Prokuroria Themelore në Ferizaj i ka kërkuar gjykatës që ta dënojë me burgim për të mitur një djalë nën moshën 18-vjeçare, i cili dyshohet për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.
Rreshteri Lika u vra më 1 prill 2025 në Kaçanik, në shkallët e ndërtesës ku jetonte, teksa po kthehej nga puna. Sipas Prokurorisë, vrasja është kryer me qëllim dhe në bashkëpunim me pesë persona të tjerë.
I mituri, i cili është në paraburgim që nga 21 prilli, dyshohet se ka qëlluar katër herë në drejtim të rreshterit me një armë zjarri të kalibrit 9.19 mm, brenda 47 sekondash. Rreshteri ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Prokuroria ka theksuar se vrasja është bërë me përgatitje paraprake dhe bashkëpunim mes disa personave, por nuk janë dhënë detaje të qarta për motivet. Megjithatë, zyrtarë të Policisë dhe të Prokurorisë kanë thënë më herët se vrasja mund të ketë lidhje me punën e viktimës si polic.
Sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur, një i mitur që ka mbushur 16 vjeç dhe ka kryer një krim të rëndë mund të dënohet me burg nga 6 muaj deri në 10 vjet, varësisht nga rrethanat.
Gjashtë persona janë në paraburgim për këtë rast.