ngjalli skepticizmin e mësueses. “S’ke për t’ia dalë, duhet të jesh As në matematikë”, ishte reagimi i saj. Këto fjalë të thëna në mënyrë të shkujdesur për një të ri që po zbulon botën e tij, patën efektin e kundërt. Ai filloi të rimendonte planin e së ardhmes, e pse jo, të zhvillohej përmes arsimit profesional, si lidhja më e shkurtër me tregun e punës.
Në 2020-ën, mori vendimin për të lënë sërish pas një vend dhe u zhvendos në kryeqytet. Pas dy vitesh eksplorimi, një shoku i tij, ish-student i sapodiplomuar në Kolegjin Profesional të Tiranës dhe i punësuar, e prezantoi me mundësitë që ofronte ky institucion i arsimit të lartë profesional 2-vjeçar.
Nuk e mendoi dy herë për të qenë pjesë e auditorëve, pa e ditur se rrugëtimi i tij do të zgjaste përtej diplomimit. Filloi studimet në vitin 2021, në progamin e studimit “Teknologji Informacioni dhe Komunikimi” (TIK). Që gjatë semestrit të parë u përfshi në Klubin e Inovacionit, një ambient i dedikuar studentëve, për rritjen e mëtejshme profesionale përmes praktikës, shkëmbimit të njohurive dhe krijimit të projekteve të ndryshme në fushën e teknologjisë. Njëkohësisht, u atashua pranë Zyrës së IT si praktikant.
“Ikja i fundit nga kolegji. Kishte raste që rrija deri në 12 të natës, e madje kam përfunduar i kyçur disa herë. Vinin rojet më hapnin derën”, rrëfen Vlasios. Fundjavat ishin, gjithashtu, ditë pune. Pushimi i vetëm ishte emocioni që përjetonte nga çdo projekt i përfunduar dhe çdo produkt i finalizuar me sukses.
I mësuar me angazhime, fill pas diplomimit, në korrik të 2023-shit, nisi punë si teknik i lartë NOC në një kompani në Tiranë. Sot nuk e di se si do të kishin shkuar gjërat për të, nëse në muajin tetor të atij viti nuk do të merrte një ofertë punësimi nga kolegji ku kishte kryer studimet. Pedagogët dhe ish-drejtuesi i Zyrës IT, Ervisi, kishin rekomanduar emrin e tij.
E njihte më së miri institucionin, stafin, mënyrën e funksionimit dhe për të, nuk kishte asnjë sfidë në këtë drejtim. Surpriza e vërtetë do të ishte përgjegjësia që do t’i ngarkohej. Si fillim iu besua posti i përgjegjësit të Zyrës së IT, e më tej drejtimi i vendit që ai e kishte pasur shumë përzemër. Pranoi pa asnjë mëdyshje marrjen e detyrës së mentorit në Klubin e Inovacionit (TCT HUB), ku zhvillojnë praktikën studentët e IT dhe Database.
Gjatë kësaj periudhe kanë zhvilluar shumë projekte, ku më i fundit ishte “Tesla Coil”. Tesla Coil është një pajisje e shpikur nga Nikola Tesla, e cila krijon tension dhe frekuencë të lartë përmes rezonancës elektrike, duke prodhuar shkëndija spektakolare dhe duke demonstruar mundësinë e transmetimit pa tela të energjisë.
Me rritjen e fuqisë rritet edhe përgjegjësia. Strukturimi i Kolegjit Profesional të Tiranës, pas një dekade jetë në tregun e arsimit të lartë, në Kolegj Universitar “Tirana College of Technology”, sjell projekte dhe detyra të reja. Përveç tetë programeve profesionale të ofruara nga 2015-ta, Tirana College of Technology do të sjellë këtë vit akademik edhe katër programe Bachelor në: Inxhinieri Mekanike, Inxhinieri Civile, Inxhinieri Elektronike dhe Inxhinieri Software, programe me natyrë tërësisht aplikative dhe mjaft të kërkuara nga tregu i punës. Kjo e bën punën e tij më angazhuese, e pritshmëritë më optimiste, për të kontribuar në formimin e të rinjve shqiptarë të pasionuar pas teknologjisë
Vlasios Biti nuk është thjesht një i ri që u rikthye në Shqipëri dhe mësoi si të ndërtojë këtu jetën e tij. Ai është modeli i një të riu që dëshmon se vullneti, përkushtimi, pasioni janë themelet më të forta për të pasur sukses. Nuk ka rëndësi nisja, por rrugëtimi. Nëse ti vendos një synim dhe punon pa ndalur, gjithmonë do të arrish atë që dëshiron. Ky përkushtim dhe ky dedikim i treguar në dy vite e bënë Vlasios Bitin studentin dhe më tej stafin që dëshiron çdo universitet.